Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botërori 2026

Yamali tregon pse ky mund të jetë Botërori i tij

Yamal

Lamine Yamal ishte lajmi para fillimit të ndeshjes dhe dominoi llafet edhe shumë kohë pas fishkëllimës së fundit.

18-vjeçari u kthye në Atlanta me shpresën për të filluar ndeshjen e tij të parë në Kupën e Botës, pasi ishte kufizuar në vetëm 19 minuta në barazimin tronditës të Spanjës me Kepin e Gjelbër.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Selektori Luis de la Fuente këmbënguli se paraqitja si zëvendësues ishte pjesë e një plani afatgjatë, me Lamine Yamalin që ende po e menaxhonte me kujdes rikuperimin nga lëndimi në hamstring, që e pësoi në prill.

Ai megjithatë ishte mjaftueshëm i gatshëm për të filluar ndaj Arabisë Saudite të dielën. Dhe ndikimi i Yamalit ishte i menjëhershëm. Edhe para fillimit të ndeshjes, Yamali pati ndikim të jashtëzakonshëm në atmosferë. Mijëra tifozë kishin fanella me emrin e tij në shpinë. Sa herë që fytyra e supertalentit shfaqej në ekranin e madh, stadiumi gjëmonte.

Ylli i ri i Spanjës nuk e kishte prekur ende topin kur e krijoi rastin e parë. Kur e bëri, e transformoi pjesëlojën e parë.

Spanja kishte premtuar të luante me guxim, ritëm dhe pa frikë. Spanjollët e ofruan këtë në fitoren 4:0 ndaj Arabisë Saudite. Lamine Yamal ishte në qendër të të gjitha gjërave. Me Yamalin në fushë, paraqitja ishte e gjallë, e drejtpërdrejtë dhe bindëse.

“Kur është në fushë, Lamine di si të krijojë raste, si të përballet me mbrojtësit dhe ku ta marrë topin. Ai po rritet me secilën ndeshje të zhvilluar”, ka thënë Cesar Azpilicueta, ish-reprezentues i Spanjës.
I mprehtë, i patrembur dhe plot vetëbesim, Lamine Yamal i kaloi mbrojtësit me lehtësi dhe i dha jetë sulmit të Spanjës. Kishte një ndjesi të pashmangshme për atë që do të vinte më pas. Kur shpërthimi ndodhi, ai ishte aty. Nuk vonoi as goli i parë i fenomenit të ri në Kupë të Botës, ndërsa stadiumi shpërtheu në festë. Ishte superylli për të cilin ishin në stadium.

Yamali u bë lojtari i shtatë në histori që shënon në Botëror pa i mbushur 19 vjet. 

Yamali ka thyer shumë rekorde të Lionel Messit në Barcelonë dhe tani e ka tejkaluar edhe në skenën globale. Argjentinasi ishte shumë afër ditëlindjes së 19-të kur shënoi golin e parë në Botëror në vitin 2006. Spanjolli e bëri kët dy javë më i ri.

“Lamine Yamal ka ardhur në ekipin e Barcelonës dhe Spanjës dhe janë ekipet e tij. Ai është kryesori”, ka thënë legjenda angleze, Wayne Rooney.

“Të gjithë presin që ai të fitojë. Ai ishte shumë i rëndësishëm në triumfin e Spanjës në Evropian dhe do të jetë i rëndësishëm në këtë Botëror. Ai e përballon presionin në moshë kaq të re. Shpresoj që ta bëjë këtë për 15 apo 20 vjet”, ka shtuar Rooney.

Mikel Oyarzabal i shënoi dy gola për Spanjën, ndërsa asistoi për Yamalin. U bë vetëm lojtari i dytë që nga viti 1966 që u përfshi direkt në tre gola brenda 25 minutave të parë të ndeshjes në Kupë të Botës.
Ishte kontrast i plot me ndeshjen e parë, në të cilën Oyarzabali nuk e preku fare topin në 30 minutat e parë. Ishte i pari në histori të Kupës së Botës që i ndodhi kjo.

Spanja i dha fund dilemës së fituesit në pjesën e parë. Dhe Yamali u pushua në të dytën.

Te Spanja do të vazhdojnë ta menaxhojnë me kujdes gjendjen fizike të yllit të ri. Një Lamine Yamal plotësisht i gatshëm mund të jetë vendimtar në shpresat e Spanjës për titull të botës.