Politikani Azem Vllasi ka thënë se vendimi i Shteteve të Bashkuara për pezullimin e dialogut strategjik me Kosovën është pasojë e gjendjes së krijuar nga klasa politike vendore.
“Ky vendim tregon më së qarti në çfarë gjendje të mjerueshme klasa jonë politike e ka sjellë Kosovën. Ashtu siç ishte vendimtar roli i SHBA-së në luftën çlirimtare, në çlirimin dhe shpalljen e shtetit, po aq i rëndësishëm është edhe në mbrojtjen, stabilitetin dhe vetë ekzistencën e Kosovës si shtet”, ka thënë Vllasi në një prononcim për KOHËN.
Ai ka paralajmëruar se ftohja e marrëdhënieve me SHBA-në rrezikon sigurinë, stabilitetin dhe zhvillimin normal të vendit, duke theksuar se vetëm Serbia dhe Rusia mund të gëzohen nga një situatë e tillë.
“Është koha e fundit që klasa politike të zgjohet dhe të mendojë se kah po e drejton Kosovën”, ka shtuar Vllasi.
Ambasada e SHBA-së në Prishtinë ka njoftuar të premten se Uashingtoni ka pezulluar për një kohë të pacaktuar dialogun strategjik me Kosovën. Në deklaratë thuhet se vendimi është marrë për shkak të veprimeve të Qeverisë në detyrë, të cilat, sipas SHBA-së, kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë, duke e vështirësuar bashkëpunimin në prioritetet e përbashkëta.
