Kuvendi është thirrur në Rregulloren e punës për t’ia ndarë ish-deputetit Fadil Gashi rreth 24 mijë euro paga kalimtare retroaktivisht, ndonëse pagesa parashihet me Ligj dhe e drejta në të njihet menjëherë pas përfundimit të mandatit e jo retroaktivisht. Juristi Anton Nrecaj vlerëson se vendimi mund të jetë problematik juridikisht, pasi ligji nuk parasheh pagesë retroaktive dhe rregullorja nuk mund të ketë fuqi mbi ligjin
Kuvendi nuk ka dhënë arsyetim ligjor mbi të cilin ka vendosur që ish-deputetit Fadil Gashi, t’ia ndajë retroaktivisht pagën kalimtare për 12 muaj, në vlerë rreth 24 mijë euro, edhe pse për të aplikoi me një vit vonesë.
Në një përgjigje për KOHËN, të kthyer nga Kuvendi pas gati një jave prej se i janë dërguar pyetjet, thuhet se paga është ndarë duke u bazuar në Rregulloren e Kuvendit, por nuk është dërguar vendimi i arsyetuar ligjërisht.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Kërkesa i është adresuar Kryesisë dhe në bazë të Rregullores së Kuvendit Kryesia vendos për mjetet financiare”, thuhet në përgjigjen e Kuvendit.
Neni 19 i kësaj Rregulloreje thotë se Kryesia e Kuvendit vendos për mjetet financiare dhe për krijimin e kushteve të punës për nënkryetarët e Kuvendit, grupet parlamentare dhe stafin të tyre, komisionet, deputetët dhe Administratën e Kuvendit.
Por, është Ligji për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit ai që përcakton se kur jepet paga kalimtare.
Neni 16 i tij thotë se kompensimi kalimtar, që është vlera e pagës bazë prej rreth 2 mijë eurosh, jepet që nga dita e përfundimit të mandatit për 12 muaj rresht dhe aty nuk përmendet nëse kjo pagë mund të jepet retroaktivisht.
Për të aplikuar për këtë pagë, deputeti i legjislaturës së VIII, Gashi, ka pasur kohë nga 3 deri më 10 mars të 2025-tës.
Juristi Anton Nrecaj vlerëson se nëse nuk ekziston një vendim i arsyetuar juridikisht apo një bazë e qartë ligjore që lejon pagesën retroaktive pas skadimit të afatit, atëherë vendimi i Kryesisë mund të konsiderohet problematik nga këndvështrimi i sigurisë juridike dhe trajtimit të barabartë.
“Së pari, Ligji për të Drejtat dhe Përgjegjësitë e Deputetit, konkretisht neni 16, e përcakton të drejtën në kompensim kalimtar si një e drejtë që realizohet ‘që nga dita e përfundimit të mandatit’ dhe deri në realizimin e të hyrave nga një burim tjetër ose pensioni. Nga formulimi i dispozitës rezulton se kjo e drejtë ka karakter të menjëhershëm dhe lidhet drejtpërdrejt me periudhën pas përfundimit të mandatit, e jo me një kërkesë të pakufizuar në kohë. Nëse Kuvendi ka vendosur edhe afat procedural për aplikim, atëherë mosrespektimi i atij afati do të duhej të prodhonte pasoja juridike”, ka thënë Nrecaj.
Ndërkaq sa i përket arsyetimit të Kuvendit se janë bazuar në Rregullore, Nrecaj thotë se Rregullorja nuk mund t’i mbivendoset Ligjit.
“Hierarkia e akteve juridike është e qartë: ligji ka fuqi më të lartë juridike sesa rregullorja. Neni 19 i Rregullores, i cili i jep Kryesisë kompetenca për të vendosur për mjetet financiare, nuk mund të interpretohet si autorizim për të zgjeruar ose ndryshuar të drejtat materiale të përcaktuara me ligj. Kryesia mund të administrojë mënyrën e realizimit të mjeteve, por jo të krijojë të drejta të reja apo të anashkalojë afatet e përcaktuara”, ka thënë ai.
Të pyetur nëse kjo e drejtë e kërkuar pas afatit nga Gashi, mund t’i takojë secilit deputet të legjislaturave të mëhershme që nuk e ka marrë pagën kalimtare, në Kuvend kanë thënë se “nuk mund të prejudikojnë vendimmarrjen e Kryesisë në të ardhmen”.
Por, juristi Nrecaj thotë se një vendim i tillë mund të krijojë bazë që edhe ish-deputetë të tjerë të kërkojnë trajtim të njëjtë, duke u thirrur në parimin e barazisë.
Kuvendi nuk e ka vënë në dispozicion të KOHËS as transkriptin e mbledhjes së kryesisë në të cilën është marrë vendimi për dhënien e kompensimit kalimtar retroaktivisht për deputetin Gashi.