Futboll

Dënohet me burg me kusht shikuesi që e shfaqi flamurin “Autochthonous”

Dënohet me burg me kusht shikuesi që e shfaqi flamurin “Autochthonous”

Një shikues i Shkëndijës së Tetovës është dënuar me dy vjet burg me kusht nga Gjykata Penale e Shkupit. Lajmin e ka bërë të ditur të enjten “Alsat”. Vendimi, sipas “Alsatit”, është marrë me procedurë të shpejtuar. 

Shikuesi i ekipit tetovar u arrestua nga Policia e Maqedonisë së Veriut të martën, pak para se të niste ndeshja ndërmjet Shkëndijës dhe Qarabagut të Azerbajxhanit. Ndeshja Shkëndija – Qarabag i takoi raundit të tretë kualifikues të Ligës së Kampionëve. Qarabagu fitoi 1:0 në Shkup, kurse ndeshja kthyese është pas një jave. 

“Dënimi, sipas Prokurorisë, është në bazë të veprës penale ‘nxitje të urrejtjes, përçarjes ose intolerancës në bazë kombëtare, racore, fetare”, shkruan “Alsat”.

Po ashtu, Gjykata mori vendim për ta dëbuar nga Maqedonia e Veriut, duke ia ndaluar hyrjen për pesë vjetët e ardhshëm.

Mediumi “Ekipa” ditë më parë raportoi se Policia e Shkupit e kishte arrestuar shtetasin M.M. 37-vjeçar nga republika Federale e Gjermanisë me dyshimin se ka kryer vepër penale sipas nenit 319 të Kodit Penal.

“Në motoçikletën me targa të Tetovës, të cilën e drejtonte, ai kishte një simbol që shkakton urrejtje dhe intolerancë kombëtare, fetare dhe racore. Është njoftuar prokurori publik dhe pas dokumentimit të plotë të rastit, kundër tij do të ngrihen akuza përkatëse", thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme”, shkruante në vendimin e Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë se Veriut.

“Ekipa.mk” të mërkurën raportoi se Ministria e Brendshme ka nisur procedurë, për shkak të thirrjeve “Ilirida” dhe “Shqipëria e Madhe” nga tifo-grupi “Ballistët”. Në stadiumin e Shkupit ishin të pranishëm rreth 20 mijë shikues.

Ministria e Brendshme e Maqedonisë së Veriut e ka nisur më herët një procedurë, për shkak të thirrjeve antishqiptare gjatë ndeshjes së basketbollit midis Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë në Kumanovë.

Për këtë rast, është arrestuar një person dhe janë intervistuar disa të tjerë, por ende nuk ka vendim.