Bija ime, moshatare e shtetit të Kosovës, më ka mësuar që moti ta pranoja si timin këtë shtet. Për të Kosova nuk ishte asgjë abstrakte - ishte shteti ku kishte lindur, ishte përditshmëria konkrete. E sot ajo do të votojë sefte. Ndoshta unë mund t’ia jap ndonjë këshillë prindërore
Sikur të ishte njeri, Kosova e Pavarur do të kishte qenë tashmë maturante. Mbase, në të njëjtën klasë me vajzën time që pati lindur disa muaj më pas dhe nuk e kishte përjetuar kënaqësinë për ta shijuar kremten e lindjes së shtetit në atë natë të acartë që vinte e ngrohtë vetiu nga të vaktët e lumturisë.
Për ne, brezin tim, ai ishte një moment abstrakt, një zgjidhje e një intrige që e kishim jetuar si një film plot makth dhe nuk dinim t’i vinim emër. Nuk ishim mësuar me ndjesinë e të pasurit shtet.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoVajza ime, moshatare me të, ende pa arritur moshën të shkonte në shkollë, më mësoi ta pranoja si timin këtë shtet, ta doja këtë Flamur, të mbaja dorën në zemër për këtë himn. Për bijën time, Kosova nuk ishte asgjë abstrakte, nuk ishte zgjidhje e ndonjë intrige, nuk e kishte përmasën e simbolikes. Për të ishte shteti ku kishte lindur, ishte përditshmëria konkrete, ku ajo gdhin ditët, qan e qesh sipas humorit të çastit; ishte përditshmëria për të cilën kishte luftuar brezi im dhe shumë e shumë breza para tij.
E brezat kanë pasur fatet e tyre.
Gjyshi im ka lindur në Pejë, në Vilajetin e Kosovës, në Perandorinë Osmane. Xhaxhai im ka lindur në Pejë në Mbretërinë Serbo-Kroato-Sllovene. Babai im ka lindur në Mbretninë Shqiptare, kur i kishin dëbuar nga Peja. Nëna ime ka lindur në Kosovë, krahinë e Serbisë në Republikën Popullore Socialiste të Jugosllavisë, unë kam lindur në Pejë, në krahinën Socialiste Autonome të Kosovës në Republikën Socialiste Federative të Jugosllavisë. Im bir ka lindur në territorin e administruar nga UNMIK-u. E Gresa, ka lindur në Republikën e Kosovës.
Në të njëjtin vit me Republikën.
Sivjet, sefte do të mund të dalë të votojë. Një ditë pasi mbush 18 vjet.
Në jetë unë më shumë kam mësuar prej saj se ajo prej meje. Mirëpo, ndiej një obligim që përtej këshillave të zakonshme, si ato që të mos hyjë pa rend edhe nëse dikush e fton, t’ia përkujtoj disa nga gjërat që ajo i ka mësuar tërë jetën e që do të mund t’i kishte parasysh, kur të hyjë për herë të parë në dhomën e votimeve.
“Të kam mësuar të kesh mendimin tënd, të shikosh faktet dhe të kesh mendim kritik, duke u përpjekur të vëresh të mirat e të këqijat e një pohimi. Përreth do të kesh njerëz që do të të tregojnë se çfarë qenka mirë e çfarë qenka keq. Do të përballesh me slogane e narrativa. Zhurmat nuk janë argumente. Shpërfilli, bija ime. Vota nuk është akt besnikërie. Është akt gjykimi. Gjeje mendimin tënd…
Njerëzit kanë qëndrime të vetat. Disa kanë mendime, disa janë, thjesht, tifozë. Do të të duket se e kanë gabim. S’ka gjë. Do të luftojmë për të drejtën për ta pasur gabim. Do të luftojmë për të drejtën për të mos menduar si të tjerët, qoftë edhe nëse vlerësohet se e kemi gabim.
Të kesh mendim do të thotë edhe ta ndryshosh atë, nëse ndryshojnë faktet. Vetëm dogmat nuk ndryshojnë. Vota nuk është martesë. Uroj të votosh shumë e shumë herë dhe, kur të votosh, do të shohësh se mendimet mund të ndryshojnë dhe me të, edhe vota.
Kur votojmë, rrallë votojmë për veten. Votojmë për brezat që vijnë pas nesh. Brezat e mëhershëm kanë sakrifikuar dhe hedhur votat e tyre, për fëmijët, për ata që vijnë, për ata që do ta trashëgojnë atë udhë që e ka formësuar ajo votë. Librat më kanë mësuar se politika merret me emergjenca dhe kultura është një diçka që do shumë kohë për t’u formësuar. Përpiqu të mendosh jo vetëm për zgjidhjet e sotme. Ndërto parime për të ardhmen.
Para së gjithash, mos ngurro të votosh. Ta shprehësh qëndrimin tënd. Kjo votë është fjala jote, është mendimi yt. Ndonjëherë nuk ka aq rëndësi se çfarë prodhojnë emergjencat. Më e rëndësishme është se çfarë qytetareje do të jesh ti (bashkë me brezin tënd) brenda atij shteti dhe, pastaj, fryma juaj do ta prodhojë kulturën e shtetit që po piqet”.
Bija ime dhe Kosova shtet po maturohen. Mirëpo, demokracia nuk matet me vite. Matet me guximin për të qenë qytetarë. Unë mburrem me të dyja, që pa dalë rezultatet. Në emër të brezave që kanë sakrifikuar për këtë ditë.
Me fjalë të tjera: Veç voto.