Një grup prej 57 vendesh, përfshirë të gjithë anëtarët e NATO-s, që po ndihmojnë Ukrainën, takohen sot në Bruksel për rundin e fundit të koordinimit se si ta ndihmojnë më mirë Kievin në luftën e tij të vazhdueshme kundër pushtimit rus.
Takimi vjen një ditë pasi Ukraina sulmoi me eksplozivë të vendosur nën ujë, urën e Kërçit të ndërtuar ilegalisht, e cila lidh gadishullin e Krimesë me Rusinë.
Projekti i rëndësishëm i Vladimir Putinit është goditur me më shumë se një ton metrikë eksplozivë, ka bërë të ditur të martën shërbimi i sigurisë SBU i Kievit.
Por agjencia e lajmeve Reuters raporton se sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth nuk do të marrë pjesë në takimin e Grupit të Kontaktit për Mbrojtjen e Ukrainës sot, ndonëse ai parashihet që të marrë pjesë në një takim të NATO-s të enjten.
Mungesa e tij është e fundit në një seri hapash që Uashingtoni ka ndërmarrë për t'u distancuar nga përpjekjet e Ukrainës për të sprapsur pushtimin në shkallë të plotë të Rusisë, i cili filloi më 24 shkurt 2022.
Ndërkohë, Ukraina dhe Rusia kanë mbajtur të hënën rundin e dytë të bisedimeve për fundin e luftës, që ka përfunduar vetëm me një marrëveshje për lirimin e 6.000 trupave të ushtarëve të vrarë në luftë.
Po ashtu, në bisedimet që janë mbajtur në Stamboll të Turqisë, Ukraina ka pranuar nga Rusia të ashtuquajturin memorandum, i cili përmban kushtet e paqes, e për të cilin paka ukrainase ka thënë se do t’i duhet një javë për ta shqyrtuar.
Ukraina ia ka dorëzuar Rusisë kornizën e kushteve të saj paraprakisht.