Demokracia në Veprim (DnV) ka vlerësuar se pesë ditët e para të fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, kanë qenë të qeta, por të shoqëruara me sfida serioze që lidhen me barazinë e garës, cilësinë e debatit publik dhe përhapjen e gjuhës së urrejtjes në hapësirën digjitale.
Sipas DnV-së, në këto zgjedhje garojnë 21 subjekte politike me gjithsej 902 kandidatë, prej të cilëve vetëm 34 për qind janë gra.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoVioleta Haxholli nga ky institut tha se, megjithëse partitë politike kanë rifreskuar ndjeshëm listat e kandidatëve krahasuar me zgjedhjet e dhjetorit të kaluar, përfaqësimi i grave ka mbetur pothuajse në të njëjtin nivel.
Prizreni prin me numrin më të madh të kandidatëve, me 157 të tillë, pasuar nga Prishtina me 153, Ferizaj me 77, Peja me 68 dhe Fushë Kosova me 55 kandidatë.
Në raport thuhet se programet zgjedhore të subjekteve politike paraqesin kryesisht një vazhdimësi të ofertave të mëhershme, të ripaketuara në formën e zotimeve të reja që fokusohen kryesisht në sektorët e energjisë, pagave, skemave sociale, infrastrukturës dhe teknologjisë.
DnV-ja ka vlerësuar se përdorimi i resurseve publike para nisjes zyrtare të fushatës, përfshirë vendimet e qeverisë në detyrë për ndarjen e përfitimeve financiare për qytetarët, ka krijuar avantazh për partinë në pushtet.
“Sa i përket ecurisë së fushatës, në pesë ditët e para është vërejtur intensitet më i lartë i aktiviteteve zgjedhore në terren, ku subjektet politike janë përqendruar në tubimet hapëse të fushatës në qendrat kryesore të Kosovës. Janë evidentuar edhe raste të përdorimit të fëmijëve në disa tubime të subjekteve politike, për të cilat tashmë janë deponuar dy ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Për dallim nga rrjedha e qetë e aktiviteteve zgjedhore në terren, fushata në hapësirën online, përkatësisht në rrjete sociale është dukshëm më e ashpër, për shkak të gjuhës së urrejtjes që shpërfaqet nga përkrahësit e partive. Në anën tjetër, përdorimi i gjuhës fyese dhe diskriminuese nga subjektet politike, ndonëse në nivel më të ulët krahasuar me proceset e mëparshme zgjedhore, tregon se hapësira online vazhdon të paraqesë sfida serioze për cilësinë e debatit publik”, thuhet në raport.
Ndërkohë, ndonëse aktivitetet në terren janë zhvilluar pa incidente të mëdha, fushata në rrjetet sociale është karakterizuar nga një retorikë më e ashpër.
Gjatë pesë ditëve të para janë identifikuar 56 raste që përfshijnë gjuhë urrejtjeje, shpifje, përmbajtje përçmuese dhe dezinformim. Nga këto, 35 raste janë klasifikuar si gjuhë urrejtjeje, ndërsa pothuajse gjysma e tyre kanë pasur në shënjestër gratë pjesëmarrëse në garën zgjedhore.
Monitorimi i 152 portaleve informative në gjuhën shqipe dhe serbe ka zbuluar më shumë se 7 mijë komente me përmbajtje të urrejtjes, që përbëjnë rreth 6 për qind të komenteve të analizuara.
Sipas DnV-së, ky fenomen po ndikon negativisht në cilësinë e debatit publik dhe në pjesëmarrjen e grave në jetën politike.
Edhe në media, hapësira zgjedhore thuhet se dominohet nga emisionet me vetëm një subjekt politik ose një kandidat përballë gazetarëve, ndërsa debatet zgjedhore vazhdojnë të kenë mungesë të konkurrencës së drejtpërdrejtë të ideve dhe programeve politike.
Një tjetër problematikë e evidentuar është pabarazia gjinore në debatet televizive, ku burrat përbëjnë rreth 80 për qind të pjesëmarrësve, ndërsa gratë vetëm 20 për qind.