Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Senati miraton 70 miliardë dollarë shtesë për zbatimin e politikave të emigracionit të Trumpit

senati

Senati i Shteteve të Bashkuara i ka dhënë një fitore të rëndësishme politike presidentit Donald Trump, duke miratuar në orët e para të së premtes një projektligj që parashikon 70 miliardë dollarë shtesë për Departamentin e Sigurisë Kombëtare (DHS), me qëllim forcimin e kontrollit të emigracionit dhe deportimeve.

Projektligji u miratua me 52 vota pro dhe 47 kundër. Asnjë senator demokrat nuk e mbështeti, ndërsa një republikan votoi kundër, raporton Reuters.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Republikanët akuzuan demokratët se po përpiqen të “dobësojnë” agjencitë federale të emigracionit, si Shërbimi i Emigracionit dhe Doganave (ICE) dhe Patrulla Kufitare. Demokratët kundërshtuan këtë pretendim, duke theksuar se këto agjenci kanë ende rreth 100 miliardë dollarë fonde të pashpenzuara nga një paketë e mëparshme financimi e miratuar vitin e kaluar.

Tani projektligji i kalon Dhomës së Përfaqësuesve për shqyrtim përfundimtar, por udhëheqësit republikanë kanë bërë të ditur se votimi nuk pritet të zhvillohet para javës së ardhshme.

Debatet në Senat nuk u përqendruan vetëm te emigracioni. Demokratët dhe disa republikanë propozuan amendamente që synonin të ndalonin përdorimin e fondeve federale ose donacioneve private për ndërtimin e një salle luksoze vallëzimi prej 90 mijë metrash katrorë në kompleksin e Shtëpisë së Bardhë, një projekt që mbështetet nga Trumpi. Megjithatë, këto propozime nuk morën mbështetjen e nevojshme.

Një tjetër pikë e debatit ishte krijimi i një fondi të ashtuquajtur “anti-armatim” (anti-weaponization fund), i cili do të mund të përdorej për t’i kompensuar aleatët politikë të Trumpit që pretendojnë se janë trajtuar padrejtësisht nga institucionet shtetërore. Demokratët e kanë cilësuar këtë fond si një “arkë financiare politike” për mbështetësit e presidentit. Edhe ky amendament dështoi të miratohej.

Ngjarja nxori në pah tensionet e brendshme mes republikanëve, të cilët përballen me sfida politike ndërsa afrohen zgjedhjet e ndërmjetme të Kongresit në nëntor.