Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
LAJMET E MBRËMJES

Osmani u drejtohet 18-vjeçarëve: Ruajtja e Kosovës është amaneti më i rëndësishëm për ju

Vjosa Osmani

Qytetarët e ardhur nga anembanë vendit patën mundësinë të shihnin nga afër pjesëtarët e Ushtrisë e të Policisë. Përveç zyrtarëve policorë e ushtarakë, qytetarëve iu prezantuan edhe armë e makineri ushtarake deri në ato më të rëndat që kanë në posedim institucionet e sigurisë së Kosovës.

Kryeqyteti ushtoi nga prania e ushtarëve e policëve të rreshtuar në nderim të ditëlindjes së 18-të si shtet i pavarur.

Qytetarëve iu prezantuan kuadratet e shumta të forcave policore e ushtarake të Kosovës, si snajperistë, kadetë, këmbësori e artileri në parakalimin që kësaj radhe u mbajt në rrugën që mban emrin e heroit “Luan Haradinaj” .

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Komandantja supreme e Forcës së Sigurisë, presidentja Vjosa Osmani, pati një porosi për të rinjtë e brezit që ka lindur bashkë me shtetin.

“Prandaj i drejtohem të gjithë qytetarëve të Kosovës, e sidomos ju të rinjve e të rejave të cilët njësoj sikur shteti ynë sivjet i bëni 18 vjet: Ruajtja e Kosovës është amaneti më i rëndësishëm për ju, pranoni me krenari flamurin tonë, mbrojeni me kujdes shtetin e demokracinë, ndërtoni me pasion të ardhmen, bëhuni të gjithë bashkë të denjë për sakrificën e atyre që vunë themelet e shtetit tonë të dashur”, tha Osmani.

Nënkoloneli i FSK-së, Vëllazrim Qerimi , tha se përvjetori i Pavarësisë është ditë reflektimi për rrugëtimin e deritanishëm dhe një zotim për të ardhmen.

“Parakalimi i Ushtrisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës është dëshmi e përkushtimit tonë për sigurinë, sovranitetin dhe shërbimin ndaj qytetarëve. Në këtë prezantim riafirmojmë përkushtimin dhe angazhimin tonë për paqe dhe stabilitet kudo në botë”, tha Qerimi.

E kryeministri Albin Kurti tha se viteve të fundit janë rritur kapacitetet mbrojtëse të vendit, tek premtoi edhe zhvillimin e industrisë ushtarake.

Ai tha se kjo bëhet në shërbim të ruajtjes së lirisë, demokracisë e sovranitetit.

“Në këtë 18-vjetor të pavarësisë mesazhi ynë është i qartë: Kosova është e lirë dhe do të jetë, Kosova është demokratike dhe do të jetë, Kosova është sovrane dhe do të jetë. Ne do të vazhdojmë të investojmë në siguri, sepse i duam jetën dhe lirinë, zhvillimin dhe begatinë të sigurta”, tha Kurti.

Deri në vitin 2018, Forca e Sigurisë e Kosovës kishte mandat kryesisht humanitar dhe civil, të fokusuar në reagim ndaj fatkeqësive natyrore, operacione kërkim-shpëtimi dhe mbështetje për komunitetin.

Me ndryshimet ligjore të miratuara atë vit, misioni dhe kompetencat e saj u zgjeruan, duke e transformuar në forcë ushtarake të rregullt me detyra të mbrojtjes territoriale dhe zhvillim të kapaciteteve mbrojtëse.