Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Tetë të vrarë në Liban, një ditë pasi Izraeli dhe Hezbollahu u pajtuan për depërshkallëzim

Liban

Foto: Associated Press

Tetë persona, përfshirë një baba me dy fëmijë, janë vrarë të martën në jug të Libanit nga sulmet izraelite, një ditë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, tha se Izraeli dhe Hezbollahu, i mbështetur nga Irani, kishin rënë dakord të ulnin intensitetin e luftimeve.

Megjithatë, Hezbollahu ka vazhduar të lëshojë dhjetëra predha dhe dronë drejt ushtarëve izraelitë në jug të Libanit dhe ndaj civilëve në Izrael.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Izraeli ka kërcënuar të hënën se do të godiste periferitë jugore të Bejrutit, duke shkaktuar panik në kryeqytetin libanez, ndërsa mijëra njerëz u larguan nga zona. Forcat izraelite po kryejnë inkursionin e tyre më të thellë në Liban në 26 vjetët e fundit, por Bejruti deri më tani kryesisht është kursyer nga sulmet.

Më vonë, Trumpi ka njoftuar, pas një bisede telefonike me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe komunikimeve me grupin militant libanez përmes ndërmjetësve, se “nuk do të hyjnë trupa në Bejrut”. 

Megjithatë, situata në terren ka ndryshuar pak, pasi Izraeli dhe Hezbollahu kanë vazhduar sulmet me të njëjtin intensitet.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka deklaruar gjatë një konference për mbrojtjen të martën se Izraeli më parë ishte përmbajtur nga sulmet ndaj Bejrutit për shkak të negociatave mes SHBA-së dhe Iranit. Sipas tij, Irani dëshiron një marrëveshje armëpushimi në luftën me Izraelin, e cila do t’i jepte fund edhe luftimeve në Liban.

Por, sipas Katz, kryeministri Netanyahu i ka thënë Trumpit gjatë një telefonate të hënën vonë se Izraeli do të godasë periferitë jugore të Bejrutit nëse Hezbollahu vazhdon të sulmojë veriun e Izraelit.

Një rund i dytë bisedimesh mes Izraelit dhe Libanit është planifikuar të mbahet të martën dhe të mërkurën në Uashington. Negociatorët libanezë pritet të kërkojnë armëpushim të plotë që do të parandalonte sulme të ardhshme. Bisedimet, të cilat kanë nisur në prill, ishin të parat mes dy vendeve në më shumë se tri dekada, pasi ato nuk kanë marrëdhënie formale diplomatike. Hezbollahu ka refuzuar bisedimet e drejtpërdrejta, duke u mbështetur te presioni i Iranit.

Luftimet në Liban përbëjnë një pengesë të madhe për marrëveshjen që po formësohet për zgjatjen e armëpushimit në luftën mes Iranit dhe Izraelit. Pavarësisht armëpushimit të ndërmjetësuar nga Uashingtoni në prill, Izraeli dhe Hezbollahu kanë vazhduar të shkëmbejnë sulme, pasi Izraeli ka goditur objektiva në Liban duke thënë se vepron në vetëmbrojtje.