Presidenti dhe kryeministri i Lituanisë u dërguan me urgjencë në bunkerë nëntokësorë dhe banorët e kryeqytetit, Vilnius, u nxitën të strehoheshin gjatë një paralajmërimi të lëshuar pasi një dron shkeli hapësirën ajrore të vendit, shkruan “The Guardian”.
Trafiku ajror dhe hekurudhor në qytet dhe përreth tij u pezullua pas alarmit "strehohuni" që u dërgua nëpërmjet telefonit. Ishte alarmi i parë i lëshuar në një vend të Bashkimit Evropian dhe NATO-s që nga fillimi i pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo"Alarm për sulm ajror! Shkoni menjëherë në një strehë ose në një vend të sigurt, kujdesuni për anëtarët e familjes suaj dhe prisni udhëzime të mëtejshme", shkruhej në paralajmërimin e Ministrisë së Mbrojtjes, i cili u dërgua rreth orës 10:20 të mëngjesit të mërkurën dhe zgjati rreth një orë.
Shkollat i çuan fëmijët në strehimore të caktuara, njerëzit që ishin në zyra dhe ndërtesa apartamentesh zbritën në bodrume, dhe presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, dhe kryeministrja, Inga Ruginiene, u dërguan me urgjencë në bunkerë së bashku me anëtarët e kabinetit dhe deputetët. Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha pas alarmit se Rusia dhe Bjellorusia kishin qenë drejtpërdrejt përgjegjëse për një valë ndërhyrjesh me dronë në hapësirën ajrore të vendeve të BE-së dhe NATO-s gjatë javëve të fundit.
Bllokimi elektronik rus është fajësuar për kalimin e dronëve ukrainas në Finlandë, Estoni, Letoni dhe Lituani, të cilat kufizohen me Rusinë. Një avion luftarak i NATO-s rrëzoi një dron mbi Estoni të martën, ndërsa kryeministri i Letonisë dha dorëheqjen javën e kaluar për shkak të ndërhyrjeve.
"Kërcënimet publike të Rusisë kundër shteteve tona baltike janë plotësisht të papranueshme", tha von der Leyen në mediat sociale. "Rusia dhe Bjellorusia mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për dronët që rrezikojnë jetën dhe sigurinë e njerëzve në krahun tonë lindor."

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, tha të mërkurën se edhe nëse dronët që janë futur shtetet baltike ishin nisur nga Ukraina, ata "nuk ishin atje sepse Ukraina dëshiron të dërgojë një dron në Letoni, Lituani ose Estoni”.
“Ata janë atje për shkak të sulmit të pamatur, të paligjshëm dhe në shkallë të plotë të Rusisë", tha Rutte.
Disa anëtarë të BE-së dhe NATO-s thanë se një përgjigje më e fuqishme mund të jetë e nevojshme. Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, tha të mërkurën: "Lufta ukrainaso-ruse mund të çojë së shpejti në një situatë ku do të na duhet të reagojmë me vendosmëri".
Ushtria e Lituanisë tha se një sinjal radari "tipik i një mjeti ajror pa pilot" ishte zbuluar në hapësirën ajrore të Bjellorusisë. Vilmantas Vitkauskas, kreu i Qendrës Kombëtare të Menaxhimit të Krizave, tha se një dron ishte vërejtur në zonën e Vilniusit.
"Bazuar në parametrat që pamë, ka shumë të ngjarë të jetë ose një dron luftarak ose një dron i projektuar për të mashtruar sistemet dhe për të joshur objektivat", tha Vitkauskas. "Kundërmasat elektronike këtu nuk mund të na tregojnë nëse një pajisje shpërthyese shpërtheu apo jo".
Ministri i Mbrojtjes i Lituanisë, Robertas Kaunas, tha se droni kishte ardhur nga Letonia dhe se nuk dihej nëse ishte rrëzuar apo kishte dalë nga hapësira ajrore e Lituanisë. Avionët luftarakë të NATO-s nuk kishin qenë në gjendje ta gjenin atë, thanë autoritetet.
Ambasadori i Rusisë në OKB, Vasily Nebenzya, shkaktoi zemërim të martën duke pretenduar se Kievi së shpejti do të lëshonte dronë drejt Rusisë nga shtetet baltike dhe duke i thënë Letonisë se anëtarësimi në NATO "nuk do t'ju mbrojë nga hakmarrja".
E ministri i Jashtëm i Lituanisë, Kęstutis Budrys, të martën akuzoi Moskën për “orientimin e qëllimshëm të droneve ukrainase në hapësirën ajrore të Baltikut, ndërkohë që zhvillon fushata shpifjesh” kundër të tre shteteve baltike.
Dmitry Peskov, zëdhënësi i Kremlinit, tha të mërkurën se Ushtria ruse po “monitoronte nga afër situatën” në lidhje me dronët që fluturojnë nëpër hapësirën ajrore të shteteve baltike dhe po hartonte një përgjigje të përshtatshme.