Arbëri

Shkolla e përuruar në fushatë, pa rrymë e pa ngrohje

Shkolla “Vaso Pashë Shkodrani”

Në një shkollë të re në Pejë, nxënësit vijojnë mësimin me orar të shkurtuar, e ditë të tëra i kanë humbur shkaku i mungesës së rrymës e ngrohjes. Objektit shkollor iu pre shiriti në kohë fushate për zgjedhjet lokale, ani se paraprakisht nuk është lidhur në rrjetin e energjisë elektrike

Objekti i shkollës fillore “Vaso Pashë Shkodrani” në Pejë u inaugurua në kohë fushate, pa u lidhur në rrjetin e furnizimit me energji elektrike.

Për pasojë, që nga muaji nëntor nxënësit në shkollën e re ndjekin mësimin me orar të shkurtuar, ndërsa nga dhjetori humbën pesë ditë të plota mësimi, shkaku i të ftohtit.

Prindi i një nxënësi tregoi në kushte anonimiteti se telashet nisën prej se iu pre shiriti shkollës.

“Për shembull, mësimin që është mbajtë deri në ora 12:10, e kanë shkurtuar 11:10. Tani filloi disa ditë, koha më e ftoftë, na njoftofshin një ditë përpara që ‘nesër nuk ka mësim në mungesë të lëndëve djegëse’. Ka vendos Këshilli i prindërve. Domethënë në këtë formë na njoftofshin”, ka thënë prindi i një nxënësi që vijon mësimin në shkollë.

Ai tregon se shpesh mësimi zhvillohet në temperatura të ulëta.

“Kanë qëndruar në klasë me rroba të trasha. Ashtu është mbajtë mësimi. Normalisht, është shqetësuese se si pasojë e kësaj mund të sëmuren dhe më pas ka pasoja fëmija”, ka thënë ai.

Drejtoresha e shkollës, Syndyze Loxha, thotë se objekti i ri ende nuk është lidhur në rrjetin e furnizimit me energji elektrike.

“Nuk jemi të lidhur në rrjet të rrymës elektrike sepse po mungon trafo, kështu që shkolla po funksionon me gjenerator. Ky është ai problem që e kemi. Thjesht, thjesht kemi punuar me orar të shkurtuar. Çdo vendim që e kemi marrë nuk e kemi marrë vetë pa miratimin e Drejtorisë së Arsimit. Kohë pas kohë është dashur me pasë shkëputje ose shkurtesë të orëve mësimore për shkak të rrymës”, ka thënë Loxha.

E drejtori i Arsimit në Komunën e Pejës, Naser Gega, justifikoi hapjen e shkollës pa u lidhur në rrjetin e energjisë elektrike dhe fajin për problemin e hodhi te KEDS-i.

“Pse është vendosur, se gjërat nuk po varen prej nesh. Inaugurimi i shkollës, teknikisht shkolla ka qenë në rregull, komuna e ka hapur tenderin për vendosjen e trafos edhe procedura ka shkuar krejt në rregull dhe ajo është dashur më 1 nëntor trafo me qenë  e vendosur, mirëpo duke pasë parasysh këtë mendësinë tonë, njëra palë është ankuar në atë tenderin dhe është dashur me u ripërsërit krejt procedurat. Ripërsëritja dy muaj e diçka po i merr edhe tash jem ku jem”, ka thënë ai dhe ka treguar pse shkolla i hapi dyert për nxënësit. “Atëherë nuk kemi pasur problem, nuk ka qenë e nevojshme ngrohja dhe është menduar që më 1 nëntor ngrohja me rrymë ka me qenë e rregulluar. Më herët gjatë verës ne kemi mendu është trafo afër shkollës. KEDS-i nuk ka dhënë pëlqim për me u kyç në atë trafo dhe vetvetiu janë prolonguar gjërat dhe shumë shpejt janë hapur ofertat e tenderimit për vendosjen e trafos”.

Gega tha se KEDS-i këtë javë e ka dhënë pëlqimin për trafon, për vendosjen e së cilës është kontraktuar një kompani.

Ndryshe nga drejtori i Arsimit dhe drejtoresha e shkollës, përfaqësues të opozitës thanë se problem është edhe mungesa e lëndës djegëse për ngrohje.

Asambleisti i Vetëvendosjes, Ardit Gërvalla, akuzoi pushtetin lokal për paaftësi menaxhimi.

“Fajin ia hedhin KEDS-it, mirëpo bazuar në atë se çfarë po thonë prindërit, është se arsyetimi i tyre është mungesa e lëndës djegëse, në këtë rast peletit. Normalisht që kjo është edhe mungesë e menaxhimit të mirëfilltë dhe planifikimit si duhet nga komuna”, ka thënë ai. “Asnjë mbledhje nuk është mbajte në Kuvendin Komunal ku ne si asambleistë dhe si parti politike mundemi që t’i ngremë shqetësimet si të prindërve, si të nxënësve”.

E, drejtori i Arsimit tha se për mungesë peleti vetëm një ditë nuk është mbajtur mësim, ndërsa theksoi se vështirësitë e tjera burojnë nga gjeneratori që nuk e përballon ngarkesën me energji.

“Vetëm një ditë kemi pasur problem me pelet për furnizim, por problem kryesor është se po duhet me gjeneratorin e madh me punu dhe po ka prishje teknike kohë pas kohe, edhe pse është i ri mirëpo po e kompensojmë në atë formë”, ka thënë Gega.

Shkolla “Vaso Pashë Shkodrani” nuk është e vetmja në Komunë të Pejës që ka probleme me energjinë elektrike dhe me ngrohjen. Me to përballet edhe shkolla “7 Shtatori” në Vitomiricё.