Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kolumne

BE-ja po shndërrohet në klub debati

Me ironi do të mund të pyesnim: “e çfarë do të ndodhte sikur zgjerimi të mos kishte qenë prioritet”. Realiteti se kurrë në historinë e BE-së nuk ka ndodhur të kalojnë 13 vjet pa pasur zgjerim flet më shumë se sa ka qenë ky proces prioritet sesa deklaratat politike për rëndësinë e zgjerimit si prioritet i lartë strategjik. Nëse ky është sukses i zgjerimit, atëherë nuk dimë se çfarë mund të ishte dështimi

Kanë kaluar 13 vjet prej kur për herë të fundit është zgjeruar Bashkimi Evropian. Prej kur në fillim të verës së vitit 2013, Kroacia u bë anëtarja e 28-të e BE-së, blloku nuk është zgjeruar më. Për më tepër është zvogëluar sepse nga Bashkimi Evropian është larguar Britania e Madhe çka solli tkurrjen e saj për më shumë se 65 milionë banorë dhe për disa dhjetëra miliarda euro në buxhet. Brexiti dobësoi pa dyshim BE-në ndërsa Britaninë e Madhe e bëri pothuajse irelevante në skenën globale. E ajo që dëgjuam në 13 vjet sa nuk pati zgjerim ishte se zgjerimi është prioritet, se zgjerimi forcon BE-në, është proces gjeostrategjik i cili ndërton paqen dhe prosperitetin në kontinentin e Evropës dhe e bën BE-në më të fortë në botë.

Me ironi do të mund të pyesnim “E çfarë do të ndodhte sikur zgjerimi të mos kishte qenë prioritet”.  Realiteti se kurrë në historinë e BE-së nuk ka ndodhur të kalojnë 13 vjet pa pasur zgjerim flet më shumë se sa ka qenë ky proces prioritet sesa deklaratat politike për rëndësinë e zgjerimit si prioritet i lartë strategjik. Nëse ky është sukses i zgjerimit atëherë nuk dimë se çfarë mund të ishte dështimi.
Nëse kërkojmë arsye pse s’ka pasur zgjerim mund ta gjejmë edhe te vendet kandidate të cilat nuk nxituan të kryejnë reformat dhe t’i përmbushin kushtet, por mund ta gjejmë edhe më shumë te disa vende të BE-së që sinqerisht nuk donin të ndodhte zgjerimi. Disa ishin të lodhur nga zgjerimi i madh kur në vitin 2004 përnjëherë u pranuan në BE 10 anëtarë të rinj e dy vjet e gjysmë më vonë në vitin 2007 edhe dy të tjera. Në vend të mbështetjes së madhe për zgjerimin si ideal i kësaj gjenerate për të përmbyllur procesin e bashkimit të kontinentit, nisi një skepticizëm ndaj zgjerimit, një fazë në të cilën pikërisht ky zgjerim u pa si fajtor për shumë gjëra që nuk shkonin si duhet në BE. Kur vendet kandidate nuk nxitonin me reforma atëherë nuk kishte pse të nxitonte as BE-ja. E kur pushteti në vendet kandidate dyshonte se mund të arrinin progres në procesin e anëtarësimit edhe nëse i përmbushin kushtet e kërkuara nuk nxitonin me reforma.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Tash thuhet se ka një “momentum të ri” në procesin e zgjerimit, se ai proces ka rritje të mbështetjes mes qytetarëve në vendet e tashme të BE-së dhe se së shpejti do të mund të pranohen anëtarë të rinj. Vërtet matjet e opinionit publik dëshmojnë se mbi 56% e qytetarëve të BE-së mbështesin zgjerimin. Por kjo është mesatarja në të gjithë BE-në, ndërsa në Gjermani dhe Francë akoma shumica e qytetarëve janë kundër. E këto dy vende e kanë rolin kryesor në BE, përfshirë edhe në procesin e zgjerimit. Këtë nuk e ndryshon as rritja e madhe e mbështetjes për zgjerim në Danimarkë dhe Suedi apo diku tjetër. 

As Gjermania e as Franca nuk kanë qenë miq të mëdhenj të zgjerimit. Franca kundërshtimin e ka pasur shpesh edhe publik, ndërsa Gjermania më shumë e ka bërë në mënyrë diskrete, duke folur në favor të këtij procesi, por duke mos u angazhuar në Bruksel që ky proces të avancojë. Ka pasur raste kur Gjermania ka qenë në mesin e pak vendeve që ka vendosur pengesa në avancimin e zgjerimit, duke kërkuar reforma të brendshme dhe të jashtme, rregulla më strikte dhe ndryshime të metodologjisë.

Kancelari gjerman, Merz, tash ka dalë me ide për ta avancuar statusin e tashëm të vendeve kandidate para se ato të bëhen anëtare formale të BE-së. Ai me këtë propozim e ka ndarë Ukrainën si një rast të veçantë, për të cilin propozon “anëtarësim të asocuar”, ndërsa për vendet e tjera, përfshirë ato të Ballkanit Perëndimor, ka propozuar “status vëzhguesi”. Në të gjitha rastet këto vende do të çonin përfaqësues të tyre nëpër institucionet e BE-së, do të merrnin pjesë në diskutime dhe mbledhje pa të drejtë vote, do të mund të përfitonin nga disa politika të përbashkëta, por nuk do të ishin pjesë e buxhetit të BE-së. E kjo për Gjermaninë e cila është kontribuuesja më e madhe në buxhet është më e rëndësishmja.

Kancelari gjerman këto propozime i ka bërë përmes një letre, që njihet si “non paper” dërguar presidentit të Këshillit Evropian, Antonio Kosta, presidentes së Komisionit Evropian Ursula von der Leyen dhe presidentit të Qipros, vend që deri në fund të muajit qershor e ka kryesimin e radhës të Këshillit të BE-së. Merzi e ka shfaqur bindjen se kolegët e tjerë nga vendet e BE-së do ta mbështesin këtë nismë dhe se për to do të diskutohet e debatohet ditëve, javëve dhe muajve të ardhshëm. Ai mendon se për realizimin e këtyre ideve nuk do të ketë nevojë të nënshkruhen dhe ratifikohet traktate të reja të BE-së. Dhe, thotë Merzi në letër, këto ide nuk e kanë për qëllim të zëvendësojnë anëtarësimin e plotë formal, i cili do të mbetet qëllimi kryesor i procesit.

Letra e Merzit është vetëm një prej ideve të shumta që dalin së fundi rreth zgjerimit të BE-së. Dhe duket sikur në BE qëllimisht po e shndërrojnë bllokun në një klub debati, ku dalin “ide inovative” diskutohet për to dhe asgjë nuk ndryshon. Kjo e ka bërë BE-në pothuajse të paralizuar, pa mundësi që të flasë me një zë të përbashkët për gjërat e mëdha në botë. Sepse kur në vend të një zëri ke shumë zëra atëherë nuk ke zë fare. Sot Katari, Pakistani dhe Turqia janë faktorë më të rëndësishëm në diskutimet rreth zgjidhjes së konflikteve në botë sesa BE-ja. BE-ja nuk ka rol në diskutimet për t’i dhënë fund agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, as për konfliktin mes Iranit dhe SHBA-së, as të atij mes Izraelit dhe Hezbollahut në Liban e as në Gaza. Nuk ka rol as në caktimin e çmimit të naftës dhe gazit. Natyrisht BE-në nuk do ta harrojnë, sepse ajo do të ftohet në fund ta paguajë faturën për atë që kanë bërë të tjerët. Aty ku ka rol, madje udhëheqës, nuk po tregohet e suksesshme. Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë nuk ka sjellë zgjidhje të dëshiruar dhe këtë e pranojnë në BE. Tash edhe në Bosnjë është duke u komplikuar situata. Në Serbi, BE-ja nuk ka ndikim as ndaj pushtetit e as ndaj opozitës. Potencial për rritje të tensioneve, përfshirë edhe atyre ndëretnike, po krijohet edhe në Maqedoninë e Veriut, vend i cili është dëshmia më e mirë se BE-ja nuk i përmbush premtimet e veta as kur vendi kandidat i bën të gjitha që kërkohet nga ai. E nëse BE-ja nuk është në gjendje të bëjë më shumë në oborrin e saj, në Ballkanin Perëndimor të rrethuar nga vendet anëtare (Kosova është i vetmi shtet në rajon që nuk kufizohet me BE-në), atëherë çfarë kërkon në skenën globale. Mungesa e suksesit në Ballkan është dëshmi e gabimeve, josinqeritetit, bashkëpunimit me politikanë autoritarë dhe mungesës së interesit të vërtetë. Ja, për vite njeriu kryesor për të udhëhequr angazhimin e BE-së në Ballkan ka qenë Miroslav Lajçak, për të cilin u dëshmua se ka dashuri dhe admirim për ministrin e Jashtëm të Rusisë, në kohën kur prioriteti kryesor i BE-së ka qenë luftimi i ndikimit të Rusisë në rajon.
Idetë e reja të Gjermanisë nuk i kanë entuziazmuar vendet kandidate menjëherë. Negativisht ka reaguar Ukraina, ndërsa të tjerët nuk po shprehen sepse kanë frikë të kritikojnë diçka që vjen nga Gjermania. Nuk është e qartë se pse do të mbështeste një ide të tillë një Mal i Zi që është relativisht afër për të mbyllur procesin e anëtarësimit në një periudhë 2 apo 3-vjeçare. Për të tjerët mund të jetë më interesante ndoshta kjo ide. Por nuk është e kuptueshme se çfarë do t’u sillte vendeve të rajonit pjesëmarrja në takime ku do të diskutohej për heqjen nga përdorimi të bojlerëve me naftë në vendet e BE-së nëse ata e dinë se edhe ashtu të tjerët do të vendosin në fund. Zgjerimi i BE-së më shumë sesa për ide ka nevojë për një angazhim më të madh dhe më të sinqertë politik nga vendet si Gjermania e Franca, që ky proces të rezultojë me hyrjen e vendeve të reja në të. Gjithçka që propozohet si një stad i ndërmjetëm është vetëm për ta vonuar edhe më shumë zgjerimin.