Partitë politike kanë intensifikuar negociatat për bashkëpunime dhe përfshirje në gara. NISMA Socialdemokrate dhe AKR-ja, ndonëse kanë hequr dorë nga kandidimi si subjekte të vetme, kanë kërkuar hapësirë në listat e partive të mëdha. Ndërsa subjektet e tjera po vazhdojnë me aderime dhe ftesa publike për kandidatë të rinj
Katër ditë para mbylljes së afatit për dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë, subjektet kryesore politike kanë intensifikuar përpjekjet për “peshkim” kuadrosh të reja e për rikthim të të vjetrave.
Por, janë përfaqësues të dy partive që synojnë të gjejnë vend tek ato të mëdhatë.
Aleanca Kosova e Re e Nisma Socialdemokrate një ditë më parë u deklaruan për mospjesëmarrje në zgjedhjet e 7 qershorit. Por, përfaqësues të këtyre dy partive kanë thënë se janë në kërkim të vendeve për t’u futur në lista të subjekteve të tjera.
Kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, i është drejtuar me një shkresë kryetarit të Partisë Demokratike, Bedri Hamza, në të cilën ka shprehur gatishmërinë për pjesëmarrje në listën zgjedhore të PDK-së.
“Nisma Socialdemokrate dhe unë, si kryetar i saj, kemi shprehur vazhdimisht, si para këtyre zgjedhjeve ashtu edhe në vazhdimësi, gatishmërinë për bashkëpunim dhe bashkim politik në funksion të krijimit të një alternative të fuqishme dhe përfaqësuese për qytetarët e Republikës së Kosovës”, thuhet në letrën e Limajt.
Edhe
Subjektet e vogla kërkojnë strehë te partitë e mëdha
KOHA ka provuar të kontaktojë me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza lidhur me këtë, por nuk është përgjigjur gjatë së premtes.
Në bisedime me PDK-në është edhe Aleanca Kosova e Re, gjë të cilën e ka konfirmuar për KOHËN anëtarja e kryesisë së AKR-së, Myzejene Selmani.
“AKR-ja si subjekt vet nuk garon në zgjedhje. Jemi ne bisedime me subjektet e tjera. Ka pasur takim mes kryetarit AKR-së, zotëri Emir Abrashit, dhe zotëri Bedri Hamzës. Ditëve në vijim ka edhe takime të tjera”, ka thënë Selmani.
Pjesëmarrjen në zgjedhje e kanë deklaruar 22 parti politike dhe tri koalicione. Ndërsa nga gara si të vetme ose në koalicion kanë hequr dorë 9 sosh.
Të premten, ish-presidentja Vjosa Osmani, e cila pritet të garojë në kuadër të listës së kandidatëve të Lidhjes Demokratike ka njoftuar se pas ish-deputetes Jeta Statovci, i është bashkuar edhe Albena Reshitaj, të dyja këto nga Lista Guxo, që në zgjedhjet e fundit ishte në koalicion më Lëvizjen Vetëvendosje.
“Prof. asoc. dr. Albena Reshitaj, ish-ministre, deputete në 4 mandate, e mbi të gjitha një grua parimore dhe me bindje politike të qëndrueshme, ka dëshmuar vazhdimisht se nuk dorëzohet para asnjë sfide apo kërcënimi, kur është në pyetje mbrojtja e interesit të Kosovës”, ka thënë Osmani.
Për këto aderime ka reaguar sekretarja e Guxo-s, Triera Kasumi-Berisha, duke e thënë se këto partinë Guxo janë vetëm 3 probleme më pak.
“Për Partinë Guxo, vetëm 3 probleme më pak. Më datën 7 qershor, qytetari i mençur i kësaj Republike, jo vetëm emrat por edhe ‘bëmat’ do t’ju mbajë mend”, ka thënë ajo.
Ndaj saj reagoi ish-deputeti Haxhi Avdyli. Ai tha se nuk bëhet fjalë për “tri probleme”, por numëroi votat që kanë marrë këta tre ish-deputetë.
Edhe
Nisma do ta mbështesë PDK-në në zgjedhjet e 7 qershorit
“Jo, 3 probleme më pak por 100 mijë e 786 vota më pak. Përndryshe, më 28 dhjetor, Jeta Statovci pati 37 mijë e 916 vota, Haxhi Avdyli 33 mijë e 562 vota dhe Albena Reshitaj me 29 mijë e 308 vota. Shihemi më 7 qershor...”, ka thënë ai.
E, Osmani ka njoftuar se pjesë e listës së saj do të jetë edhe eksperti i sundimit të ligjit, Bardhyl Hasanpapaj.
Ndwrkaq, ish-deputeti i Vetëvendosjes, Mefail Bajqinovci, të premten komentoi rikthimin e Osmanit në listën e LDK-së. Ai akuzoi Osmanin se lufton vetëm për pozitë.
Zhvillime ka pasur edhe në parti të tjera.
Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, u ka bërë thirrje përmes një video-mesazhi qytetarëve të cilët synojnë të kontribuojnë politikisht.
“Lista jonë për deputetë nuk do të jetë vetëm listë politike, por edhe listë e hapur për të gjithë. Kemi garantuar hapësirë për profesionistë, për gra dhe burra të aftë, për njerëz që ndoshta nuk kanë qenë pjesë e politikës deri më sot, ose që ne nuk e kemi pasur fatin t’i njohim më herët”, ka thënë Hamza.
Rrustem Mustafa, i njohur si komandant Remi, do të jetë pjesë e listës së PDK-së. Ai ishte aktiv në këtë parti, por pas një kohe pauzimi, ka njoftuar se do të rikthehet.
Kthimin e Mustafës e ka konfirmuar ish-deputeti i kësaj partie, Artan Behrami.
“Rikthimi i Rrustem Mustafa në listën e PDK-së është një shenjë e rikthimit tonë edhe në Llap, Gollak dhe mbarë Kosovën. Remi e meriton votën e votuesve tanë, jo vetëm për rolin e tij në luftë, por edhe për qasjen përbashkuese në liri. Por, mbi të gjitha, e meriton votën tonë për qëndrimin dinjitoz dhe mbrojtjen e luftës së UÇK-së!”, ka shkruar Behrami në Facebook.
Edhe
Sot përfundon afati për subjektet e reja politike për aplikim në zgjedhjet e 7 qershorit
Gjatë ditës, Hamza e ka prezantuar profesorin Naim Telaku si prurjen e re në listën e deputetëve për zgjedhjet e 7 qershorit. Hamza ka thënë se Kosovës i duhen dije, profesionalizëm dhe njerëz që i shërbejnë shoqërisë me integritet dhe Telaku është njëri prej tyre.
Zgjedhjet e parakohshme do të mbahen më 7 qershor 2026, pasi Kuvendi i Kosovës nuk arriti ta zgjedhë presidentin e ri brenda afateve kushtetuese.