Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Arbëri

Qytetarët në pritje për kompensim, për dëmet nga përmbytjet

Demet ne Kuzmin

Foto: Driton Paçarada

Megjithëqë kanë kaluar katër muaj që nga vërshimet e janarit, shumë familje janë në pritje të kompensimit për dëmet që u janë shkaktuar. Institucionet ende nuk e kanë një bilanc të saktë të dëmeve. E për ta bërë këtë, në Komisionin Qeveritar për Vlerësimin e Dëmeve nga Fatkeqësitë Natyrore thanë se po i presin raportet përfundimtare edhe nga disa komuna

Katër muaj pas vërshimeve të 7 dhe 8 janarit, institucionet shtetërore ende nuk e kanë një shifër të saktë për vlerën e përgjithshme të dëmeve që u janë shkaktuar qytetarëve.

Njëri prej atyre që pret përgjigje nga komuna për kompensimin e dëmit është Zenel Daqaj, nga Hasi i Prizrenit.

Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.

Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.

Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo

Ai thotë se vërshimet nga shirat e dendur të fillimvitit i kanë shkaktuar mbi 5 mijë euro dëme.

“Rreth 4-5 mijë euro dëme, ndoshta edhe më shumë, por përafërsisht, sa i kam shkruar e që i kam rregulluar. Kanë ardhur disa prej komune, edhe na thoshin pse nuk i ke qitur drutë në foto... Unë po të mund t’i qitja në foto nuk do të kisha thënë ty... që m’i ka marrë se ato drutë, i pat marrë uji teposhtë, qysh me i qit në foto”, ka thënë Daqaj. “Ne mezi kemi shpëtuar vetë. Jo ku është komuna, e sene, i bënin disa pyetje që nuk bëhen. Me pritë presim prej shteti ose komune nëse bëhet për krejt këto familje që kanë qenë të prekura përreth, nëse jo nuk kemi çka të bëjmë”.

Daqaj theksoi se vërshimet e janarit nuk ishin e para herë që pronës së tij iu shkaktuan dëme, porse shtoi që asnjëherë nuk është kompensuar.

“Megjithëse nuk është hera e parë, na ka ndodhur edhe në 2020, 2021, nuk kemi pasur kurrfarë ndihme as ma të voglën, por për tash shpresojmë”, ka thënë ai.

Prizreni është një prej komunave që ende nuk ia ka dorëzuar Komisionit Qeveritar për Vlerësimin e Dëmeve nga Fatkeqësitë Natyrore, raportin e dëmeve. Lidhur me këtë, në komunë nuk iu përgjigjën pyetjeve të KOHËS.

E, kryesuesi i Komisionit qeveritar, Kastriot Lajqi, e arsyetoi mungesën e një pasqyre të plotë mbi dëmet me mosdorëzimin e raporteve përfundimtare nga disa komuna.

“Deri më tani, komunat që i kanë sjellë raportet përfundimtare për vërshimet që kanë ndodhur në vitin 2026 janë: Komuna e Kamenicës, Gjilani, Fushë Kosova, Suhareka, Drenasi, Rahoveci, Klina, Malisheva, Deçani, Kaçaniku dhe Shtimja, ndërsa komunat e tjera nuk i kanë sjellë ende raportet përfundimtare”, ka thënë Lajçi. “Ne nuk mund të japim ndonjë prononcim përfundimtar, sepse nivelet komunale ende nuk e kanë përfunduar raportin e përgjithshëm për vlerësimin e dëmeve”.

Para një muaji, në Asociacionin e Komunave të Kosovës bënë të ditur se, bazuar në raportet fillestare të disa komunave, vlera financiare e dëmeve ka arritur deri në 8 milionë euro.

Më së shumti dëme ka pësuar Komuna e Gjakovës, rreth 2.7 milionë euro, e pasuar nga Drenasi, me mbi 1.5 milion euro. Në Pejë, Rahovec dhe Mitrovicë dëmet janë vlerësuar të jetë nga rreth 800 mijë euro, në Klinë mbi 650 mijë euro, ndërsa në Malishevë, rreth 540 mijë euro.