“Young Classics” është titulluar koncerti i orkestrës së fëmijëve dhe të rinjve “Amadeus” i cili pas suksesit të shumëfishtë në Çeki, e ka dëshmuar edhe një herë para publikut vendor potencialin e gjeneratës së re të muzikantëve. Mbrëmja në kuadër të festivalit ndërkombëtar të operës “Rame Lahaj”, i dirigjuar nga Vehbi Shosholli nuk ishte thjesht një koncert i të rinjve dhe fëmijëve. Publiku ka parë potencialin e investimit që po bëhet dhe, deri diku, ka mundur të lexojë të ardhmen e gjeneratës që lë jehonë edhe në skenat përtej Kosovës
Kushtet atmosferike bëjnë që koncerti në ambient të hapur të shtyhet, por kjo nuk e zbeh aspak entuziazmin e të rinjve dhe fëmijëve. Skena në ambient të hapur para Bibliotekës Kombëtare të Kosovës është nikoqire e orkestrës së fëmijëve dhe të rinjve “Amadeus”. Ata përbëjnë një pjesë të muzikantëve të rinj, te të cilët shihet potenciali i gjeneratave të reja në muzikën klasike. Skena sikur ua shton zellin. Ngjyrat përreth dhe efektet e tjera krijojnë njëfarë magjie, të cilën artistët e rinj e përjetojnë. E, koncerti si ky ka edhe një peshë tjetër: “Amadeus” ka ardhur para publikut vendor dhjetë ditë pas triumfit në Pragë ku nuk i mjaftoi vetëm “Medalja e Artë” dhe mori edhe tre çmime të tjera në “Musica Orbis Festivals”. Për vetëm një vit ky qe suksesi i tretë pas atij në Austri e në Spanjë. Mbrëmja nis me muzikantë më me përvojë, si sopranoja Ana Tafani dhe tenori Riza Jahaj. Ata vijnë si dyshe me interpretimin e “Libiamo ne’ lieti calici” nga “La Traviata” e Giuseppe Verdit. Dyshja shërben si një hyrje e zërave që aktualisht janë në perspektivë. Tafani është pjesë e Korit të Teatrit të Operës dhe Baletit në Shqipëri, ndërsa Jahaj pjesë e Korit të Filharmonisë së Kosovës. Ai shquhet për potencial dhe ngjyrim vokal. Bashkë me magjinë e një copëze nga “La Traviata”, ata sikur e akordojnë orkestrën dhe korin e fëmijëve për vazhdimin e koncertit.
“Hungarian Dance No.1 in G minor” e Johannes Brahms, e interpretuar nga Ermes Balili, vjen si një vepër që shpalos potencialin e një pianisti të ri. Balili nuk ndalet me kaq në këtë koncert në kuadër të festivalit ndërkombëtar të operës “Rame Lahaj”, të hënën mbrëma. Koncerti i titulluar “Young Classics” sjell botën e fëmijëve në muzikën klasike. Veprat e repertorit botëror, bashkë me ato të muzikës së filmave të animuar, ndërthurin të shkuarën dhe të ardhmen e gjeneratave të reja. Ekrani prapa skenës shpalos vizualisht përrallat e filmave të animuar, ndërsa muzika e luajtur krijon një kombinim ku duket sikur fëmijët dhe të rinjtë bëhen pjesë e krijimit të tyre.
“Part of Your World” nga “The Little Mermaid” e Alan Menken, e interpretuar nga Anita Kerhani, “Arabian Nights” nga “Aladdin” e Alan Menken, e interpretuar nga Elsa Halilaj, si dhe “Egmont Overture, Op. 84” e Ludwig van Beethoven si pjesë orkestrale, e kanë ngjyrosur mbrëmjen. Po ashtu edhe “Tale as Old as Time” nga “Beauty and the Beast” e Alan Menken, interpretuar nga Ana Tafani, “When You Believe” nga “The Prince of Egypt” e Stephen Schwartz0, interpretuar nga Urata Muhadri; si dhe “Heal the World” e Michael Jackson, interpretuar nga Anna Krasniqi.

Koncerti i dirigjuar nga Vehbi Shosholli nuk ishte thjesht një mbrëmje e të rinjve dhe fëmijëve. Publiku – ku padyshim dominonin familjarët e fëmijëve – ka parë potencialin e investimit që po bëhet dhe, deri diku, ka mundur të lexojë të ardhmen e gjeneratës së re.
Për dirigjentin Vehbi Shosholli, mbrëmja ka qenë një kënaqësi dhe një përvojë shumë e mirë.
Edhe
“Amadeusit” s’i mjafton vetëm e arta, vulos emrin e Kosovës edhe në Pragë
“Kësaj here koncerti ishte në ambient të hapur, gjë që ishte risi për ne. Ishte një ambient i këndshëm, pavarësisht sfidës me motin”, ka thënë ai. Programin shumëngjyrësh e ka përshkruar si sfidues, por edhe me përmbajtje të bukur.
“Programi ishte një përzgjedhje midis nesh dhe festivalit. Ata kanë kërkuar muzikë të filmit të animuar dhe jemi marrë vesh për këtë program. Programi ishte shumë i bukur edhe për orkestrantët, që kanë interpretuar vepra me të cilat janë rritur”, ka thënë Shosholli. Sipas tij, bëhet fjalë për një përvojë të jashtëzakonshme për orkestrantët e rinj.
“Jo shpesh muzikantët luajnë me zërim dhe kjo gjë i bën orkestrantët edhe më të plotësuar sa i përket përvojës”, ka thënë ai.
Sopranoja e re, Anna Krasniqi, ka thënë se është ndier tejet mirë në skenë.
“Normalisht që kishte punë dhe vështirësi gjatë provave. Por, pavarësisht gjithçkaje, jemi kënaqur së bashku me gjithë këtë mbështetje që kemi. Kënaqemi me kurajën dhe mundësinë që të interpretojmë dhe të japim më të mirën”, ka thënë ajo.
Ndërsa sopranoja Ana Tafani ka thënë se bëhet fjalë për një eksperiencë shumë të mirë, mbi të gjitha pasi kemi të bëjmë me një orkestër të përbërë nga fëmijë dhe të rinj.
Edhe
Orkestra ”Amadeus” akordohet për Pragë
“Përgëzoj ‘Amadeusin’ për gjithë iniciativën dhe platformën që kanë krijuar. Po ashtu edhe fondacionin që ka krijuar këtë bashkëpunim midis këngëtarëve të rinj dhe artistëve të vegjël. Nuk është një eksperiencë e lehtë të interpretosh në një skenë të madhe. Definitivisht është një eksperiencë që po u jepet këtyre artistëve për të shpalosur talentin, për t’u mësuar me publikun dhe për të fituar përvojë në skenë”, ka thënë ajo.
Orkestra dhe kori i fëmijëve dhe të rinjve “Amadeus” mbledh nxënës të vetë shkollës “Amadeus”, por edhe të shkollave publike, kryesisht të “Prenkë Jakovës” në Prishtinë. Dy formacionet tashmë kanë bërë emër në vend dhe edhe në platforma jashtë Kosovës, ku garojnë ose koncertojnë. Mundësia që kanë në kuadër të një festivali që mbledh emra të njohur ndërkombëtarë i bën ata të hyjnë në hartën e ngjarjeve të mëdha dhe me peshë. Në njëfarë forme i formëson për të ardhmen artistike. Ndërsa publikut të Prishtinës i jep një perspektivë të gjeneratave që, pas një kohe, pritet të dominojnë skenën vendore, me mundësi që të kenë edhe nam ndërkombëtar.