Botë

Rruga e çrregullt e Merzit drejt pushtetit vë në dyshim qeverinë e re gjermane

Friedrich Merz

Foto: Associated Press

Dita kur lideri i ri i Gjermanisë mori zyrtarisht detyrën, tani do të mbahet mend përgjithmonë për një dështim shumë publik.

Humbja fillestare, shokuese e Friedrich Merzit, në përpjekjen e tij për t'u bërë kancelar, shkaktoi orë të tëra pasiguri kaotike.

Një njeri që kishte punuar për të projektuar forcën dhe qëllimin, në vend të kësaj u zhyt në ndarje politike.

Merz mund të ketë fituar në përpjekjen e dytë, por rruga e rrëmujshme drejt pushtetit shtron pyetje serioze për qeverinë e ardhshme.

Nëse ai nuk mund të mblidhte votat mes kolegëve të koalicionit në një moment kaq kyç, çfarë do të ndodhë në momentin kur përpiqet të kalojë ndonjë ligj të diskutueshëm.

E gjithë kjo vjen pasi Gjermania përballet me një recesion të zgjatur, argumente të ashpra mbi emigracionin, vendime potencialisht sizmike për shpenzimet e mbrojtjes dhe një forcë politike të ekstremit të djathtë në rritje.

Por aleatët e Merzit këmbëngulin se situata mund të rikuperohet shpejt dhe hedhin poshtë idenë se Merz ka dalë i dëmtuar në mënyrë të pariparueshme.

"Tani ne po shohim përpara”, thotë Gunther Krichbaum, një veteran i Partisë Demokristiane (CDU) dhe ministri i ri i Gjermanisë për Evropën.

"Kështu që unë mendoj se do të kemi një qeveri shumë, shumë të mirë dhe gjithashtu të qëndrueshme”, ka thënë ai për BBC. "Kjo nuk është e nevojshme vetëm për Gjermaninë, por edhe për Evropën”, ka shtuar ai.

Aleatët e Berlinit mezi kanë pritur për të parë një administratë efektive, pas përplasjeve që karakterizuan qeverinë e fundit, koalicioni i së cilës ishte shembur në fund të vitit të kaluar.

Por Merzi tani niset për udhëtimet e tij të planifikuara në Varshavë dhe Paris të mërkurën, nën hijen e një të marte të trazuar.

Ka shumë spekulime se cilët deputetë, në votimin e fshehtë, nuk e mbështetën Merzin në rundin e parë, dhe pse.

Njerëz të pakënaqur, është një teori.

A vendosën anëtarët brenda socialdemokratëve të qendrës së majtë (SPD) se duhej të protestonin kundër kompromiseve politike të arritura me partinë e qendrës së djathtë të Merzit?

Apo Merzi i çiltër, dhe zëvendëskancelari ambicioz i SPD-së Lars Klingbeil, luftuan për të mbledhur radhët e tyre?

Të dyja palët ishin të etur për të sugjeruar se tjetra ishte kryesisht fajtore.

Kushdo qofshin deputetët që nuk e kanë votuar Merzin në rundin e parë të martën, ata duket se janë të gatshëm të rrezikojnë ta bëjnë Merzin dhe bashkëpunëtorët e tij të djersiten.

Ndërkohë “Alternativa për Gjermaninë” (AfD), e cila ka paditur shërbimin e brendshëm të inteligjencës gjermane për klasifikimin e partisë si ekstremiste, e pa nga afër të gjithë shfaqjen.

Pas zgjedhjeve të shkurtit, AfD-ja është partia kryesore e opozitës dhe kritikoi ngjarjen si dëshmi e dobësive themelore brenda një koalicioni të përbërë nga partitë e qendrës së djathtë CDU/CSU dhe SPD-ja e qendrës së majtë.

"Është shumë e qartë se kjo qeveri... do të jetë një qeveri shumë, shumë e paqëndrueshme”, thotë Beatrix von Storch, nënkryetarja e grupit të AfD-së.

Ajo gjithashtu i bëri jehonë pretendimeve se ishte e gjitha provë e mëtejshme se i ashtuquajturi "muri i zjarrit” i mosbashkëpunimit me partinë e saj nuk do të zgjasë.

“Kjo ka treguar se ky mur zjarri duhet të bjerë nëse doni të keni një ndryshim në politikën në Gjermani”, tha von Storch për BBC.

Teksa e gjithë kjo po zhvillohej, në galerinë e vizitorëve të Reichtagut po qëndronte rivalja e vjetër politike e Merzit nga CDU-ja, ish-kancelarja Angela Merkel.

Një herë ai humbi me të në një luftë për pushtet, por u kthye më vonë në politikë, për të provuar dhe realizuar ëndrrën e tij të kahershme për të marrë postin e lartë.

Kjo nuk mund të ketë qenë mënyra në të cilën Merzi e parashikoi hyrjen në detyrë.

Por, më e rëndësishmja, spektakli i së martës, i bën pretendimet e tij për të qenë gati për të ofruar një qeveri të fortë, të minuara ndjeshëm që në ditën e parë.