Futboll

Atmosferë e zymtë te Serbia para “finales” me Shqipërinë

Futbollistët e Serbisë

Përfaqësuesja e Serbisë në futboll mori goditje shumë të rëndë para ndeshjes ndaj Shqipërisë, që vlerësohet vendimtare për vendin e dytë në Grupin K të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026.

Të martën mbrëma në stadiumin “Rajko Mitiq” në Beograd, Serbia u rrah keq, 5:0, nga Anglia. Nuk ndihmuan 39 mijë shikues që ishin në tribuna. Kishte fyerje ndaj Kosovës e shqiptarëve, kishte sulme ndaj tifozëve serbë nga huliganë serbë, të motivuara politikisht, por kishte turpërim për Serbinë në fushën e lojës.

“Kot fanella e katërt – për shkakun tuaj është skuqur Serbia”, është titulli i një prej shkrimeve të mediumit “b92”. “Debakël që reprezentacioni i futbollit të vendit tonë, pavarësisht si është quajtur ai, nuk mban mend në historinë njëqindvjeçare”.

Kjo paraqet më së miri gjendjen e Serbisë para ndeshjes me Shqipërinë, që zhvillohet më 11 tetor po në stadiumin “Rajko Mitiq” në Beograd.

Shqipëria të martën fitoi 1:0 ndaj Letonisë dhe e kaloi Serbinë në tabelë. Shqipëria i ka tetë pikë nga pesë ndeshje, ndërsa Serbia i ka shtatë pikë nga katër ndeshje. Anglia po marshon drejt Botërorit. Ka fituar pesë ndeshjet e deritashme dhe udhëheq në grup me 15 pikë.

Përfaqësuesja e vendit të parë kualifikohet në Botëror, ndërsa përfaqësuesja e vendit të dytë shkon në plejof. Të vetëdijshëm për forcën e Anglisë, që u dëshmua edhe të martën mbrëma në Beograd, si te Shqipëria ashtu edhe te Serbia e kërkojnë vendin e dytë në grup.

Ndaj Shqipërisë, Serbia do të jetë pa dy lojtarë të rëndësishëm. Nikola Milenkoviq u ndëshkua me të kuq në ndeshjen ndaj Anglisë dhe është i suspenduar për ndeshjen me kuqezinjtë. Sasha Lukiq do të mungojë po ashtu për shkak të kartonëve.

“E kemi përjetuar rëndë këtë humbje, sidomos unë. Më kritikoni mua, mos i prekni lojtarët. Ata kanë dhënë çdo që të mundshme. Atyre ua ngrini kokën lart. Besoj se në tetor do të jetë Serbi e re. Mua më kritikoni, nuk ka problem. Natyrisht, e pranoj edhe pakënaqësinë e njerëzve”, ka thënë selektori i Serbisë, Dragan Stojkoviq.

Zërat për shkarkimin e tij janë gjithnjë e më të shumtë. Por shumë do të varet nga ndeshja me Shqipërinë. Thirrje për largimin e Stojkoviqit kishte edhe nga tifozët gjatë ndeshjes me Anglinë. Ai është fishkëllyer po ashtu. 

Stojkoviq ka thënë se ndaj Anglisë ishin pa gjasa.

“Nuk kemi humbur nga Letonia, por nga një superfuqi e futbollit. Nuk kemi humbur nga një ekip që është në rangun tonë apo më poshtë dhe të thuhet katastrofë”, ka theksuar Stojkoviq.

Humbja nga Anglia është më e thella që Serbia e ka pësuar ndonjëherë në shtëpi. Presioni ndaj Stojkoviqit dhe lojtarëve është rritur maksimalisht. Për shkak të zhvillimeve edhe jashtë fushës dhe tensioneve politike në Serbi, atmosfera është e zymtë para “finales” me Shqipërinë. 

Shpresohet se Sylvinho dhe të përzgjedhurit e tij do ta shfrytëzojnë këtë moment. Me fitore në Beograd, Shqipëria do të bënte hap të madh drejt vendit të dytë në grup.