Arbëri

Zjarrfikësit në Shtime ndihen të rrezikuar nga përçuesit e tensionit të lartë

Zyrtarët e Njësisë Profesionale për Zjarrfikje dhe Shpëtim (NJPZSH) në Shtime prej më shumë se shtatë vjetësh ndihen të rrezikuar nga tensioni i lartë i rrjetit elektrik i cili kalon mbi objektin e tyre, pikërisht te sistemi i furnizimit të ujit të autocisternave. Drejtuesit e këtij institucioni kanë thënë se sa herë që autocisternat e zjarrfikësve mbushen me ujë, punëtorët janë të rrezikuar nga tensioni i lartë i përçuesve të rrymës derisa floskat e ujit arrijnë deri në përçues të rrymës. Rreth kësaj çështje ky institucion ka bërë disa herë kërkesa zyrtare në KEDS, por edhe në Komunë, mirëpo deri më tash nuk ka gjetur mbështetje.

Bajram Gashi, Komandant i Zjarrfikësve në Shtime, ka thënë për KOHËN se kërkesat e tyre nuk po shqyrtohen nga institucionet përkatëse për dislokimin e përçuesve nga hapësirat e tyre.

“Kemi bërë disa herë kërkesa zyrtare. Ndërkohë, përkundër kërkesave ndaj KEDS-it për dislokimin e përçuesit LP 10 KV, deri më tani asnjë veprim nuk është marrë për evidentimin e rrezikut për jetë, dhe kjo për ne është shumë shqetësuese. Shqetësuese është edhe fakti që nuk ka dalë askush për ta parë gjendjen në terren”,është ankuar Gashi.

Në njërën nga kërkesat e këtij institucioni drejtuar KEDS-it e Komunës, midis të tjerash thuhet se përçuesit e energjisë elektrike po ua rrezikojnë jetën të gjithë punonjësve.

“Duke u bazuar në rrezikshmërinë e lartë e cila përbën kërcënim serioz për jetë dhe në mbështetje të natyrës së punës operative të NJPZSH-së, kërkojmë nga KEDS-i, Distrikti në Ferizaj që të bëjë dislokimin e lartëpërçuesve LP 10 KV, pasi që i njëjti kalon mbi objektin e Zjarrfikësve dhe po paraqet kërcënim serioz për jetë si dhe pengesë serioze për operimin normal të njësisë së zjarrfikësve në përgjithësi”, thuhet në njërën nga kërkesat e NJPZSH.

Sipas këtij institucioni kjo kërkesë është iniciuar me arsyetim se pikërisht nën tensionin e lartë mbushen autocisternat me ujë me shtypje të lartë.

“Procedurat tona të përditshme të testimit të shtypjes së ujit që duhet të bëhen rregullisht në platonë e objektit në kamion, bëjnë që të mos jemi të sigurt derisa vrushkullat e ujit paraqesin rrezik për të gjithë stafin. Përmes dislokimit të largpërçuesve do të bëhet evitimi i rrezikut për jetë dhe do të krijohen kushte normale për operimin e njësisë. Ndërkaq, mosndërmarrja e veprimeve për ta evituar rrezikun për jetë, përgjegjësia do të bjerë mbi ju dhe çdo incident apo fatkeqësi që mund të ndodhë përgjegjësia ju bie juve”, thuhet më tej në kërkesë.

Në anën tjetër Viktor Buxhala, zëdhënës i KEDS-it, ka thënë se “KEDS-i ka komunikuar me Komunën e Shtimes dhe ata janë deklaruar se e kanë kryer punën dhe nuk kanë nevojë për zgjidhje teknike që lëshohet në kërkesat për dislokim të rrjetit”.

Po ashtu i shkurtër ka qenë edhe Hamëz Tershani, drejtor për Shërbime Publike në Komunën e Shtimes, i cili ka thënë se Komuna është e njoftuar për këtë rast, por nuk është kompetente për t’i bërë zgjidhje teknike Njësisë së Zjarrfikësve.

“Ne nuk kemi komunikuar me KEDS-in dhe deklaruar që nuk kemi nevojë për zgjidhje teknike. Pra, ata janë kompetent për këtë çështje dhe jo Komuna”, ka thënë shkurt Tershani.

Image