Në një kohë kur Filharmonia e Kosovës po sjell përherë vepra të paeksploruara të repertorit botëror, Brahmsi është i pashmangshëm. Vlerësohet të jetë romantik në ndjenjë e klasik në formë. Me “Koncerti i dyfishtë në a-mol”, Nil Kocamangil në violonçel dhe Visar Kuçi në violinë, “inskenojnë” me tinguj një lloj dialogu që ka për bazë një rrëfim nga biografia e kompozitorit të madh. “Simfonia nr.2 në d-dur”, është një udhëtim magjepsës në peizazhe. Dirigjenti rumun Artun Hoinic ka thënë se të punosh me muzikën e Brahmsit duhet seriozitet maksimal. Solistët dhe Filharmonia e kanë dëshmuar këtë
“Koncerti i dyfishtë në a-mol” dhe “Simfonia nr.2 në d-dur”, kanë qenë veprat me të cilat Filharmonia e Kosovës ia ka dedikuar koncertin njërit prej emrave më të shquar të muzikës klasike, Johannes Brahmsit. Çdo notë e së parës flet me gjuhën muzikore të kompozitorit dhe ka kuptim. E dyta jo thjesht harmonike, por thellësisht emocionale. Nën drejtimin e dirigjentit rumun Artun Hoinic dhe me solistë violonçelisten turke Nil Kocamangil dhe Visar Kuçin në violinë, Filharmonia e ka kthyer në ritme literaturën e njërit prej figurave më të rëndësishme të Romantizmit.
Në një kohë kur Filharmonia e Kosovës po sjell përherë vepra të paeksploruara të repertorit botëror, Brahmsi është i pashmangshëm. Vlerësohet të jetë romantik në ndjenjë e klasik në formë. Ndonëse në muzikën e tij emocionet janë intensive, ato janë të përmbajtura. Ai përdor ngjyra të thella harmonike por edhe të errëta dhe kjo ka qenë e dallueshme në koncertin ku Filharmonia ka sjellë dy prej veprave madhore të tij në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë.
Rrëfimi muzikor ka nisur me “Koncertin e dyfishtë në a-mol, op.102”. Si në aspektin muzikor e edhe në kuptimin e shprehjes nëpërmjet saj ka shumë tipare. Violina me solist koncert-mjeshtrin e Filharmonisë së Kosovës, Visar Kuçin dhe me violonçelin në të cilin luan turkja Nil Kocamangil janë instrumentet solo. Në rolet e tyre nuk ka hierarki. Asnjëri nuk dominon, por zhvillojnë dialog të vazhdueshëm, shpesh si debat e herë-herë si pajtim. Kjo ngase Brahms e shkroi veprën si gjest pajtimi me violinistin hungarez Joseph Joachim, i cili ishte mik i tij për 30 vjet.
Violinisti Kuçi, duke paralelizuar historinë personale me ndërtimin e veprës, ka thënë se supozohet që violonçeli është Brahmsi ndërsa violina është Joachim.
“Kjo vepër është shumë specifike sepse Brahms kur e ka shkruar e ka pasur për qëllim të pajtohet me shokun e tij violinist me të cilin i ka shkruar të gjitha veprat tjera. Për shtatë vjet kanë qenë shumë të hidhëruar për arsye shumë personale dhe në momentin që Brahms ka dashur të ofrohet sërish me të, e ka shkruar këtë koncert për violonçel dhe violinë si dialog. Në një mënyrë supozohet që violonçeli është Brahmsi ndërsa violina është Joseph Joachim, një ndër violinistët më të mirë të të gjitha kohërave. Të gjitha veprat e Brahmsit për violinë i ka ndihmuar t’i shkruajë”, ka shpjeguar Kuçi.

Duke qenë se Brahms deri në atë kohë i kishte shkruar të gjitha veprat për violinë me ndihmën e mikut të tij, sipas Kuçit “Koncerti i dyfishtë” është vepër më specifike.
“Kjo është posaçërisht më specifike dhe me kërkesa më të mëdha sepse e ka shkruar vetëm dhe ia ka ofruar pastaj Joachimit që ta luajë. Ai e ka luajtur me një violonçelist shumë të mirë të asaj kohe por prapë se prapë shoqëria e tyre asnjëherë nuk u kthye në të vjetrën. Ky koncert është shumë specifik, historia dhe gjithçka”, ka treguar Kuçi.
Kur publiku është shumë pranë solistëve e formacionit të orkestrës, ndodh që të dëgjojë çdo lëvizje të instrumentit. Jo veç tinguj. Kuçi ka thënë se është shumë e vështirë të interpretohet në kushte të tilla, jo veç si solist, por edhe si pjesë e Orkestrës. Paraprakisht si solist me Filharmoninë e Kosovës pati interpretuar në mars të 2023-tës ku bashkë me pianisten e re, Vesa Berisha, nën shoqërim të Orkestrës, patën sjellë “Koncertin për violinë nr. 1 në D-dur, Op 19” të Sergei Prokofiev, në kuadër të atij që Filharmonia e pati quajtur “Vit i Rexho Mulliqit” për nder të kompozitorit të shquar shqiptar.
“Është shumë e vështirë në këto kushte të performohet sepse akustika nuk ta bën punën më të lehtë siç do të duhej, por ta bën më të vështirë. Shpresoj që do të ndodhë diçka dhe do të ndërrojë diçka sa më shpejt. Kur them shpejt, po shpresoj që për nja dhjetë vjet do ta kemi një sallë, e nëse nuk ndodh atëherë është ngadalë”, ka thënë koncert-mjeshtri i Filharmonisë së Kosovës.

Vepra është pak virtuoze, por shumë komunikuese dhe e thellë. E pjesët orkestrale nuk janë thjesht shoqëruese. Siç ka thënë violonçelistja turke Nil Kocamangil, Orkestra është pjesë e dialogut si ndërmjetësuese të dy instrumenteve solo.
“Vepra është shumë e veçantë. Në çdo kohë të saj ndiej se është më shumë sikur një simfoni. Je shumë e lidhur me Orkestrën, nuk është sikur interpreton solo dhe Orkestra të shoqëron. Por je bashkë me të. Ka momente dramatike, pastaj romantike apo pastorale. Brahms i shkruan të gjitha këto sikur një simfoni. Është shumë kënaqësi ta performojmë këtu për të parën herë këtu me këtë orkestër të mrekullueshme”, është shprehur ajo.
Ka thënë se kompozitori ka ndërtuar lidhje të mira midis dy instrumenteve.
“Nganjëherë vepra nuk është shumë e rehatshme teknikisht për violonçelin. Edhe pse nuk është shumë e vështirë, por nganjëherë thjesht nuk është e përshtatshme. Kompozitori ndërton lidhje të mira me violinën dhe patëm një dialog shumë të mirë. Nganjëherë jep solo ku instrumenti luan i vetëm dhe mendoj që kjo është gjeniale”, ka shpjeguar ajo duke bërë me dije se Brahmsi është prej kompozitorëve më të dashur për të.
“Një ndër kompozitorët e preferuar dhe më të dashur të mi. Përherë jam e lumtur të performoj ndonjë prej veprave të tij, e sidomos këtë. Performohet rrallë dhe tani që e interpretova me Visar Kuçin, violinist i madh, dhe gjithë Orkestrën, ishte fantastike”, ka thënë Nil Kocamangil, një nga violonçelistet kryesore të gjeneratës së saj. Që nga koncerti i saj i parë si soliste në moshën 15-vjeçare ka interpretuar veprat më të rëndësishme të repertorit për violonçel me orkestra si Orkestra Simfonike Shtetërore e Selanikut, Orkestra Simfonike Shtetërore e Stambollit e shumë të tjera.

Ajo ka qenë violonçelistja e parë turke që studioi dhe u diplomua në konservatorin “Superieur de Musique et de Dans de Paris”. Midis gjashtë violonçelistëve të zgjedhur ka pasur mundësinë gjithashtu të punojë me violonçelistin e famshëm francez Gautier Capuçon në “Classe d'Excellence de Violoncelle” në fondacionin “Louis Vuitton Paris” midis viteve 2014 dhe 2015.
Në “Allegro”, “Koncerti i dyfishtë” është serioz, dramatik, me hyrje të pazakontë ku violonçeli dhe violina paraqesin temën që në fillim. Në “Andante” është lirik, i qetë, pothuajse meditativ me ngjyrim intim. Në “Vivace con troppo” vepra merr energji me elemente ritmike popullore.
Në pjesën e dytë të koncertit është interpretuar “Simfonia nr.2 në d-dur, op.73”. Ka sjellë ton të ngrohtë, të qetë dhe harmonik duke shpalosur ndjesinë e të vështruarit peizazhe natyrore, të qenit në paqe e rrethuar me rrjedhshmëri melodike. Temat janë të gjata e me lëvizje të buta me plot momente melankolie e tensioni përbrenda. Instrumente si korno dhe klarineta janë tejet të buta te frymorët.
Në “Allegro non troppo” është e qetë dhe me hyrje të butë. “Adagio non troppo” është serioze dhe reflektuese. “Alleretto grazioso” ka elegancë ndërsa “Allegro con spirito” vjen me tis triumfues.

Dirigjenti rumun Artun Hoinic ka thënë se të punosh me muzikën e Brahmsit duhet seriozitet maksimal.
“Brahms është kompozitor shumë romantik sikurse edhe krijimtaria e tij që i përket periudhës së Romantizmit. Të luash muzikën e tij kërkon përherë seriozitet dhe në të njëjtën kohë muzika ka fraza dhe forma të gjata në kuptimin muzikor. Është shumë e rëndësishme që orkestra të mbajë këto fraza të bashkuara”, ka thënë ai.
Ka bashkëpunuar për të parën herë me Filharmoninë e Kosovës.
“Jam shumë i lumtur të jem në Kosovë sepse është një mjedis shumë shoqëror. Provat dhe koncerti kanë shkuar shumë mirë. Pati shumë energji të cilën e ndjeva nga Orkestra dhe organizimi ishte shumë i mirë. Kaluam shumë mirë në Kosovë”, ka thënë Artun Hoinic, dirigjent i Operës dhe Baletit Shtetëror të Ankarasë.
Në vitin 2009, ai u pranua në konservatorin shtetëror “Tchaikovsky” të Moskës, një nga shkollat më prestigjioze në botë, në klasën e dirigjentit dhe pedagogut legjendar, Genadi Rozhdestvensky. Në vitin 2013 përfundoi diplomimin me gradën më të lartë me koncertin që dha në sallën e madhe të Konservatorit të Moskës. Përpos të gjitha institucioneve muzikore turke, ai ka interpretuar edhe me Filharmoninë e Kharkovit, Filharmoninë e Krimesë, Simfoninë Kombëtare të Ukrainës, Simfoninë e Konservatorit të Moskës e të tjera.

Koncerti i radhës i Filharmonisë së Kosovës mbahet më 17 shkurt, po ashtu në Sallën e Kuqe. Me program të veçantë solemn, sikurse edhe një vepër premierë botërore, feston me muzikë klasike 18-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Kosovës.