Rusia pesimiste për kohëzgjatjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Iranit

27 min. më parë / 24 qer 2025 11:28
Lavrov

Ministri i Punëve të Jashtme i Rusisë, Sergei Lavrov, ka thënë të martën se Moska zyrtare e mbështet armëpushimin e arritur ndërmjet Izraelit dhe Iranit, porse është e vështirë të konstatohet se mund të zgjasë, ka raportuar Reuters.

“Është shumë e vështirë të nxirren përfundime tani për tani”, është shprehur Lavrov, në reagimin e parë të shtetit rus ndaj marrëveshjes së armëpushimit të ndërmjetësuar nga presidenti amerikan, Donald Trump.

“Por, pasi që është shpallur, ka pasur raportime për sulme, për shkëmbime të sulmeve mes Izraelit dhe Iranit. Rrjedhimisht, të mos dalim në përfundime që bazohen vetëm në informacione të pjesshme”, ka shtuar ai.

Rusia, e cila ka nënshkruar një marrëveshje të partneritetit strategjik me Republikën Islamike të Iranit në fillim të vitit, i ka dënuar sulmet e Izraelit dhe të SHBA-së kundrejt bazave bërthamore dhe ushtarake të vendit persik, tek i ka kualifikuar ato si ilegale dhe të paprovokuara.

Nga ana tjetër, Irani është kundërpërgjigjur duke sulmuar qytetet izraelite dhe së fundmi bazën ushtarake amerikane në Katar.

Irani mohon ta ketë shkelur armëpushimin

1 o. më parë / 24 qer 2025 10:30
Irani

Media shtetërore iraniane i ka mohuar akuzat e zyrtarëve të lartë izraelitë sa u përket pretendimeve për shkeljen e armëpushimit mes dy vendeve, ka transmetuar BBC.

Në njoftimin e transmetuesit publik, akuzat e lartcekura janë hedhur poshtë, dhe se është bërë e ditur se s’janë lëshuar raketa në drejtim të Izraelit, pas hyrjes në fuqi të armëpushimit.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka deklaruar të martën se i ka urdhëruar Forcat Mbrojtëse të Izraelit që “t’i përgjigjen fuqishëm shkeljes së armëpushimit nga ana e Iranit, me sulme intenzive kundrejt shënjestrave të regjimit në zemër të Teheranit”.

Izraeli e akuzon Iranin për shkelje të armëpushimit, zotohet për kundërpërgjigje të fuqishme

2 o. më parë / 24 qer 2025 09:42
Izrael-iran

Në ushtrinë izraelite kanë njoftuar të martën se janë identifikuar raketa të lëshuara nga Irani, dy orë pasi armëpushimi i shpallur nga presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka hyrë në fuqi, raporton AP.

Ministri izraelit i Mbrojtjes, Israel Katz, ka deklaruar të martën se i ka urdhëruar Forcat Mbrojtëse të Izraelit që “t’i përgjigjen fuqishëm shkeljes së armëpushimit nga ana e Iranit, me sulme intenzive kundrejt shënjestrave të regjimit në zemër të Teheranit”, ka raportuar BBC.

Sipas ushtrisë izraelite, sistemet e mbrojtjes ajrore janë “në funksion për të ndërprerë kërcënimin”, teksa qytetarëve u është kërkuar të futen në strehimore dhe të qëndrojnë aty deri në njoftimin e radhës.

Detajet mbi sulmin e raportuar me raketa mbeten ende të paqarta, kurse nuk ka konfirmim nga ana e Iranit për këtë sulm.

Ky zhvillim ka ndodhur pasi zyrtarët izraelitë kanë deklaruar se e kanë pranuar armëpushimin.

Më herët, ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Aragchi, ka thënë se vendi i tij do të ndalojë sulmet me kushtin që Izraeli të veprojë njësoj.

Pas armëpushimit, të gjithë po e shpallin fitoren

2 o. më parë / 24 qer 2025 09:34
trump

Photo: Associated Press

Vetëm disa orë pas hakmarrjes së mirë planifikuar nga Irani ndaj sulmeve ajrore në shkallë të gjerë në objektet bërthamore, presidenti amerikan shpalli armëpushim mes Izraelit dhe Iranit pas 12 ditëve luftë.

Të gjithë po e shpallin fitoren. Të dyja palët kanë arsye që ta respektojnë armëpushimin.

Izraeli po e feston suksesin e fushatës për të dëmtuar kapacitetin bërthamor dhe ushtarak të Iranit dhe vrasjes së zyrtarëve të lartë ushtarakë dhe shkencëtarëve iranianë.

Gjithashtu ia doli ta bindë Trumpin të bëjë atë që disa presidentë amerikanë kanë refuzuar më herët.

Armëpushimi do ta heq presionin nga izraelitët pas pothuajse dy vitesh luftë, derisa konflikti kundër Hamasit në Gaza po vazhdon pa një plan të qartë daljeje, duke u lejuar autoriteteve të rihapin ekonominë e vendit.

Për Iranin, kjo do të thotë lehtësim për një popullsi që ishte nën bombardime pothuajse të vazhdueshme, me dhjetëra mijëra njerëz të zhvendosur. Tani, ka një rrugë të gjatë për të rindërtuar disa nga ato që janë shkatërruar, përfshirë infrastrukturën thelbësore, jo një detyrë e lehtë për një vend në një krizë të thellë ekonomike dhe nën sanksione të rënda ndërkombëtare.

Izraeli konfirmon armëpushimin

3 o. më parë / 24 qer 2025 08:23
Netanyahu dhe Trumpi

Photo: Associated Press

Qeveria e Izraelit ka deklaruar se është pajtuar me propozimin e presidentit amerikan Donald Trump për armëpushim me Iranin.

Në një deklaratë thuhet se: “Izraeli do të përgjigjet fuqishëm nëse armëpushimi prishet”.

Qeveria izraelite ka thënë se është pajtuar me propozimin e armëpushimit pasi ka arritur "objektivat” e  sulmeve në Iran.

Sipas deklaratës, Izraeli ka hequr “kërcënimin e dyfishtë ekzistencial” të Iranit nga armët bërthamore dhe raketat balistike.

Gjithashtu thuhet se Izraeli “i ka shkaktuar dëme të rënda udhëheqjes ushtarake dhe ka shkatërruar dhjetëra objektiva qendrore të qeverisë iraniane”.

Deklarata vazhdon duke thënë se forcat izraelite, në ditën e fundit, kanë “goditur rëndë objektiva qeveritare në zemër të Teheranit, duke eliminuar qindra operativë të Basij” - një milici që qeveria iraniane shpesh e përdor për të shtypur protestat - dhe duke “eliminuar një tjetër shkencëtar të lartë bërthamor’.

“Izraeli falënderon Presidentin Trump dhe Shtetet e Bashkuara për mbështetjen e tyre në mbrojtje dhe pjesëmarrjen e tyre në eliminimin e kërcënimit bërthamor iranian”, shton deklarata.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka konfirmuar se Izraeli ka pranuar marrëveshjen e armëpushimit me Republikën Islamike të Iranit në koordinim me presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, raporton AP.

Netanyahu ka thënë në orët e vona të së hënës se i kishte raportuar kabinetit të sigurisë së Izraelit, që vendi i ka arritur të gjitha objektivat e tij ushtarake në operacionin 12-ditor kundër Iranit.

Sipas tij, Izraeli gjithashtu ka dëmtuar lidershipin ushtarak të Iranit, disa objekte qeveritare dhe ka arritur të kontrollojë hapësirën ajrore të Teheranit.

Trump: Armëpushimi hyri në fuqi, mos e shkelni

3 o. më parë / 24 qer 2025 08:02
Donald Trump

Photo: Associated Press

Presidenti amerikan, Donald Trump, ka shkruar në mëngjesin e së martës se armëpushimi mes Izraelit dhe Iranit tani ka hyrë në fuqi.

“Ju lutem mos e shkelni”, ka shkruar ai në “Truth Social”.

Në orët e para të së martës, presidenti amerikan shpalli armëpushimin në disa afate kohore e deri në përfundim të operacioneve në zhvillim.

Izraeli akoma nuk e ka pranuar publikisht propozimin e Trumpit për armëpushim. Ndërkohë televizioni shtetëror iranian ka thënë se armëpushimi “i është imponuar” Izraelit.

Po ashtu televizioni shtetëror iranian ka raportuar se Irani ka lëshuar “serinë e fundit të raketave” drejt Izraelit para se armëpushimi të hyjë në fuqi. E Izraeli ka njoftuar nga vala e raketave janë vrarë të paktën katër persona.