Futboll

Rikthimi i Asllanit në “Alte Forsterei” pas pesë vjetësh

Fisnik Asllani

Fisnik Asllani

Sulmuesi i Kosovës, Fisnik Asllani, do të ketë ndeshje të veçantë të shtunën në Bundesligë.

Me Hoffenheimin, Asllani do të luajë ndaj skuadrës ku u zhvillua si lojtar, Union Berlinit.

Ndeshja Union Berlin – Hoffenheim i takon xhiros së tretë të Bundesligës dhe nis në orën 15:30.

Për Asllanin do të jetë rikthim në stadiumin “Alte Forsterei” pas pesë vjetësh. Ai u transferua te Hoffenheimi në vitin 2020, nga të rinjtë e Union Berlinit.

23-vjeçari ka bërë karrierë si i huazuar edhe tek Austria Vjena e Elversbergu.

Për këtë ndeshje të veçantë të Asllanit, ka folur të premten në konferencën për shtyp trajneri i skuadrës, Christian Ilzer.

“Fisi është djalosh nga Berlini. Ai ka pasur kohë të mirë atje. Por tani është me ne dhe është lojtar i rëndësishëm. Në stërvitje ka qenë shumë i fokusuar dhe nuk ka shenja nervozizmi”, ka deklaruar trajneri Ilzer.

Asllani në tri ndeshjet e para të këtij sezoni me Hoffenheimin në Bundesligë dhe në Kupë të Gjermanisë, ka dy gola të realizuar e dy asistime.

Te Hoffenheimi luan edhe mesfushori i Kosovës, Leon Avdullahu. Ndërkohë, pritet të aktivizohet nga minuta e parë edhe mbrojtësi Albian Hajdari. Hajdari, që po ashtu në të ardhmen mund t’i përfaqësojë “Dardanët”, luajti për 19 minuta në humbjen 3:1 në xhiron e kaluar në shtëpi nga Eintracht Frankfurti.

“Hajdari bëri hapa para të rëndësishëm në një kohë shumë të mirë. Ai është në pikën ku po e konsiderojmë që ta nis ndeshjen nga fillimi”, ka deklaruar Ilzer.

22-vjeçari u transferua te Hoffenheimi nga Lugano, pak para se të mbyllej afati kalimtar veror.