Në Egjiptin e vjetër macet ishin të kudondodhura në praktikat shoqërore e fetare, madje shumë prej hyjnive portretizoheshin sipas përfytyrimit të një maceje antropomorfe. Në këtë qytetërim macja shëmbëllente drejtësinë, pjellorinë dhe fuqinë.
Por një artist nga Theranda mu në kohërat e vështira të luftës, në moshën 25 vjeç, kishte pikasur sakaq diçka te macet që nuk donin t’ia dinin për ankthin e luftës, shkruan sot Koha Ditore.
“Ne ishim të bllokuar në banesat tona gjatë luftës. Shikoja nga dritarja dhe shihja shumë mace – ato po shijonin lirinë që kishin. Ato po luanin dhe po shëtisnin lirshëm. Ato nuk kishin identitet dhe nuk ishin në rrezik nga forcat policore”, kishte thënë më vonë artisti, Arian Berisha. “Mendova me vete: ‘Pse unë nuk jam mace?’ Më lindi një ide. Të bëj një cikël pikturash dhe ta quaj ‘Mbretëria e Maceve’. Mendoj se kjo është një lloj filozofie. Këto mace nuk janë mace. Po jam unë dhe familja ime dhe gjithë njerëzit që njoh”.
Kjo filozofi bashkë me një art që reflektonte dromca nga lufta u përcoll në mbi 40 krijime të artistit të ndjerë, Arian Berisha, në ekspozitën “Mbretëria e maceve”, që u hap të premten në mbrëmje në mjediset e Galerisë Kombëtare të Kosovës.
E kuruar nga kuratori nga Manchesteri, James Walmsley, ekspozita solli krijime të ndryshme të Arian Berishës, ku shquanin veçanërisht vizatimet me mace.
Për kritikët e artit, peizazhet epike dhe kinematike të luftës bombardojnë shqisat me ngjyra të ndritshme e me fuqi të madhe. Madje, vetë kuratori anglez e ka quajtur atë “artist i luftës”.
“Askush nuk e pikturoi luftën në Kosovë ashtu siç bëri Ariani. Unë besoj se arti i tij do të jetë dokumentimi i fundit krijues i asaj periudhe dhe do të zërë vendin e tij në historinë e artit të Kosovës”, ka shkruar Walmsley.
Sipas kuratorit të ekspozitës, macet janë “të përfshira në diçka të tmerrshme dhe jashtë kontrollit të tyre me sensualitetin dhe ndërlikimin e tyre të mbrehtë të sulmuar, shkatërruar dhe të ndotur”.
“Ekziston një fuqi në mbijetesën dhe rezistencën dhe në çlirimin e tyre. Macet nuk rrihen ose shtypen. Ato janë fitimtare, por me një kosto. Ato janë transformuar përgjithmonë”, ka thënë Walmsley.