Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

Të gjitha partitë po fitojnë, e Kosova po humb

Është bërë patetike se si partitë politikë në Kosovë i lexojnë rezultatet e zgjedhjeve duke i injoruar numrat. Nëse i krahasojnë me pritjet dhe paralajmërimet, të gjitha kanë humbur. Vetëvendosje është fituese bindëse përsëri, por nëse nuk ka mundur të ketë qeveri stabile me mbi 50 për qind si do të mund ta bëjë këtë me 5 a 6 për qind më pak. Ndërsa partitë e tjera duken sikur një skuadër futbolli e cila pas humbjes 3:0 i gëzohet humbjes së radhës 3:1, sepse ka shënuar përmirësim. Tash Kosovën e pret një rund i ri i taktizimeve, kalkulimeve dhe hedhje të fajit mes partive politike për dështime. Apo ndoshta janë mbushur mend dhe në interes të vendit do të bëjnë kompromis dhe të krijojnë institucione stabile

Nuk është hera e parë, por prapëseprapë është e çuditshme se si secila parti politike në Kosovë është e kënaqur me rezultatin e zgjedhjeve dhe secili paraqitet sikur të jetë fitues i tyre. Kështu ishte edhe në dhjetor të vitit të shkuar kur po ashtu secila parti gjeti elemente për ta paraqitur veten si njëlloj fituese të zgjedhjeve, duke injoruar fuqinë e numrave dhe krahasimin me pritjet e shprehura gjatë fushatës. Dhe pas zgjedhjeve të dhjetorit u duk se Kosova po dilte nga kriza politike, se ka një qeveri shumë stabile me një shumicë të duhur në Kuvend, e gatshme për të kryer shumë detyra, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me bashkëpunimin ndërkombëtar dhe integrimet në BE. Por erdhi radha te zgjedhja e presidentit dhe këtu doli përsëri në shesh kokëfortësia që e çoi vendin përsëri në zgjedhje. E këto zgjedhje prapë sollën rezultat të ngjashëm, madje pak a shumë të njëjtë, përkundër disa lëvizjeve të vogla në përqindje. Dhe përsëri dolën liderët e partive politike për të shprehur kënaqësinë me rezultatin e tyre.

Është bërë patetike se si partitë politike në Kosovë i lexojnë rezultatet e zgjedhjeve duke injoruar numrat. Nëse i krahasojnë me pritjet dhe paralajmërimet, të gjitha kanë humbur. Vetëvendosje është fituese bindëse përsëri, por nëse nuk ka mundur të ketë qeveri stabile me mbi 50 për qind si do të mund ta bëjë këtë me 5 a 6 për qind më pak. Ndërsa partitë e tjera duken sikur një skuadër futbolli e cila pas humbjes 3:0 i gëzohet humbjes së radhës 3:1 sepse ka shënuar përmirësim. Tash Kosovën e pret një rund i ri i taktizimeve, kalkulimeve dhe hedhje të fajit mes partive politike për dështime. Apo ndoshta janë mbushur mend dhe në interes të vendit do të bëjnë kompromis dhe të krijojnë institucione stabile.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Për shkuarjen në zgjedhje fajin e kanë të gjitha partitë, ndërsa fajin më të madh e kishte Lëvizja Vetëvendosje si fituese e pakontestueshme e zgjedhjeve. Edhe kësaj radhe, Vetëvendosje e ka mbi vete përgjegjësinë për t’i krijuar institucionet dhe gjatë përpjekjeve për ta bërë këtë duhet të tregojë më shumë gatishmëri për kompromis. Në shumë vende të Evropës ndonjë partie i mjaftojnë edhe 30 për qind të votave për të qeverisur. VV-ja nuk e bëri këtë as më mbi 50 për qind për shkak të rregullimit kushtetues që e ka lidhur me zgjedhjen e presidentit. Por edhe 45 për qind sa duket se VV-ja do t’i kalojë me votat e diasporës do të duhej të ishim më se mjaft për të qeverisur. Por nuk do të mjaftojnë 61 vota sa duhet për të zgjedhur qeverinë dhe kryetarin e Kuvendit për të dalë nga ngërçi politik, pasi duhet të zgjidhet edhe presidenti apo presidentja e Republikës. Edhe VV-ja edhe të tjerat pa VV-në e kanë të ashtuquajturën “pakicën bllokuese” në Kuvend për ta bllokuar zgjedhjen e presidentit. Mjafton që 41 deputetë të mos marrin pjesë në votim për presidentin dhe vendi të shkojë përsëri në zgjedhje. Edhe pse mund të thonë se “askush nuk e do një skenar të tillë”, ai skenar i shkuarjes në zgjedhje përsëri nuk mund të përjashtohet.

Nga BE-ja dhe shtetet mike nuk do të ketë ndërhyrje as kësaj radhe, por vetëm thirrje që Kosova ta tejkalojë ngërçin politik. Do të ketë rikujtime se sa ka humbur dhe sa mund akoma të humbë Kosova nëse nuk do të ketë së shpejti institucione funksionale shtetërore.

Humbjet janë edhe në aspektin politik, sepse Kosova nuk po avancon në forcimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar, por edhe do të humbë shumë mjete financiare. Tashmë ka humbur një pjesë të konsiderueshme të mjeteve nga Plani i Rritjes me kalimin e afateve për të përmbushur kushtet. Por humbjet shumë shpejt do të llogariten me qindra miliona euro. Kjo i bën shpenzimet për zhvillimin e zgjedhjeve të duken të vogla në krahasim me mjetet që po i humb dhe do t’i humbë Kosova për shkak të procesit permanent zgjedhor. Partitë politike mund të ndihen fituese të zgjedhjeve, por Kosova do të dalë humbëse nëse ato nuk gjejnë vullnet për kompromis, i cili do ta bënte vendin me institucione stabile shtetërore. Në rrethanat e komplikuara globale, kur nuk ka më aleanca të besueshme dhe miqësi të pathyeshme, Kosova nuk e ka luksin të vazhdojë me këtë krizë politike çfarë ka pasur në dy vjetët e fundit. Miqtë ndërkombëtarë që ia duan të mirën Kosovës do të bëjnë apel për tejkalimin e kësaj situate, por këto ftesa pa një vullnet brenda Kosovës nuk do të mjaftojnë.