Futboll

Barça luan me Bilbaon në “Camp Nou”

Barcelona shkatërron Valencian

E shtuna do të jetë e veçantë për klubin e Barcelonës.

Barça nga ora 16:15 luan me Athletic Bilbaon në stadiumin që është ende duke u rinovuar, “Camp Nou”.

Gjiganti katalunjas kthehet në “Camp Nou” pas një kohe të gjatë. Barça nuk ka luajtur në shtëpinë e saj që nga maji i vitit 2023.

Në praninë e mbi 45 mijë shikuesve, futbollistët e Barcelonës luajnë ndaj Bilbaos në kuadër të javës së 13-të të La Ligas.

Puna në stadiumin “Camp Nou” kishte nisur në qershor të vitit 2023 dhe rinovimi ka kushtuar afro 1.2 miliard euro.

Stadiumi me kapacitetin më të madh në Evropë do t’i zërë 105 mijë shikues, por për ndeshjen e së shtunës numri i shikuesve është i limituar.

Shumë prej futbollistëve aktualë të Barçës nuk kanë luajtur më parë në “Camp Nou”. Disa prej tyre janë Fermin Lopez, Pau Cubarsi, Joan Garcia e Wojciech Szczęsny. Edhe gjermani Hansi Flick do të përjetojë ndeshjen e parë si trajner i Barcelonës në stadiumin ikonik.

“Në stërvitje ndjesia ishte e pabesueshme, me të gjithë tifozët. Jemi të lumtur që po kthehemi në stadiumin tonë dhe shpresoj se kjo na jep një avantazh shtesë falë mbështetësve tanë. Ata gjithmonë na ndihmojnë dhe është e mrekullueshme të shohësh këtë lidhje midis ekipit dhe tifozëve”, u shpreh Flick në konferencë për shtyp.

Barcelona ka 28 pikë dhe e zë vendin e dytë.

Bilbao ka 17 pikë në pozitën e shtatë.

Lider është Real Madridi me 31 pikë. Reali të dielën nga ora 21:00 luan në udhëtim tek Elche, që e zë vendin e 11-të me 15 pikë.