Michal Gatchalian guxoi të fliste publikisht kundër abuzimit seksual nga një prift në Filipine. Sot ai është avokat dhe ndihmon viktima të tjera të abuzimeve.
Si shërbyes altari në fund të viteve 1990, Michal Gatchalian kalonte pothuajse çdo të diel në një bazilikë shekullore katolike romake në Cebu City, në Filipine. Aty ai njohu një prift gazmor, i cili shpesh i shëtiste djemtë me motorin e tij.
Më 11 janar 1998, prifti Apolinario “Jing” Mejorada e ftoi Gatchalianin, atëherë 17 vjeç, dhe një tjetër djalë altarësh në kinema. Sipas dëshmisë së tyre, gjatë shfaqjes prifti i ngacmoi seksualisht. Rreth 20 muaj më vonë, Gatchalian tha se Padre Mejorada e abuzoi përsëri seksualisht. Ai tregoi se ngjarja ndodhi në shtëpinë e priftit, i cili i kërkoi seks oral. Gatchalian tha se refuzoi.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoNjë muaj më vonë, ai iu ankua drejtuesve të kishës, por përpjekjet e tij nuk sollën asnjë rezultat. Për këtë arsye vendosi ta çonte çështjen në gjykatë - një veprim shumë i rrallë për atë kohë. Ai ishte ndër viktimat e pakta në Filipine që kërkoi publikisht drejtësi dhe përgjegjësi nga Kisha Katolike, shumë kohë përpara se skandalet e abuzimeve seksuale nga kleri të tronditnin botën.
Megjithatë, edhe pasi Padre Mejorada pranoi gjatë procedurave gjyqësore se kishte “prekur dhe ledhatuar” kofshët e djemve, drejtësia mbeti e paarritshme.
Sot, në moshën 45-vjeçare, Gatchalian është bërë avokat dhe ka themeluar një organizatë që ndihmon të mbijetuarit e tjerë të abuzimeve nga kleri, duke u ofruar këshillim ligjor dhe mbështetje morale. Ai është kthyer në një nga zërat më të njohur të viktimave në Filipine, ku shumë pak persona kanë guxuar të flasin publikisht.
“Pavarësisht reformave të bëra nga Vatikani, kisha këtu vazhdon të përdorë të njëjtat metoda në trajtimin e rasteve të abuzimit”, tha ai në një intervistë. “Ata fokusohen më shumë në mbrojtjen e priftit sesa të viktimës që ankohet”.
Padre Mejorada ishte pjesë e Urdhrit të Shën Augustinit, i cili luajti rol të madh në përhapjen e krishterimit në Filipine që nga shekulli XVI. Më vonë, nga viti 2001 deri në 2013, ky urdhër u drejtua nga Robert Francis Prevost, i cili sot është Papa Leo. Gjatë kohës së tij si drejtues i augustinianëve, ai i vizitoi Filipinet të paktën nëntë herë.
Padre Mejorada tashmë është përjashtuar nga priftëria (i është hequr statusi i priftit), një fakt që nuk ishte bërë publik më parë. Augustinianët refuzuan të komentojnë, por kjo u konfirmua nga dy punonjës të Bazilikës Minore del Santo Nino në Cebu, ku prifti kishte shërbyer më parë si rektor dhe ku Gatchalian kishte qenë djalë altarësh, si edhe nga një zyrtar i Konferencës së Ipeshkvijve Katolikë të Filipineve. Mendohet se ky vendim është marrë para se Leoni të bëhej papë.
Sipas organizatës amerikane BishopAccountability.org, vetëm pak priftërinj dihet se janë përjashtuar nga priftëria në Filipine.
Vatikani nuk ka bërë asnjë deklaratë lidhur me akuzat ndaj Mejoradës dhe mbetet e paqartë nëse Papa kishte dijeni për rastin e Gatchalianit. Ai nuk iu përgjigj kërkesave për koment, ndërsa vetë Mejorada nuk mundi të kontaktohej.
Rasti i Gatchalianit tregon ndikimin e madh që Kisha Katolike vazhdon të ketë në Filipine, ku rreth 80 për qind e popullsisë është katolike dhe ku kisha ushtron ndikim të fortë në politikë, në vendimmarrje shtetërore dhe madje edhe në emërimet në sistemin gjyqësor.
Në tetor të vitit 1999, Gatchalian tha se i tregoi udhëheqësit të tij shpirtëror për veprimet e Padre Mejoradës, por sipas tij, kisha nuk ndërmori asnjë hap. Sipas dokumenteve gjyqësore, Padre Mejorada i ofroi 80 mijë peso filipinase, rreth 2 mijë dollarë në atë kohë - në këmbim të premtimit se ai nuk do ta padiste. Gatchalian pranoi paratë.
Më vonë, vëllai më i vogël i priftit, At Mar Mejorada, u tha Gatchalianit dhe dy djemve të tjerë altarësh, të cilët gjithashtu kishin akuzuar priftin për abuzim seksual, se ai kishte “vendosur vullnetarisht të vazhdonte shërbesën e tij” në Afrikë. Sipas një deklarate të dorëzuar nga Gatchalian, At Mar Mejorada u ofroi atyre edhe 120 mijë peso të tjera, të cilat ata i pranuan.
Por pak kohë më pas, Gatchalian pa priftin që e akuzonte për abuzim përsëri në kishën e tyre në Cebu. I zemëruar, ai i shkroi arqipeshkvit të Cebut të asaj kohe, si edhe gazetave dhe stacioneve lokale të radios. Sipas tij, arqipeshkvi urdhëroi një hetim, por mbetet e paqartë nëse Padre Mejorada u ndëshkua ndonjëherë në atë periudhë.
Në një deklaratë të vitit 2003, Padre Mejorada pranoi se kishte “prekur dhe ledhatuar” kofshët e Gatchalianit në kinema, duke thënë se megjithëse këto ishin “veprime të gabuara dhe të turpshme”, ato nuk përbënin krim. Ai gjithashtu pranoi se në shtëpinë e tij e kishte përqafuar Gatchalianin nga pas, i kishte vendosur duart rreth barkut, e kishte puthur në qafë dhe kishte tentuar të fuste dorën brenda të brendshmeve të tij. Në atë moment, Gatchalian tha se ia kapi dorën dhe e largoi. Deklarata nuk trajtonte akuzën se prifti i kishte kërkuar seks oral.
Prokurorët refuzuan të vazhdonin hetimet ndaj ankesës së Gatchalianit, duke argumentuar se ai kishte pranuar një “shumë të madhe parash” dhe se kjo kishte dëmtuar pozitën e tij ligjore.
Gatchalian apeloi në Departamentin e Drejtësisë dhe në gjykata, por humbi vazhdimisht.
“Një shpirt rebel”
Në radio, Gatchalian dëgjonte njerëz që debatonin nëse ai e kishte “shijuar” abuzimin. Ai tregoi se, kur punëdhënësi i tij në një pikë karburanti mori vesh për rastin, e pushoi nga puna. Pas kësaj, tha se kishte menduar edhe vetëvrasjen.
Babai i tij, Faro, një misionar laik në një urdhër katolik - kujton se dikush i kishte bërtitur se ai dhe familja e tij ishin “shërbëtorë të djallit që po sulmonin kishën”.
“Kjo ishte padrejtësia më e madhe që mund të përjetonte një njeri”, tha Gatchalian.
Vitin e kaluar, organizata BishopAccountability.org publikoi një raport ku akuzonte Kishën Katolike në Filipine për krijimin e një kulture pandëshkueshmërie.
“Kur filluam të shqyrtonim rastet në Filipine, pyeta veten: ‘Kush është ky njeri dhe pse është kaq guximtar?’”, tha Anne Barrett Doyle, bashkëthemeluese e organizatës, për Gatchalianin. “Sepse ai po dilte publikisht me emrin e tij të vërtetë”.
Gatchalian pati një fëmijëri modeste në Cebu dhe familja e tij nuk kishte as televizor. Ai kujton se i pëlqente të luante “prift” me vëllain e madh, duke përdorur një kuti kartoni si tabernakull dhe feta bananeje si meshore.
Babai i tij tha se mësuesit ankoheshin shpesh sepse ai i sfidonte me pyetje.
“Ai ka atë që njerëzit e zakonshëm do ta quanin shpirt rebel”, tha i ati. “Unë e quaj një shpirt të gjallë dhe të guximshëm, por njerëzit nuk e kuptojnë këtë”.
Pas betejës ligjore kundër Padre Mejoradës, Gatchalian vendosi të studionte drejtësi. Atje ai njohu Christine Naranjon, e cila më vonë u bë bashkëshortja e tij.
Në vitin 2007, ndërsa po përgatiteshin për provimin e avokatisë në Manila, Gatchalian mësoi se Padre Mejorada po shërbente në një famulli në atë zonë. Ai tha se periudha e përgatitjes për provimin e kishte futur në një gjendje më të thellë reflektimi dhe lutjeje, gjë që e bëri ta shihte priftin si një qenie njerëzore.
Ai e mori Naranjon me vete për ta takuar priftin dhe i tha se e kishte falur.
“Kjo është diçka që unë nuk mendoj se do të mund ta bëja”, tha Naranjo, e cila sot është prokurore publike.
Çifti po i rrit dy djemtë e tyre, 11 dhe 6 vjeç, si katolikë dhe marrin pjesë çdo javë në meshë. Gatchalian tha se djalit të madh i ka treguar se kishte qenë viktimë e abuzimit seksual nga një prift.
Nuk humbet besimi
Në vitin 2017, rasti i Gatchalianit mori sërish vëmendje pasi Al Jazeera transmetoi një dokumentar ku ai përsëriste publikisht akuzat ndaj Padre Mejoradës.
Në atë kohë, Padre Mejorada po shërbente në qytetin rural të Gubatit.
Më pas, ai u përjashtua nga urdhri augustinian.
Në vitin 2020, Gatchalian bashkëthemeloi një organizatë të quajtur Catholic Independent Safeguarding Unit, e cila ofron këshillim ligjor për viktimat e abuzimeve nga kleri. Deri tani, gjashtë persona kanë kërkuar ndihmën e tij.
Jamaica Shane Abarquez Apas tha se ishte vetëm 16 vjeçe kur prifti i famullisë së saj e abuzoi seksualisht në vitin 2023. Ajo kujton se, gjatë seancave gjyqësore, besimtarë të tjerë të kishës bënin komente përçmuese ndaj saj.
Por Gatchalian ishte pranë saj.
“Do të jem ulur pranë teje gjatë gjithë kësaj kohe”, tha Apas se i kishte thënë ai. “Mbaje kokën lart. Shikoji njerëzit në sy sa herë që përpiqen të të kritikojnë”.
(Në shkurt 2024, prifti i akuzuar nga Apas u dënua me katër vjet, dy muaj dhe një ditë burg, por u lirua me kusht pas një marrëveshjeje pranimi faji. Sipas Gatchalianit, ai nuk kaloi asnjë ditë në burg.)
Në fillim të vitit 2025, Murray Heasley, një shtetas nga Zelanda e Re dhe ish-anëtar bordi i organizatës ndërkombëtare Ending Clergy Abuse, kontaktoi Gatchalianin për të diskutuar krijimin e një grupi të udhëhequr nga vetë të abuzuarit në Filipine.
“Gjithmonë kam qenë i interesuar për Michal Gatchalianin, sepse emri i tij ishte si një thirrje alarmi - i vetmi person në një vend me 100 milionë katolikë që kishte guxuar të ngrihej dhe të fliste”, tha Heasley.
Shtatorin e kaluar, Gatchalian e çoi një reporter në Bazilikën Minore del Santo Nino, ku kishte shërbyer dikur si djalë altarësh. Ai tregonte me entuziazëm kullën e kambanës, ndërsa kujtonte kohën kur ishte ftuar të binte kambanat për Festivalin Sinulog, që nderon Santo Nino de Cebun - figurën e Jezusit fëmijë me kurorë. Një djalë i ri altarësh iu afrua për ta përshëndetur.
Sipas tij, kjo ishte krejt ndryshe nga situata e dy dekadave më parë, kur rojet e sigurisë e ndiqnin në ambientet e bazilikës.
Gatchalian pyetet shpesh se si arriti të mbetej katolik edhe pas gjithë asaj që kishte përjetuar.
“Unë qëndroj, sepse kjo është mënyra ime për t’u lidhur me Zotin,” tha ai, duke shtuar se kisha mund ta braktisë nëse dëshiron. “Por nuk duhet të presin që të jem unë ai që do të largohet”.