Vrasja e vitit 2021

Dënohen me nga 10-15 vjet burgim prindërit e adoleshentit që vrau katër nxënës në SHBA

SHBA

SHBA

Foto: Associated Press

Prindërit e Ethan Crumbleym, adoleshentit nga Michigani i Shteteve të Bashkuara, i cili vrau katër nxënës në të shtënat masive të vitit 2021 në shkollën e mesme të Oksfordit, janw dënuar të martën me nga 10-15 vjet burgim secili.

James dhe Jennifer Crumbley janë shpallur fajtorë për vrasje nga pakujdesia. Prokurorët kanë zbuluar se ata injoruan nevojat e shëndetit mendor të djalit të tyre dhe blenë armën që ai e përdori në sulmin e vitit 2021, raporton BBC.

Mendohet se kjo është hera e parë që prindërit e një fëmije që kreu vrasje masive janë vënë përgjegjës për rastin.

Djali i tyre, Ethan, ishte 15 vjeç kur vrau studentët Tate Myre, 16 vjeç; Hana St Juliana, 14 vjeçe; Madisyn Baldwin, 17 vjeçe dhe Justin Shilling, 17 vjeç, me një pistoletë gjysmë automatike në shkollën e mesme të Oksfordit. Si pasojë e të shtënave të plagosur mbetën edhe shtatë nxënës të tjerë. 

Ethan është dënuar me burgim të përjetshëm dhe po e vuan dënimin pa lirim me kusht. 

Ditën e të shtënave, prindërit qenë të thirrur në një takim në shkollë për të biseduar rreth një vizatimi shqetësues që kishte bërë djali i tyre. Por në vend të kësaj ata vendosën të shkonin në punë dhe të mos e merrnin në shtëpi djalin.

Më pas stafi i shkollës e dërgoi atë në klasë pa ia kontrolluar çantën e shpinës, në të cilën gjendej arma që kishin blerë prindërit e tij vetëm disa ditë para sulmit.