Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Shtojca për Kulturë

Shtetndërtimi dhe Legjenda e Rozafës

Fëmija duke pirë qumësht nga Rozafa gjysmë e murosur

Fëmija duke pirë qumësht nga Rozafa gjysmë e murosur

Legjenda e Rozafës është një nga mitet më të njohura shqiptare, e lidhur ngushtë me ndërtimin e Kalasë së Shkodrës. Ajo paraqet një narrativë të fuqishme mbi sakrificën, ndarjen dhe themelimin e një rendi të ri shoqëror. Përmes kësaj legjende, mund të kuptohen jo vetëm aspektet mitologjike dhe kulturore, por edhe probleme të proceseve të shtetndërtimit shqiptar. Në këtë kontekst, miti i Rozafës ofron një metaforë për ndërthurjen e sakrificës personale me konsolidimin e pushtetit dhe institucioneve. Ky artikull bazohet në hulumtim në terren mbi ndërtimin e institucioneve në Kosovën e pasluftës dhe hulumtim të literaturës. Metodat e tjera të përdorura përfshijnë analizën e përmbajtjes, analizën tematike dhe analizën krahasuese

Legjenda e Rozafës

Sipas mitit, tre vëllezër nisin ndërtimin e një kështjelle, por ajo rrënohet çdo natë (Barleti, 1967) (Velaj, 2012) (Gega-Musa, 2014) (Kropej, 2011) (Halili, 2024) (Shai, 1976) (Dushi, 2018) (Fetiu, 2013) (Dushi, n.d.) (Halili, 2022a) (Dundes, 1996a) (Lluri, n.d.). Për ta zgjidhur këtë problem, një plak i urtë propozon flijimin e gruas më të re, dhe Rozafa, gruaja e vogël, pranon vullnetarisht me kusht që një sy, një gji dhe një këmbë e saj të mbeten jashtë murit, për të ushqyer fëmijën dhe për t’u kujdesur për të. Kështu, gjysma e trupit flijohet, ndërsa gjysma tjetër mbetet për të dhënë jetë. Fëmija simbolikisht trimërohet dhe bëhet mbret, duke lidhur aktin e flijimit me themelimin e pushtetit dhe strukturës së re shoqërore(Eliade, 1996) (Lincoln, 1975) (West & West, 2007) (Lincoln, 1986).

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Këtu do të flas për relevancën e kësaj legjende, e cila shpesh diskutohet në publicistikë, si një mjet për të trajtuar dështimet institucionale, si për shembull kolapsin e vitit 1997 në Shqipëri, vështirësitë e shtetndërtimit të pasluftës në Kosovë, si dhe sfidat e përsëritura në krijimin e institucioneve efektive shpeshherë pas zgjedhjeve. Analiza e legjendës zbulon një sërë pikash thelbësore që lidhen me përpjekjet moderne për shtetndërtim, duke përfshirë konfliktin midis sistemeve të vlerave, rëndësinë e kompaktit social dhe origjinën e saj si mit themelimi.

Tiparet shqiptare: vullnetarizmi dhe funksioni amësor

Një element kyç i theksuar në tekst është se legjenda e Rozafës rrëfen ndërtimin dhe rrënimin e përsëritur të kështjellës, që ndalon vetëm pas murosjes së nuses së vogël. Rrënimi i punës gjatë natës është një motiv i zakonshëm (Thompson motif D2192) i shpjeguar si mosmarrëveshje me qeniet mbinjerëzore.

Vullnetarizmi dhe ndarja funksionale janë motive unike në variantin shqiptar. Një tipar thelbësor i variantit shqiptar, i cili është përmendur shprehimisht, është se Rozafa pranon vullnetarisht flijimin, me kushtin që gjysma e trupit të saj të mos muroset, për t’u kujdesur dhe ushqyer fëmijën e saj. Ky listim i pjesshëm i trupit (syri, dora, këmba, gjiri i djathtë) e ngre aktin nga një flijim i thjeshtë themelues në një akt që garanton vazhdimësinë e funksionit amësor. Kjo dëshmohet nga rrjedhja e një substance të bardhë, e cila për shekuj besohej se kishte fuqi shëruese për nënat me probleme me gjidhënien (Sako, 1967) (Sinani, 2006) (Tirta, 2004) (Zheji, n.d.) (Murtezani, 2012) (Neziri, 2010) (Velaj, 2020). Në kuadër të shtetndërtimit, vdekja e Rozafës, me funksionin e saj jetëdhënës të vazhdueshëm, shërben si një metaforë se qëndrueshmëria e një projekti (shteti/institucioni) kërkon një sakrificë të thellë themelore.

Legjenda si rit i ndarjes

Sipas Parpulova-Gribble (1996), akti i murosjes së Rozafës mund të kuptohet si një rit ndarjeje (rit kalimi): ndarja e gruas nga familja, ndarja e fëmijës nga nëna dhe kalimi nga një rend parokial drejt një bote të re shoqërore (Parpulova, 1984). Ky ritual simbolizon jo vetëm sakrificën individuale, por edhe transformimin e shoqërisë dhe themelimin e institucioneve të reja.

Shtetndërtimi dhe rrënimi

Legjenda e Rozafës pasqyron në mënyrë simbolike sfidat e shtetndërtimit shqiptar. Pas periudhës komuniste, vendi përjetoi një tranzicion të vështirë, kulmuar me kolapsin e vitit 1997, ndërsa pas luftës në Kosovë u ndërmorën përpjekje për rindërtimin e shtetit përmes zgjedhjeve dhe institucioneve. Konfliktet e normave shoqërore, si përplasja midis universalizmit dhe parokializmit, ose midis meritokracisë dhe favoritizmit, ilustrojnë tensionin midis traditës dhe nevojës për konsolidim institucional. Në anën tjetër, besimi i ndërsjellë (apo besa) funksionon si një element kompaktues, duke ofruar stabilitet ndaj mosbesimit shoqëror (Parpulova, 1984). Në fakt, Ismail Kadare e ka identifikuar besën si një kategori morale unike të variantit shqiptar. Në vijim, do të ofroj një analizë nga perspektiva e normave sociale për të informuar të kuptuarit e sfidave të ndërtimit të shtetit dhe institucioneve.

Romuli dhe Remi duke pirë qumësht nga ujkonja

Vështirësitë e shtetndërtimit reflektojnë konfliktin midis normave universaliste (si meritokracia) dhe normave parokialiste (si favoritizmi e nepotizmi) (Bytyci, 2015). Legjenda ofron një rast studimi për këtë konflikt.

Vëllezërit e mëdhenj, me sjelljen e tyre, tregojnë vlera parokialiste, pasi e thyejnë besëlidhjen (kompaktin social) duke u treguar grave të tyre për nevojën e sakrificës. Vëllai i vogël (bashkëshorti i Rozafës) mishëron vlerat universaliste, pasi ai beson në meritokraci dhe i përmbahet marrëveshjes/besës (kompaktit social) se kushdo që do të sillte bukën për mjeshtrit do të flijohej, duke mos treguar kështu favoritizëm.

Kompakti social paraqitet si themel i dështuar. Legjenda pasqyron mosbesimin që mbizotëron në shoqëritë në tranzicion. Vëllezërit bëjnë një pakt social, por ai nuk mbijeton për shkak të mosmbajtjes së fjalës nga dy prej tyre, duke e bërë themelimin (shtetndërtimin) të pamundur pa një sakrificë të detyruar.

Analiza e legjendës thekson se suksesi i projektit kërkon një ikje nga parokalizmi që shpesh manifestohet si familjarizëm (nepotizëm). Ndarja e dhimbshme e nënës nga fëmija dhe e vëllezërve nga njëri-tjetri (në kuptimin e besëlidhjes) është pikërisht ajo që çon në suksesin e ndërtimit. Gjetjet e mia në terren dëshmojnë se është pikërisht izolimi i institucioneve nga tendencat parokialiste faktori kryesor që ndikon në ndërtimin e institucioneve efektive për shtetndërtim. Rrjetet politike dhe ndërhyrjet politike në institucione, klientelizmi/patronazhi, provincializmi dhe nepotizmi janë faktorë që pengojnë ndërtimin e institucioneve efektive. Këto fenomene vazhdojnë të pengojnë proceset e shtetndërtimit si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë.

Origjina kosmogono-sitiogonike dhe paralelizmi me Romën

Shtetndërtimi në antikitet ishte ndikuar nga përparimet në bujqësi që sidomos u ndihmuan nga klima më e favorshme në Periudhën e ngrohtë antike (Periudha e ngrohtë romake/Optimumi klimatik romak, ~300 p.e.s. deri ~ 300 e.j.). Pas Epokës së errët greke (1180-800 p.e.s.), lulëzoi kultura mikenase dhe gradualisht gjatë epokës së hekurit ndërtohen vendbanime/kështjella kodrinore në zona më veriore nga Iliria deri në Britani. Qyteti më i rëndësishëm në Iliri ishte Shkodra, prandaj nuk është befasuese që legjenda lidhet me këtë qytet dhe me një kështjellë. Legjenda e Rozafës mund të jetë miti i themelimit të Shkodrës apo shtetit ilir, i cili ka paralele me mitin (sitiogonik) të themelimit të Romës (Wiseman, 1995) (Bremmer & Horsfall, 1987) (Dumézil & Dumézil, 1980). Legjenda, duke u bazuar te teoria e Mircea Eliade, ndoshta buron nga një mit kozmogonik (krijimi i botës) nga trupi primordial i një femre. Kjo lidhet me mitologjinë e lashtë paleoballkanike të Ilirëve, Thrakëve dhe Dakëve. Dhe ka gjasa që ky mit i krijimit të ketë qenë refleks i mitit indoevropian të krijimit i ndikuar edhe nga mitologjia para-indoevropiane.

Qasja e nacionalizmit dhe e difuzionit

Për sa i përket origjinës, debati shkencor ballkanik është shpesh parokial, ku çdo shtet përpiqet të pretendojë se balada është e tyre (Dundes, 1996b) (Aleksic, 2013) (Sezgin, 2025) (Halili, 2024) (Muellner, 2018) (Augustinos, 2003) (Juric, n.d.) (Sharma, 2004) (Leszek, 2018) (Detrez, 2010). Kjo qasje supozon se legjenda ka lindur në një shtet ballkanik (varësisht prej prejardhjes së autorit) dhe është përhapur nga ai shtet te fqinjët përmes difuzionit.

Alan Dundes e ka quajtur këtë qasje si një kurth të folkloristikës nacionalistike parokiale, duke theksuar se lufta për vlerat folklorike është po aq e ashpër sa ajo për territoret. Dundes argumenton se origjina është më shumë indoevropiane, por ai supozon se përhapja në Ballkan mund të jetë realizuar nga grupet Romë/Sinti (shpesh muratorë) (Dundes, 1996a) (Neubauer, 2013) (Neubauer & Cornis-Pope, 2007) (Puchner, 2016) (Siedlecka, 2024) (Velaj, 2011) (Halili, 2022b) (Dundes, 1996b) (Aleksic, 2013) (Sezgin, 2025) (Halili, 2024) (Muellner, 2018) (Augustinos, 2003).

Ymiri duke pirë qumësht nga Audhumla (Abildgaard)

Përkrahësit e origjinës shqiptare, si Zihni Sako, theksojnë lashtësinë e legjendës së Rozafës, duke e lidhur atë me qytetin ilir të Shkodrës. Madje, ky variant konsiderohet më i vjetër se versioni serb (Zidanje Skadra), i cili përdor figura historike si vëllezërit Mrnjavčević të shekullit XIV. Duhet theksuar që te shqiptaret ka një diversitet më të madh të këtyre lloj miteve të flijimit/krijimit të botës (Flijimi në kështjella, flijimi në ura, Tomorri dhe Shpiragu, krijimi i lumit nga lotët e zanës/Ajkunës, burimi magjik në Shkodër, krijimi i formacioneve natyrore nga “ngrirja e plakës” etj.). Ndoshta edhe ky diversitet, së bashku me numrin më të madh të motiveve primordiale të ruajtura filogjenetikisht shkon në favor të një ruajtjeje më të fortë të mitit te shqiptarët. Një qasje shtresuese vë në pah se variantet që flasin për manastire e ura janë më të larguara nga origjinali në krahasim me variantin që flet për kështjellë, ku ndërtimi i një kështjelle/qytet-shteti konceptualisht është më i përafërt me krijimin e botës në mitin indoevropian.

Origjina mitologjike

Legjenda e Rozafës ka lidhje me mite kozmogonike, ku krijimi i botës (zanafilla) lidhet me trupin e një femre (Eliade, 1996). Miti i themelimit të Shkodrës dhe shtetit ilir shfaq rrënjë paleo-ballkanike dhe indoevropiane. Një analogji e njohur është miti indoevropian i Manus, i cili flijon Yemon, dhe nga trupi i tij krijohet rendi shoqëror (Lincoln, 1975) (West & West, 2007) (Mallory & Adams, 2006) (Puhvel, 1987) (d’Huy, 2025). Ky paralelizëm thekson se flijimi dhe themelimi i institucioneve janë motive të përbashkëta në mitologjitë e lashta.

Elementet e lashtësisë primordiale ruhen në variantin shqiptar. Miti ruan elemente të mundshme të miteve më të vjetra të krijimit si p.sh. mjegulla mbi Bunë dhe era që e shpërndan, gropa e dheut që mund të jetë refleks i mitit të njeriut që del nga nëntoka dhe zhytja që mund të jetë refleks i mitit të zhytësit në kërkim të dheut (Berezkin, 2007) (Berezkin, 2015) (Dundes, 1962). Motivet indoevropiane që ruhen në mit janë: flijimi vullnetar, qumështi/ushqimi i fëmijës, dhe binjakëria. Yemo domethënë binjak, ashtu si Roza & Fa janë binjake në një variant të legjendës; përpos kësaj vetëm gjysma e trupit të Rozafës flijohet, dhe fjalë gjy(s)më etimologjikisht ka prejardhje nga fjala indoevropiane yemo. Këto elemente tregojnë për vazhdimësinë e kulturës mitologjike dhe funksionin e saj në legjitimimin e strukturave shoqërore. Ndryshimi i sakrificës nga mashkull në femër, ndoshta mund të jetë ndikuar nga prania e miteve të hyjnive femërore në kulturat neolitike para-indoevropiane në Ballkan si p.sh. kultura e Vinçës nga e cila e kemi Hyjneshën në fron.

Origjina indoevropiane, modeli i Binjakut Primordial dhe rrënjët paleo-ballkanike të flijimit të Rozafës

Legjenda e Rozafës nuk shfaqet në izolim, por është një shprehje lokale e modelit narrativ të vjetër Proto-Indo-Europian (PIE) të flijimit themelues, i cili ka rrënjë në mitet kozmogonike dhe sociogonike që datojnë në periudhën para-historike.

Rrënjët indoevropiane të zanafillës përmes Flijimit (Kosmogonia)

Miti themelor indoevropian i krijimit (Kosmogonia) është i ndërtuar mbi idenë se universi dhe rendi social lindin nga akti i dhunshëm i vrasjes dhe copëtimit (dismemberment) të një qenieje parësore/primordiale. Kjo ide mbijeton në traditat letrare dhe orale të popujve të ndryshëm që flasin gjuhë indoevropiane.

Karakteristikat kryesore të mitit PIE janë: a) Qenia Binjake Primordiale (Yemo) – Figura qendrore e këtij miti është shpesh një binjak primordial, i cili flijohet nga vëllai i tij për të krijuar botën. Kjo viktimë buron nga rrënja Proto-indoevropiane (PIE) **yem-, që do të thotë "binjak". Kjo rrënjë dëshmohet në disa reflekse kryesore në mitologjitë indoevropiane, si Remus (Romak), Yama (Indian), Yima (Iranian), dhe Ymir (Gjermanik). b) Krijimi i Rregullit (Kosmogonia) – Flijimi i binjakut/qenies parësore çon në krijimin e botës dhe njerëzimit nga trupi i viktimës. Për shembull, në traditën gjermanike, Ymiri është derivati i drejtpërdrejtë i një kozmogonie PIE.

Krahasimi sitiogonik i mitit

Krahasimi i flijimit: Rozafa kundrejt Ymirit dhe Remit

Legjenda e Rozafës na vjen si një mit Sitiogonik (themelimi i një qendre/strukture), i cili ruan motivin e flijimit, por e zhvendos funksionalitetin nga krijimi universal (Kosmogonia) te zanafilla/themelimi i përqendruar në komunitet. Të shohim më poshtë krahasimin e legjendës së Rozafës me dy mite të ngjashme. Rozafa kundrejt Ymirit (Kosmogonia): Miti i Ymirit dhe Flijimi i Rozafës kanë të përbashkët temën e copëtimit (ndarjes). Sa i përket, shkallës së krijimit, miti i Ymirit çon në krijimin e Makrokozmosit (Universit). Ymiri (gjiganti primordial, që ushqehet me qumështin e lopës primordiale Audhumbla) vritet, dhe nga trupi i tij formohet bota (male, tokë, etj.). Flijimi i Rozafës me murim të gjallë ka për qëllim themelimin e një strukture të qëndrueshme. (Kalaja e Shkodrës). Rozafa gjithashtu copëtohet/ndahet (gjysma e trupit të saj), por kjo ndarje shërben edhe për një funksion amësor (ushqyerjen dhe kujdesin për fëmijën). Kështu, ndërsa te Ymiri copëtimi krijon kozmosin, te Rozafa, ndarja funksionale garanton jetëgjatësinë e themelit dhe vazhdimësinë e jetës (nëpërmjet qumështit magjik/shërues). Sikur te miti i Ymirit, numri i 3 vëllezërve është i rëndësishëm. Ymiri sakrifikohet nga 3 vëllezërit Odin, Vili dhe Ve, kurse Rozafa sakrifikohet nga tre mjeshtrit vëllezër.

Rozafa kundrejt Remit (Miti i Binjakut dhe Sitiogonia): Miti i Romulit dhe Remit romak është një shembull tjetër i qartë i trashëgimisë indoevropiane, ku themelimi kërkon flijimin e binjakut. Emri Remus (i vrarë nga Romuli) shihet nga studiuesit si një reflektim i Binjakut Primordial (I-E *Yemos). Roli i Remit është të luajë rolin e binjakut që duhet të vritet për të krijuar rendin dhe formën e botës. Vrasja e Remit shërben për të vendosur sovranitetin (Romuli bëhet themeluesi i vetëm) dhe për të vulosur shenjtërinë e murit. Shkelja e murit nga Remi (hedhja sipër tij) dënohet me vdekje për të siguruar themelin e fortë të qytetit. Të dy mitet, ai i Rozafës dhe i Romulit/Remit, janë mite themelimi (Sitiogonike). Të dy kërkojnë flijim për stabilitet, Rozafa flijohet për të ndaluar rrënimin e përsëritur; Remi vritet për të ndaluar shkeljen e themelit. Sa u përket pasojave të krijimit, në mitin e Rozafës, fëmija bëhet mbret/hero, ashtu si Romuli, duke mbijetuar flijimin, ngrihet në funksionin e sovranitetit. Gjithashtu, trupi i Romulit (pas vdekjes së tij) supozohet të jetë copëtuar në mënyrë që të krijohet rendi shoqëror romak (Sociogonia).

Vijon në numrin e ardhshëm të Shtojcës për kulturë

Bibliografia dhe pjesa e abstraktit, janë hequr nga Redaksia.