Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, JD Vance, tha se bombardimet amerikane ndaj objekteve bërthamore në Iran ishin “sukses”, por ka sugjeruar se rreth 400 kilogramë rezerva të uraniumit të pasuruar të Iranit, që janë afër të nivelit që duhet për prodhim të armës bërthamore, mbetën të paprekura, transmeton "The Guardian".
Duke folur për “Fox News”, Vance tha se vendndodhja e uraniumit nuk është pyetja, por pyetja është se: “A mund ta pasurojë Irani uraniumin në nivelin e armëve dhe a mund ta shndërrojë atë karburant në armë bërthamore?”
Rezervat e uraniumit besohet se ndodheshin kryesisht në Isfahan, që strehon një strukturë që e kthen uraniumin në formën që mund të futet në centrifuga për pasurim.
Shefi i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara për Energji Atomike, Rafael Grossi, tha në ditët e fundit se rezervat janë zhvendosur. Inspektorët e tij nuk kanë qenë në gjendje t’i vizitojnë vendet bërthamore iraniane që nga fillimi i luftës.
SHBA-ja bombardoi të shtunën objektet bërthamore në Fordow, Natanz dhe Isfahan, në përpjekje për ta shkatërruar programin bërthamor të Iranit.
Por, raportohet sugjerojnë se pavarësisht dëmtimeve masive fizike të vendeve bërthamore, rezervat e uraniumit mund të jenë zhvendosur diku tjetër.
“Qëllimi ishte të varrosej uraniumi dhe unë mendoj se uraniumi është varrosur”, tha Vance.
Për SHBA-në, ai tha se qëllimi i bombardimit ishte “të eliminonte pasurimin dhe t’i eliminonte aftësitë e tyre për ta kthyer atë karburant të pasuruar në një armë bërthamore”.
“Ne nuk duam që ai uranium i pasuruar 60 % të bëhet uranium i pasuruar 90%. Ky është shqetësimi i vërtetë”, tha Vance.
Por, Vance insistoi se nuk ishte shqetësim që Irani mund t’i ketë zhvendosur rezervat dhe pretendoi se bombardimi përfaqësonte “mision të suksesshëm”. Ai tha se Irani më nuk ka kapacitetet për ta kthyer rezervën në uranium të gradës së armëve bërthamore.
“Ky ishte vërtetë qëllimi”, tha Vance.
