Selektori i Serbisë, Dragan Stojkoviq, ka shpallur të martën listën për ndeshjen e 7 qershorit ndaj Shqipërisë. Ndeshja Shqipëri – Serbi zhvillohet në Arenën Kombëtare në Tiranë dhe i takon kualifikimeve për Botërorin 2026. Për Shqipërinë është ndeshja e tretë në këto kualifikime, ndërsa për Serbinë e para.
Lista e Stojkoviqit është e gjerë, ndërsa finalja do të shpallet më 30 maj. Më 2 qershor selektori serb do të flasë për media. Të njëjtën ditë bëhet grumbullimi i kësaj përfaqësuese për ndeshjet me Shqipërinë dhe atë me Andorrën, që zhvillohet më 10 qershor.
Në listën e gjerë janë 29 lojtarë, ndërsa sulmi do të udhëhiqet nga Dushan Vlahoviq i Juventusit, Luka Joviq i Milanit dhe Aleksandar Mitroviq i Al-Hilalit. Lazar Samargjiq i Atalantas është emër tjetër i njohur.
Të gjitha mediat serbe kanë shkruar se Stojkoviqi ka befasuar me listën e shpallur të martën.
“Befasia më e madhe në listë është emri i Aleksandar Katai, që është ftuar pas katër vjet e gjysmë”, shkruan “b92.net”.
34-vjeçari Katai luan për Cërvena Zvezdën dhe i ka dhjetë paraqitje për Serbinë. Gjithsej gjashtë lojtarë të Superligës së Serbisë janë në listën e gjerë për ndeshjen me Shqipërinë.
Në përfaqësuese nuk është ftuar Sergej Milinkoviq-Saviq e as vëllai i tij, Vanja. Nuk janë ftuar edhe pesë lojtarë tjerë që ishin në ndeshjet e marsit.
Në Grupin K të kualifikimeve për Botërorin që mbahet në SHBA, Meksikë e Kanada janë edhe Anglia, Letonia e Andorra. Më 21 mars, Anglia fitoi 2:0 ndaj Shqipërisë, ndërsa Letonia e mposhti 1:0 Andorrën. Më 24 mars, Shqipëria fitoi 3:0 ndaj Andorrës, ndërsa Anglia fitoi me rezultat të njëjtë ndaj Letonisë.
Anglia është favorite e madhe e grupit, ndërsa Shqipëria e Serbia pritet të luftojnë për pozitën e dytë në grup që dërgon në barazh. Shumë rëndësi në këtë garë do të ketë ndeshja e 7 qershorit në Tiranë.
Interesimi për të përcjellë nga afër ndeshjen Shqipëri – Serbi është shumë i madh. Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur që përzgjedhja e shikuesve të bëhet përmes lotarisë, ndërsa aktualisht është i hapur afati i paraqitjes së interesimit.