Një 16-vjeçar nga Kosova humbi jetën në orët e hershme të së premtes në një aksident trafiku që ndodhi në Wohlen në rajonin Aargau të Zvicrës, raporton “Blick”.
Në aksident humbën jetën dy të rinj – 16-vjeçari që po e drejtonte veturën dhe një 19-vjeçar me shtetësi zviceran – ka njoftuar Policia Kantonale e Aargaut. Po ashtu u lëndua rëndë një i ri tjetër. Të dy viktimat jetonin në Zvicër. Zëdhënësi i Policisë Kantionale të Aargaut, Bernhard Graser, tregoi për “BRK News” se 16-vjeçari nga Kosova po drejtonte veturën, ndërsa doli nga rruga, kaloi nëpër një kopsht, u përplas në një pemë dhe më pas në murin e një shtëpie.
Banorët vendas i dolën në ndihmë të rinjve dhe më pas erdhën edhe shërbimi i urgjencës dhe zyrtarët policorë.
“Ata hasën në një skenë të tmerrshme”, tha Graser.
Ende nuk është e qartë arsyeja pse 16-vjeçari po e drejtonte veturën.
“Kemi nisur hetimet”, thotë Graser.
Dyshohet se të rinjtë ishin duke kaluar me shpejtësi dukshëm më të madhe se 30 kilometra në orë, sa ishte e lejuar në atë zonë.
Zyra e prokurorit publik ka nisur hetimet dhe ka urdhëruar marrjen e mostrave të gjakut dhe urinës. Mercedesi ishte shkatërruar plotësisht, ndërsa policia ka thënë se i përkiste vëllait të 16-vjeçarit me origjinë nga Kosova.