Futboll

Mitrovica ndalet në gjysmëfinale të raundit të parë kualifikues të Championsit

Mitrovica – Cliftonville

(E përditësuar në 18:38)  Mitrovica kishte epërsi 1:0 e po ashtu rast të artë për të shënuar 2:0. Por nuk e bëri këtë dhe në fund u eliminua në gjysmëfinale të raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve për futbolliste.

Kampionia e Kosovës u eliminua nga Cliftonville i Irlandës së Veriut. 

Të mërkurën pasdite në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, Cliftonville fitoi 3:1. 

Aurora Mulliqi e kaloi në epërsi 1:0 Mitrovicën në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë. Në pjesën e dytë Edona Kryeziu lëshoi mundësi të mirë, ndërsa mysafiret barazuan rezultatin në 1:1 në minutën e 84-të përmes rezervistes Carla Devine. Me rezultatin 1:1 përfundoi koha e rregullt dhe sfida u vendos në vazhdime. Devine shënoi edhe në minutën e 100-të dhe të 113-të për fitoren 3:1. 

Të tre golat e ekipit nga Irlanda e Veriut u shënuan pas goditjeve nga këndi.

Të shtunën në Prishtinë, Cliftonville luan me Lanchkhutin e Gjeorgjisë në finale të raundit të parë kualifikues. Ndërkohë Mitrovica i dha fund kampanjës evropiane që në ndeshjen e parë, ndonëse kishte synime të mëdha.


Shkon në vazhdime ndeshja Mitrovica – Cliftonville

(E përditësuar në 17:55) - Nuk ka dhënë fitues koha e rregullt e ndeshjes mes Mitrovicës dhe skuadrës nga Irlanda e Veriut, Cliftonville.

Ndeshja gjysmëfinale e raundit të parë kualifikues të Championsit po zhvillohet në Podujevë, ndërsa pas 90 minutave rezultati është 1:1. Mitrovica kaloi në epërsi në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë me golin e Aurora Mulliqit. 

Mysafiret shënuan në minutën e 84-t thuajse në rastin e parë të krijuar. Carla Devine realizoi golin.


Mitrovica në epërsi në ndeshjen e Championsit

Mitrovica ka kaluar në epërsi 1:0 ndaj Cliftonville, në ndeshjen gjysmëfinale të raundit të parë kualifikues të Ligës së Kampionëve për futbolliste.

Ndeshja po zhvillohet në Podujevë, ndërsa me 1:0 përfundoi pjesa e parë. 

Aurora Mulliqi e shënoi golin për Mitrovicën në minutën e dytë shtesë të pjesës së parë.

Cliftonville është skuadra kampione e Irlandës së Veriut.