Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar se do të “shkatërrojë masivisht” fushën më të madhe të gazit në botë, South Pars në Iran, nëse vendi vazhdon sulmet ndaj Katarit në hakmarrje për një sulm izraelit në fushën e gazit.
Ai theksoi se SHBA-ja nuk dinte se Izraeli do ta sulmonte këtë pikë, derisa i ka quajtur të padrejta sulmet e Iranit në një pjesë të objektit të naftës në Katar.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Izraeli, nga zemërimi për atë që ka ndodhur në Lindjen e Mesme, ka sulmuar me dhunë një strukturë të madhe të njohur si fusha e gazit South Pars në Iran. Shtetet e Bashkuara nuk dinin asgjë për këtë sulm”, ka shkruar ai në rrjetin social.
Trump shtoi se Izraeli nuk do ta sulmonte përsëri fushën e gazit nëse Irani nuk godet një palë tjetër, derisa theksoi se në rast se e bën këtë “Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me ose pa ndihmën ose pëlqimin e Izraelit, do ta hedhin në erë masivisht të gjithë fushën e gazit South Pars me një sasi force dhe fuqie që Irani nuk e ka parë ose dëshmuar kurrë më parë”.
Garda Revolucionare Islamike e Iranit akuzoi të mërkurën SHBA-në dhe Izraelin për shënjestrimin e objekteve të saj të naftës dhe gazit, përfshirë fushën e gazit natyror South Pars, më e madhja në botë.
Irani goditi Qytetin Industrial Ras Laffan, qendrën kryesore të energjisë së Katarit, me raketa balistike disa orë pas një sulmi të mëparshëm.
Netanyahu: Izraeli s'e tërhoqi SHBA-në në luftë me Iranin
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu, në një adresim për media, ka thënë se Izraeli e SHBA-ja po veprojnë “me vendosmëri të madhe” në Iran.
Ai ka treguar tri qëllimet e Izraelit në Iran. Ka thënë se qëllimi i parë është heqja e kërcënimit bërthamor, i dyti tha se është heqja e kërcënimit të raketave balistike dhe e treta krijimi i kushteve që populli iranian “ta ketë lirinë e tij”.
Ai tha se "lufta do të zgjasë aq sa është e nevojshme”.
Netanyahu ka thënë se është shkatërruar aftësia e Iranit “në një shkallë të tillë” sa nuk mund të arrijë “atë që ka planifikuar”. Ai thotë se Irani donte të rrëzonte mijëra ndërtesa në Izrael, porse po rrëzohen në Liban e Iran.
“Ju premtoj se ne do ta ndryshojmë Lindjen e Mesme”, tha Netanyahu, duke shtuar se “Irani është më i dobët se kurrë dhe Izraeli më i fortë se kurrë”.
Ai tha se pas 20 ditësh lufte, Irani s’ka më mundësi të pasurojë uraniumin dhe as të krijojë raketa balistike.
“Ne do t’i shkatërrojmë plotësisht, të gjitha ato aftësi”, tha Netanyahu.
Netanyahu i është përgjigjur edhe pretendimeve se Izraeli e ka tërhequr SHBA-në në luftë me Iranin.
Ai i quajti lajme të rrejshme këto.
“A mendon ndonjë vërtetë se dikush mund t’i thotë presidentit Trump çfarë të bëjë?” – tha Netanyahu.
I pyetur për sulmet në fushat iraniane të gazit natyror, Netanyahu tha se “Izraeli ka vepruar i vetëm”.
“Presidenti Trump na kërkoi të përmbahemi nga sulmet e ardhshme dhe do ta bëjmë këtë”, tha ai.
I pyetur se çfarë shenja ka që regjimi Iranian “po thyhet”, ai tha se “ka shumë shenja”.
“Po punojmë për të krijuar kushte për shembjen e tij”, tha Netanyahu.
Nëse mbijeton regjimi, ai tha, se do të jetë “në pikën më të dobët”.
Dëmtohet rafineria izraelite e naftës në Haifa në një sulm iranian
Irani ka goditur me raketa rafineritë e naftës të Izraelit në qytetin verior të Haifas, por nuk ka shkaktuar “dëme të konsiderueshme”, ka thënë të enjten Ministria e Energjisë e Izraelit, transmeton “The Guardian”.
Ministri i Energjisë, Eli Cohen, tha se energjia elektrike u ndërpre për një kohë të shkurtër.
“Dëmtimi në rrjetin elektrik në veri është lokalizuar dhe nuk ishte i konsiderueshëm. Po ashtu, në sulmet në veri, nuk pati dëme të konsiderueshme në infrastrukturën izraelite”, tha cohën, transmeton agjencia “Reuters”.
Garda Revolucionare Islamike e Iranit tha se kishte synuar rafineritë e naftës në Haifa, qytetin e tretë më të madh të Izraelit, dhe në Ashdod, në jug të Izraelit.
Po ashtu tha se u goditën nga raketa të sakta edhe një sërë qendrash ushtarake.
Kryeministrja japoneze sjell “propozime specifike” për ta qetësuar tregun global të energjisë
Kryeministrja japoneze Sanae Takaichi para takimit me presidentin e SHBA-së, Donald Trump, të enjten në Shtëpinë e Bardhë, ka thënë se ka sjellur “propozime speficike” për t’i qetësuar tregjet globale të energjisë, që janë trazuar nga lufta në Lindjen e Mesme, transmeton “CNN”.
“Pres me padurim diskutimin tonë, duke u përqendruar veçanërisht në bashkëpunimin tonë në sigurinë ekonomike, në fusha të rëndësishme si energjia dhe mineralet e rralla të tokës”, tha Takaichi për gazetarët në Zyrën Ovale para takimit me Trumpin. “Solla propozime specifike për t’i qetësuar tregjet globale të energjisë”.
Trumpi thotë se s’do të dërgojë trupa shtesë në Lindjen e Mesme
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka thënë të enjten se nuk po shqyrton dërgimin e ushtarëve shtesë në Lindjen e Mesme, si pasojë e luftës në Iran.
“Ne nuk kemi plan të dërgojmë trupa”, tha ai, duke iu përgjigjur pyetjes së një gazetareje në Zyrën Ovale lidhur me mundësinë e dërgimit të forcave shtesë në rajon. “Edhe po të kisha plan, nuk do ta tregoja. Por nuk do të vendos trupa.”
Trump foli në Shtëpinë e Bardhë gjatë një takimi në Zyrën Ovale me kryeministren e Japonisë, Sanae Takaichi.
“Reuters” kishte raportuar të mërkurën se administrata Trump po planifikonte të dërgonte mijëra ushtarë shtesë amerikanë për ta përforcuar operacionin në Iran.
Sa i përket kërkesës së Pentagonit për mbështetje prej 200 miliardë dollarësh, Trump tha se “është një çmim i vogël për t’u paguar” për të siguruar që ushtria amerikane të ketë gjithçka që i duhet për të zhvilluar luftë me Iranin.
“Ne duam të jemi në formën më të mirë, më të mirën që kemi qenë ndonjëherë. Është një çmim i vogël për t’u paguar për t’u siguruar që të qëndrojmë në nivelin më të lartë”, tha Trump.
Trump nuk ka dhënë detaje se për çfarë i nevojitet Pentagonit kjo shumë, por theksoi se dëshiron që ushtria të ketë “sasi të madhe municioni”.
Ai ka mohuar se SHBA-së po i mungojnë armët.
E sa i përket çmimit të naftës, Trump tha se kishte pritur një rritje më të madhe, duke sugjeruar se ndikimi ekonomik i luftës në Lindjen e Mesme ka qenë më i kufizuar sesa ishte parashikuar.
“Mendova se do të ishte më keq, shumë më keq”, tha ai.
Trump bën shaka për Pearl Harborin: Kush di më mirë për befasi se Japonia?
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kur u pyet nga gazetarët pse nuk i kishte njoftuar aleatët, përfshirë Japoninë, për qëllimin për ta sulmuar Iranin, u përgjigj me një shaka për sulmin japonez në Pearl Harbor gjatë Luftës së Dytë Botërore.
“Nuk duhet të sinjalizosh shumë. E dini, kur hymë ne, hymë shumë fort dhe nuk deshëm t’i tregonim askujt, sepse donim që të ishte befasi”, tha Trump gjatë takimit me kryeministren japoneze Sanae Takaichi. “Kush di më mirë se Japonia për befasi? Pse nuk më treguat për Pearl Harbor? Dakord?”
Trump iu referua sulmit të papritur në Pearl Harbor, ku u vranë mbi 2,400 amerikanë dhe që e shtyu SHBA-në të hynte në Luftën e Dytë Botërore në vitin 1941.
Sa i përket mbështetjes nga Japonia, Trump tha se është i kënaqur.
“Ne kemi pasur mbështetje dhe marrëdhënie të jashtëzakonshme me Japoninë për gjithçka”
Ai më pas shtoi një koment: “Ndryshe nga NATO".
Të enjten, një grup vendesh evropiane dhe Japonia lëshuan një deklaratë të përbashkët duke dënuar sulmet e Iranit ndaj anijeve tregtare në Gjirin Persik dhe mbylljen e Ngushticës së Hormuzit.
Trump ka kritikuar aleatët evropianë të NATO-s që nuk po e mbështesin në sigurimin e kësaj ngushtice.
Ndërkohë, kryeministrja japoneze Takaichi ka thënë se Trump është njeriu që mund të arrijë paqe në botë.
Trump thotë se ka udhëzuar Netanyahun të mos sulmojë objektet iraniane të naftës dhe gazit
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka thënë se ka biseduar me kryeministrin e Izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe e ka udhëzuar atë të ndalojë sulmet ndaj objekteve iraniane të naftës dhe gazit.
“I thashë: 'Mos e bëj këtë'”, tha Trump. “Dhe ai më tha se nuk do ta bëjë.”
Trump shtoi se nuk kishin pasur dijeni për sulmin izraelit ndaj objekteve iraniane në fushën e gazit në Parsin Jugor, e cila është rezerva më e madhe në botë e gazit natyror.
Megjithatë, një burim izraelit i ka thënë CNN-it se Izraeli e kishte kryer sulmin në koordinim me SHBA-në.
Aeroplani ushtarak amerikan F-35 bën ulje emergjente, dyshohet se u dëmtua nga zjarri iranian
Një avion luftarak amerikan F-35 bëri ulje emergjente në një bazë ajrore amerikane në Lindjen e Mesme, pasi u godit nga ajo që besohet të ketë qenë zjarr iranian, kanë thënë dy burimeve të njohura me çështjen, raporton CNN.
Kapiteni Tim Hawkins, zëdhënës i Komandës Qendrore të SHBA-së, tha se avioni “i padukshëm” i gjeneratës së pestë po “fluturonte në një mision luftarak mbi Iran” kur u detyrua të bënte një ulje emergjente. Hawkins tha se avioni u ul në mënyrë të sigurt dhe incidenti po hetohet. 0
“Avioni u ul në mënyrë të sigurt, dhe piloti është në gjendje stabile”, shtoi Hawkins. “Ky incident po hetohet”.
Nëse konfirmohet, atëherë do të ishte hera e parë që Irani ka goditur një avion amerikan në luftën e nisur në fund të shkurtit. Si SHBA ashtu edhe Izraeli po përdorin F-35 në këtë konflikt; avion që kushton mbi 100 milionë dollarë.
Ulja emergjente vjen ndërkohë që zyrtarë të lartë amerikanë vazhdojnë të pretendojnë sukses të gjerë në fushatën kundër Iranit. Sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, tha të enjten në mëngjes se SHBA-ja “po fiton në mënyrë vendimtare” dhe se mbrojtja ajrore e Iranit është “sheshuar”.
Pentagoni kërkon 200 milionë dollarë shtesë për luftën ndaj Iranit
Pentagoni po kërkon 200 miliardë dollarë fonde shtesë për luftën në Iran, ka bërë të ditur për AP-në një zyrtar i lartë i administratës.
Departamenti ia dërgoi kërkesën Shtëpisë së Bardhë, sipas zyrtarit, i cili ka folur në kushte anonimiteti.
Kërkesa është një shifër jashtëzakonisht e lartë dhe vjen përveç financimit shtesë që Departamenti i Mbrojtjes mori vitin e kaluar në projektligjin e madh të uljes së taksave të presidentit, Donald Trump.
Kongresi po përgatitet për një kërkesë të re për shpenzime, por nuk është e qartë nëse Shtëpia e Bardhë e ka transmetuar kërkesën për shqyrtim. Nuk është e qartë nëse kërkesa për shpenzime do të ketë mbështetje.
Kërkesa e re për financim u raportua për herë të parë nga The Washington Post. I pyetur për shifrën në një konferencë për shtyp të enjten, sekretari i Mbrojtjes, Pete Hegseth, nuk e ka konfirmuar drejtpërdrejt shifrën, duke thënë se mund të ndryshojë.
"Duhen para për të vrarë të këqijtë", ka thënë Hegseth.
Lufta SHBA-Izrael ka nisur më 28 shkurt dhe nuk ka ndonjë shenjë se ajo mund të përfundojë së shpejti.
Bota duhet ta falënderojë Trumpin, thotë shefi i Pentagonit
Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth thotë se sulmet me raketa balistike iraniane dhe sulmet me dron njëkahëshe kundër forcave amerikane kanë "rënë me 90% që nga fillimi i konfliktit".
Ai ka thënë të enjten në një konferencë për media se “puna e fundit që dikush në botë dëshiron tani” është një udhëheqës i lartë brenda ushtrisë iraniane, duke i quajtur ato "punë të përkohshme".
SHBA-ja, thotë ai, ka dëmtuar ose fundosur të paktën 120 anije detare iraniane, me flotën e tyre sipërfaqësore "që nuk është më një faktor" dhe nëndetëset e tyre "janë zhdukur".
"Një regjim i tillë, që refuzon të braktisë ambiciet e tij bërthamore, nuk është vetëm një problem rajonal, është një kërcënim i drejtpërdrejtë për Amerikën, për lirinë dhe për qytetërimin", ka thënë Hegseth për Iranin.
Ai ka vazhduar duke thënë se "bota, Lindja e Mesme, aleatët tanë mosmirënjohës në Evropë, dhe madje edhe segmente të shtypit tonë duhet t'i thonë një gjë presidentit Trump - 'faleminderit'".
Këto janë vendet e vetme të NATO-s që e mbështesin Trumpin për Iranin
Presidenti amerikan, Donald Trump, e ka pranuar këtë javë se "shumica" e anëtarëve të NATO-s kanë thënë se do të qëndrojnë jashtë luftës SHBA-Izrael me Iranin.
Deri më tani, siç shkruan Forbes, të vetmit anëtarë të NATO-s që kanë dalë në mbështetje të sulmeve SHBA-Izrael ndaj Iranit janë Republika Çeke, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Lituania dhe Letonia.
Forbes përmend këtu edhe Kosovën, e cila nuk është anëtare e NATO-s.
Të tjerë, përfshirë Danimarkën, Finlandën dhe Luksemburgun, kanë mbetur neutralë në mendimet e tyre për sulmet, ndërsa kanë lëshuar kritika ndaj regjimit iranian.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama:
“Ne mbështesim Shtetet e Bashkuara në mbështetjen ushtarake të Izraelit sot nën udhëheqjen e presidentit Donald Trump”, ka shkruar ai në një postim në X më 28 shkurt, ditën e parë të sulmeve, duke dënuar “agresionet kibernetike” të Iranit kundër Shqipërisë, e cila ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin në vitin 2022 pas një sulmi të madh kibernetik ndaj qeverisë shqiptare.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani:
Duke ripostuar fjalimin fillestar të Trumpit për sulmet e 28 shkurtit, Osmani ka shkruar në X: “ora e lirisë ka ardhur për popullin e Iranit, falë udhëheqjes së Shteteve të Bashkuara dhe presidentit DonaldTrump,” duke shtuar: “ne do të vazhdojmë të mbështesim veprimet e ndërmarra nga Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tjerë për t’i dhënë fund regjimit iranian dhe për t’i dhënë më në fund një shans lirisë dhe paqes.”
Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Timčo Mucunski:
“Ne qëndrojmë përkrah aleatëve tanë amerikanë në përballjen me kërcënimet destabilizuese në Lindjen e Mesme,” shkroi ai në X, duke shtuar: “Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë se diplomacia është gjithmonë opsioni i parë – por parandalimi mbetet thelbësor kur ekzistojnë rreziqe të besueshme.”
Këshilltari kryesor për politikën e jashtme i presidentit të Lituanisë, Gitanas Nauseda:
“SHBA-ja dhe Izraeli vepruan drejt” duke sulmuar Iranin pasi “Irani nuk mori parasysh kërkesat e SHBA-së për të ndaluar pasurimin e uraniumit dhe prodhimin e armëve bërthamore”, ka thënë ai për Televizionin dhe Radion Kombëtare të Lituanisë, duke e quajtur këtë një “çështje të pashmangshme.”
Presidenti i Letonisë, Edgars Rinkēvičs:
“Në një masë të madhe, ky operacion është pasojë e asaj që Irani ka bërë për dekada”, ka thënë ai në një konferencë për shtyp më 3 mars, duke shtuar se preferon diplomacinë, por “diplomacia do të ketë vend vetëm në momentin kur Irani të heqë dorë nga çdo plan për zhvillimin e një programi bërthamor ushtarak… duke marrë parasysh të gjitha këto aspekte, operacioni që po kryhet aktualisht nga SHBA-ja dhe Izraeli është i kuptueshëm”.
Kryeministri i Republikës Çeke, Andrej Babiš:
“Programi bërthamor i pakontrolluar i Iranit dhe mbështetja për terrorizmin janë një rrezik për ne dhe për gjithë Evropën”, duke shtuar në një postim në X se “Republika Çeke qëndron përkrah aleatëve tanë dhe besoj se stabiliteti dhe paqja do të mbizotërojnë së shpejti në rajon”.
Irani sulmon rafineritë e naftës në Arabinë Saudite dhe Kuvajt
Arabia Saudite ka njoftuar se një dronë ka goditur të enjten rafinerinë “Samref” të vendit në qytetin portual të Yanbu, në Detin e Kuq.
Ministria Saudite e Mbrojtjes ka njoftuar se është duke u vlerësuar shkalla e dëmit pas sulmit.
“Samref” është një sipërmarrje e përbashkët midis gjigantit të naftës së mbretërisë Saudi Aramco dhe ExxonMobil që përpunon më shumë se 400,000 fuçi naftë në ditë.
Sulmi në rafinerinë e Arabisë Saudite vjen ndërsa dronët goditën gjithashtu dy rafineri nafte në Kuvajt.
Korporata e Naftës së Kuvajtit, ka thënë se sulmi me dronë shkaktoi zjarr në rafineritë Mina Al-Ahmadi dhe Mina Abdullah por fatmirësisht nuk pati të lënduar.
Rafineria Mina Al-Ahmadi është një nga më të mëdhatë në Lindjen e Mesme, me një kapacitet prodhimi nafte prej 730,000 fuçish në ditë.
Për shkak të sulmeve iraniane në vendet e gazit natyror në Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe çmimet globale të naftës kanë shënuar rritje në 114 dollarë për fuqi, nga 73 dollarë sa ishte në fillim të konfliktit.
Irani po hakmerret për shkak të sulmit izraelit të së mërkurës në fushën e tij të gazit natyror South Pars në Gjirin Persik.
VIDEO:
BREAKING: Fire at Kuwait’s Shuaiba oil refinery after reported Iranian drone strike. Kuwait is now the third Gulf state to have energy infrastructure hit in 24 hours, after Qatar’s Ras Laffan LNG terminal and UAE’s Habshan gas facilities. pic.twitter.com/1vyDLWwxW5
— Conflict Alarm (@ConflictAlarm) March 19, 2026
Sulmet në objektet energjetike në Katar dhe Iran rrisin çmimet e gazit në Evropë e Britani
Çmimi i gazit është rritur ndjeshëm në Mbretërinë e Bashkuar dhe Evropë pas një sulmi iranian ndaj kompleksit energjetik Ras Laffan të Katarit.
Në një postim të bërë së fundmi në rrjetet sociale, Donald Trump e ka paralajmëruar Iranin kundër sulmeve të mëtejshme në Katar, pas "dëmeve të gjera" në objektet atje.
Presidenti amerikan ka thënë gjithashtu se SHBA-ja "nuk dinte asgjë" për sulmin e Izraelit në fushën e gazit South Pars në Iran të mërkurën.
South Pars i Iranit është pjesë e fushës më të madhe të gazit natyror në botë, teksa edhe Katari edhe Irani operojnë në zonë.
Trumpi ka kërcënuar se do ta “shkatërrojë masivisht” South Pars nëse Irani vazhdon sulmet ndaj Katarit në hakmarrje për një sulm izraelit në fushën e gazit.
“Izraeli, nga zemërimi për atë që ka ndodhur në Lindjen e Mesme, ka sulmuar me dhunë një strukturë të madhe të njohur si fusha e gazit South Pars në Iran. Shtetet e Bashkuara nuk dinin asgjë për këtë sulm”, ka shkruar Trumpi në Truth Social.