Botë

Trump diagnostikohet me probleme të lehta në venat e këmbëve

Donald Trump

Foto: Associated Press

Presidenti amerikan Donald Trump është diagnostikuar me një gjendje të zakonshme dhe të padëmshme të venave, e njohur si qarkullim i dobët i gjakut në këmbë (insuficiencë venoze kronike), pasi kishte vërejtur ënjtje të lehta në këmbë. Lajmin e ka konfirmuar të enjten zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt.

Sipas qendrave mjekësore “Johns Hopkins” dhe “Cleveland Clinic”, kjo gjendje ndodh kur venat e këmbëve nuk arrijnë të rikthejnë në mënyrë efikase gjakun drejt zemrës, një dukuri e zakonshme te personat mbi moshën 70 vjeç.

Presidenti, i cili është 79 vjeç, iu nënshtrua një kontrolli të plotë shëndetësor, përfshirë ekzaminime të avancuara të enëve të gjakut, pas ënjtjes që kishte vërejtur në javët e fundit. Rezultatet nuk treguan shenja të problemeve më serioze si mpiksje gjaku (trombozë) apo sëmundje të arterieve.

“Presidenti u vlerësua tërësisht nga njësia mjekësore e Shtëpisë së Bardhë, si masë paraprake. U kryen ekzaminime të shumta, përfshirë ultrazërit venoz të të dyja këmbëve, dhe u konstatua kjo gjendje e zakonshme dhe jo e rrezikshme”, deklaroi Leavitt, duke lexuar një letër nga mjeku personal i presidentit.

Ajo shtoi se Trumpi gjithashtu i është nënshtruar analizave të gjakut, kontrollit të funksioneve të organeve dhe një ekokardiograme, të gjitha me rezultate brenda vlerave normale. Zemra, veshkat dhe funksionet e tjera jetësore janë vlerësuar në gjendje të mirë.

Ajo theksoi se, përveç ënjtjes, janë vërejtur edhe disa shenja të lehta mavijosjeje në dorën e presidentit, por pa ndonjë ndikim të rëndësishëm mjekësor.