Futboll

Vetëm një pikë nga festa shqiptare në “Air Albania”

Shqipëri - Serbi

Foto: Associated Press

Shqipëria ka humbur penallti dhe disa raste të tjera të arta për të marrë vetëm një pikë nga ndeshja me Serbinë. Ndeshja Shqipëri – Serbi u zhvillua të shtunën mbrëma në “Air Albania” dhe përfundoi pa gola. I takoi kualifikimeve për Botërorin 2026.

Ashtu si pritej, atmosfera gjatë gjithë ditës ishte e zjarrtë në Tiranë. Stadiumi i bukur ishte i mbushur me shikues, e mijëra të tjerë qëndruan rrugëve të Tiranës. Në stadium nuk ishin grupet e organizuara të tifozëve, por përkrahja nuk mungoi. Nuk kishte anim të organizuar, por kishte “zjarrë” nga tribunat që megjithatë nuk u shpërblye me fitore shumë të dëshiruar.

Angazhimi i kuqezinjve në fushë megjithatë nuk ka munguar. Është luftuar për çdo top, në çdo cep të fushës, nga fillimi e deri në fund.

Në minutat e fundit të pjesës së parë, Shqipëria lëshoi rast të artë. Pasi Elseid Hysaj u pengua në zonë në mënyrë të palejuar, arbitri dha penallti. Përgjegjësinë për të goditur nga pika e bardhë e mori Rey Manaj. Por ai gjuajti plogësht dhe portieri i Serbisë e ndali gjuajtjen. Kështu pjesa e parë përfundoi 0:0. 

Shifrat nuk ndryshuan as në të dytën. Rast të mirë kishte zëvendësuesi Nedim Bajrami. Pas një pasimi të Mirlind Dakut, Bajrami ishte në pozitë të mirë por gjuajti zbehtë. Në pjesën e parë Mario Mitaj dërgoi një goditje të fortë, ndërsa tentimet tjera të kuqezinjve përfunduan si gjysmëraste.

Edhe Serbia ishte e rrezikshme, sidomos me sulmuesin e fuqishëm, Aleksandar Mitroviq, por pa konkretizuar. Herët në pjesën e dytë Shqipërinë e shpëtoi portieri Thomas Strakosha, pas një gjuajtje të saktë të Mitroviqit.

Në përgjithësi ndeshja ishte e hapur, me shumë duele, por pa raste. Dhe rrjetat mbeten të paprekura.

Nuk ka pasur ndonjë tension të madh mes lojtarëve në fushën e lojës. Por ka pasyr fyerje ndaj serbëve nga shikuesit gjatë gjithë kohës. 

Ka pasur po ashtu thirrje të zjarrta për Kosovën, UÇK-në, komandantin legjendar Adem Jashari, për Shqipërinë etnike.

Ka pasur shumë pasion e entuziazëm në tribuna, por jo edhe gola.

Festa nisi herët të shtunën, me mijëra tifozëve që mbushën rrugët e sheshet e Tiranës. Ka pasur këngë e valle, thirrje atdhedashurie, por edhe thirrje proteste ndaj FSHF-së dhe presidentit të saj, Armand Duka. 

Grupet e organizuara të tifozëve nuk ishin në stadium. Ato kanë protestuar për mënyrën se si janë ndarë biletat, me short, përkatësisht për faktin që FSHF-ja nuk u ndau bileta. Për këtë arsye animi në stadium nuk ishte i koordinuar, por përfundimisht ishte i madh.

Lexo përditësimet tjera
Shqipëri - Serbi

Vetëm një pikë nga festa shqiptare në “Air Albania”

Shqipëria ka humbur penallti dhe disa raste të tjera të arta për të marrë vetëm një...