Përderisa sezoni i festivaleve dhe ngjarjeve të tjera tashmë ka nisur, Ministria e Kulturës ende s’e ka hapur thirrjen për projekte kulturore të skenës së pavarur. S’ka as afat se kur pritet të ndodhë një gjë e tillë. Krejt kjo, për skenën e pavarur kulturore, është një goditje jo e vogël, njëkohësisht edhe tregues i qartë për menaxhimin që bën Ministria e Kulturës, e cila nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHË-s për këtë çështje. Por KOHA ka mësuar se bëhet fjalë për mungesë buxheti, pasi rritja e shumave më 2024 dhe 2025, ka krijuar obligime edhe për sivjet
Ministria e Kulturës s’ka fije konsistence në raport me afatet e thirrjeve nëpërmjet të cilave përkrahet skena e pavarur kulturore. Përderisa vjet thirrja për subvencionimin e projekteve kulturore dhe të trashëgimisë kulturore për organizata dhe individë u hap në shkurt për të mos u finalizuar deri në gusht e për disa kategori edhe më vonë, sivjet ajo s’është hapur ende. Madje, institucioni më i lartë kulturor në vend s’ka as afat se kur pritet të ndodhë një gjë e tillë.
Krejt kjo, për skenën e pavarur kulturore, është një goditje jo e vogël, njëkohësisht edhe tregues i qartë për menaxhimin që bën Ministria e Kulturës.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoFestivalet e përvitshme, që janë bërë tashmë tradicionale, kanë nisur, sikurse edhe aktivitete të tjera që një prej burimeve kryesore të financimit e llogarisin Ministrinë e Kulturës. Dhe kjo qasje e Ministrisë përshkruhet si dramë më vete.
“Është vërtet e vështirë të definohet raporti i kulturës me këtë kohë dramash e aventurash politike. Duket si një gjendje tranzicioni, si ‘kulturë në pritje’, në ardhje të diçkaje, të ndryshimit ose të ‘stabilitetit’ politik. Nuk e di, por vërtet nuk mbaj mend ndonjë periudhë në këto vitet e fundit kur ka pasur një stagnim kulturor, madje bllokadë, si kjo tani”, ka thënë dramaturgu Jeton Neziraj, njëherësh udhëheqës i qendrës “Multimedia”. Sipas tij, bëhet fjalë për diçka të pabesueshme.
“Duket si mallkim – dhe e urrej që më duhet të përdor përshkrime të tilla poetike – por ajo që po ndodh me skenën kulturore është e pabesueshme. Mbi 25 vjet pas luftës, ne akoma jemi në luftë për kushte bazike pune, për hapësira pune. Shteti i është kthyer zanatit të pasluftës, të ‘rikonstruktimit’ e ‘renovimit’ të objekteve kulturore, të cilat nuk përfundojnë kurrë”, ka thënë ai. Sipas Nezirajt, problemet vetëm reprizohen dhe përsëriten: mungesë buxheti, vonesë buxheti, shkurtim buxheti, bartje buxheti, shkarkim bordesh, emërim bordesh.
“Dhe kështu përfundon sezoni teatror në Kosovë, në 6 muajt e parë të vitit, me 4–5 premiera teatrore në krejt vendin. Si ta definojmë këtë kohë dhe kulturën në të? Si ta diagnostikojmë këtë sjellje të shtetit ndaj kulturës?”, ka thënë ai.
Ministria e Kulturës nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHË-s për këtë çështje. Por KOHA ka mësuar se bëhet fjalë për mungesë buxheti.
“Prej vitit 2024, me ridizajnimin dhe mbështetjen me shuma shumë më të mëdha të aktiviteteve, kemi hyrë në obligime. Vjet janë zotuar edhe nga buxheti i sivjetmë. Këto ditë është bërë një zgjidhje dhe presim që të hapet thirrja”, ka thënë një burim i mirinformuar brenda Ministrisë së Kulturës.
Duket se as sivjet MKRS-ja s’do ta përfillë Ligjin për artin dhe kulturën për skemën e subvencionimit. Sivjet, për “përkrahjen e kulturës”, te subvencionet, sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore, Ministria ka 4.4 milionë euro. Vjet ishin 4.3 milionë. Vetëm organizatat vjet janë përkrahur me mbi 4 milionë euro dhe shuma e të gjitha kategorive ka arritur gati dyfish. Por Ministria e Kulturës s’i ka vetëm këto telashe.
Rifunksionalizimi strukturor që përcakton Ligji për artin dhe kulturën, i cili është në fuqi prej janarit të vitit 2024, është një prej çështjeve që po i ngadalëson disa procese në Ministrinë e Kulturës.
Ministrisë së Kulturës i janë dashur dy vjet për të hartuar dhe për ta nxjerrë në diskutim publik draftrregulloren për funksionimin e Këshillit të Skenës së Pavarur Kulturore. Ky derivat i Ligjit për artin dhe kulturën është dashur të miratohej qysh para një viti. Vetë ligji përcakton se aktet nënligjore të parapara me këtë ligj “nxirren në afat prej një (1) viti nga dita e hyrjes në fuqi të këtij ligji”.
Ministria e Kulturës është vonë me të gjitha rregulloret e parapara me këtë ligj, pa të cilat nuk mund të shtrihet efekti juridik i ndryshimit më të madh strukturor e organizativ që MKRS-ja – tash Ministri e Kulturës dhe Turizmit dhe Ministri e Sportit dhe Rinisë – ka ndërmarrë viteve të fundit.
Rregullorja e re, e para e këtij lloji në vend, u hap rrugë mënyrës së organizimit dhe funksionimit, përbërjes, kompetencave, mandatit, emërimit dhe shkarkimit të anëtarëve të Këshillit të Skenës së Pavarur Kulturore. Ky forum, sipas draftrregullores, e cila është në konsultim publik, përcakton se Këshilli do të jetë organ këshillëdhënës i emëruar nga ministri përkatës për kulturë. Këshilli do të ketë pesë anëtarë: dy përfaqësues të Ministrisë së Kulturës, një anëtar të jashtëm nga fusha e artit dhe kulturës i emëruar nga ministri dhe dy përfaqësues të skenës së pavarur kulturore, të përzgjedhur përmes thirrjes publike.
“Anëtarët e Këshillit emërohen me vendim përfundimtar në procedurë administrative nga ministri”, shkruhet në draftrregullore. Dy përfaqësuesit e skenës së pavarur kulturore përzgjidhen përmes thirrjes publike, ku pranohen nominimet për anëtarë, thirrje e cila shpallet nga Ministria e Kulturës në përputhje me këtë rregullore. Rregullorja, që deri në shkurt të këtij viti ishte në konsultim publik, nuk është miratuar ende. S’ka ende as thirrje për anëtarët që përfaqësojnë skenën e pavarur kulturore. Ky Këshill pritet të ketë ndikim vendimtar në thirrjet publike për mbështetjen e skenës së pavarur të artit.
“Propozon prioritetet, kriteret dhe modalitetet e skemave mbështetëse për skenën e pavarur kulturore; miraton shumat e mbështetjes financiare për organizatat dhe individët e skenës së pavarur kulturore, bazuar në thirrjet publike të hapura gjatë vitit; monitoron rezultatet e mbështetjes publike financiare dhe, mbi bazën e tyre, nxjerr rekomandime për përmirësimin e politikave dhe skemave mbështetëse në të ardhmen”, janë disa prej detyrave të Këshillit.
Vjet, Ministria në listën përfundimtare të organizatave të përkrahura renditi 313 sosh që, sipas MKRS-së, janë përkrahur me 4 milionë e 117 mijë euro. Në raport me listën preliminare, qenë 38 organizata më shumë. Prej 24, tek ato që kanë marrë përkrahje trevjeçare, u bënë 25; u shtua “Etea”. Te kategoria e tretë ishin 19, kurse pas ankesave 22. U shtuan “KUD Sarski Behar”, “Jazz Fest Prishtina” dhe “Fondacioni për Gjakovën”. E para mori përkrahje 25 mijë euro, kurse dy të tjerat nga 35 mijë euro. Ndërsa te kategoria e fundit, nga 222, tash figurojnë 266 organizata.
“Rrjeti ballkanik i gazetarisë hulumtuese – BIRN Kosova” për vjet dhe këtë vit u përkrah me nga 50 mijë euro, kurse për vitin 2027 me 60 mijë euro për projektin “Promovimi i historisë moderne të rezistencës përmes ‘Reporting House’”. Bëhet fjalë për kategorinë e përkrahjes trevjeçare. Organizata “7 Arte” për tre vjet radhazi, prej vitit të kaluar, merr nga 50 mijë euro për programin vjetor. Po ashtu, Qendra Edukative dhe Këshillimore është përkrahur për tre vjet me nga 50 mijë euro për projektin “The Guest Keepers – Miqtë e vizitorëve – Kushdo vizitor bëhet mik”.
Te kategoria e dytë e thirrjes, “Organizimet tradicionale të fushës së artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore”, janë 21 organizata. Prej tyre, 20 janë përkrahur për tre vjet dhe një për dy vjet. “Expoart 40 net/rrjet” do të marrë nga 40 mijë euro për tre vjet, njëjtë sikurse “Qendra Kosovare për Muzikën e Re”, “Mundësia” dhe shtëpia teatrore e filmike AKT. Shoqata e Botuesve të Kosovës për Panairin e Librit do të marrë dy vjet nga 40 mijë euro, kurse në vitin e tretë 20 mijë euro. Prej 20 deri në 40 mijë euro në vit, për tre vjet, do të marrin organizata si Fondacioni muzikor “ARS-Kosova”, “Cult Club” dhe “Pro Plus”. Ndërsa “Kosova ARS”, “Varg e Vi” dhe “Florg” do të marrin prej 20 deri në 30 mijë euro për tre vjet. “Mollëkuqet”, “Ekipi Avoko”, “Oldtimer Prizreni”, “Brez pas brezi”, “Q’art”, “Corpo Art”, “Amadeus”, “Prishtina Music Conference” dhe “Redo” do të marrin prej 15 mijë deri në 25 mijë euro në vit. Klubi alpin “Podguri” është përkrahur për dy vjet: sivjet me 16 mijë e 600 euro, kurse vitin e ardhshëm me 12 mijë e 400 euro.
Te kategoria e tretë, “Programet njëvjeçare dhe organizimet tradicionale të fushës së artit, kulturës dhe trashëgimisë kulturore”, ishin 7 organizata me nga 40 mijë euro, si “ArtSy” për EP-në e albumit muzikor të Armend Rexhepagiqit, pastaj për festivalin e teatrove në Ferizaj, “Kastriotët” po në këtë qytet, Fondacioni “Ramë Lahaj”, “Integra” për monografinë për Melihate Qenën (Melin), “Prizren Fest” dhe Asociacioni i Artistëve Vizualë të Kosovës. “Mitrovica International Jazz Days” është përkrahur me 35 mijë euro, ndërsa me shuma prej 4 mijë deri në 30 mijë euro figurojnë edhe 214 organizata.