Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë të enjten se nuk po shqyrton dërgimin e ushtarëve shtesë në Lindjen e Mesme, si pasojë e luftës në Iran.
“Ne nuk kemi plan të dërgojmë trupa”, tha ai, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetareje në Zyrën Ovale lidhur me mundësinë e dërgimit të forcave shtesë në rajon. “Edhe po të kisha plan, nuk do ta tregoja. Por nuk do të vendos trupa.”
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj KontribuoTrump foli në Shtëpinë e Bardhë gjatë një takimi në Zyrën Ovale me kryeministren e Japonisë, Sanae Takaichi.
“Reuters” kishte raportuar të mërkurën se administrata Trump po planifikonte të dërgonte mijëra ushtarë shtesë amerikanë për ta përforcuar operacionin në Iran.
Sa i përket kërkesës së Pentagonit për mbështetje prej 200 miliardë dollarësh, Trump tha se “është një çmim i vogël për t’u paguar” për të siguruar që ushtria amerikane të ketë gjithçka që i duhet për të zhvilluar luftë me Iranin.
“Ne duam të jemi në formën më të mirë, më të mirën që kemi qenë ndonjëherë. Është një çmim i vogël për t’u paguar për t’u siguruar që të qëndrojmë në nivelin më të lartë”, tha Trump.
Trump nuk ka dhënë detaje se për çfarë i nevojitet Pentagonit kjo shumë, por theksoi se dëshiron që ushtria të ketë “sasi të madhe municioni”.
Ai ka mohuar se SHBA-së po i mungojnë armët.
E sa i përket çmimit të naftës, Trump tha se kishte pritur një rritje më të madhe, duke sugjeruar se ndikimi ekonomik i luftës në Lindjen e Mesme ka qenë më i kufizuar sesa ishte parashikuar.
“Mendova se do të ishte më keq, shumë më keq”, tha ai.
Trump bën shaka për Pearl Harborin: Kush di më mirë për befasi se Japonia?
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kur u pyet nga gazetarët pse nuk i kishte njoftuar aleatët, përfshirë Japoninë, për qëllimin për ta sulmuar Iranin, u përgjigj me një shaka për sulmin japonez në Pearl Harbor gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Nuk duhet të sinjalizosh shumë. E dini, kur hymë ne, hymë shumë fort dhe nuk deshëm t’i tregonim askujt, sepse donim që të ishte befasi”, tha Trump gjatë takimit me kryeministren japoneze Sanae Takaichi. “Kush di më mirë se Japonia për befasi? Pse nuk më treguat për Pearl Harbor? Dakord?”
Trump iu referua sulmit të papritur në Pearl Harbor, ku u vranë mbi 2,400 amerikanë dhe që e shtyu SHBA-në të hynte në Luftën e Dytë Botërore në vitin 1941.
Sa i përket mbështetjes nga Japonia, Trump tha se është i kënaqur.
“Ne kemi pasur mbështetje dhe marrëdhënie të jashtëzakonshme me Japoninë për gjithçka”
Ai më pas shtoi një koment: “Ndryshe nga NATO".
Të enjten, një grup vendesh evropiane dhe Japonia lëshuan një deklaratë të përbashkët duke dënuar sulmet e Iranit ndaj anijeve tregtare në Gjirin Persik dhe mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.
Trump ka kritikuar aleatët evropianë të NATO-s që nuk po e mbështesin në sigurimin e kësaj ngushtice.
Ndërkohë, kryeministrja japoneze Takaichi ka thënë se Trump është njeriu që mund të arrijë paqe në botë.
Trump thotë se ka udhëzuar Netanyahun të mos sulmojë objektet iraniane të naftës dhe gazit
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se ka biseduar me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe e ka udhëzuar atë të ndalojë sulmet ndaj objekteve iraniane të naftës dhe gazit.
“I thashë: 'Mos e bëj këtë'”, tha Trump. “Dhe ai më tha se nuk do ta bëjë.”
Trump shtoi se nuk kishin pasur dijeni për sulmin izraelit ndaj objekteve iraniane në fushën e gazit në Parsin Jugor, e cila është rezerva më e madhe në botë e gazit natyror.
Megjithatë, një burim izraelit i ka thënë CNN-it se Izraeli e kishte kryer sulmin në koordinim me SHBA-në.