Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka njoftuar të premten se ka marrë një urim nga presidenti amerikan, Donald Trump, për përvjetorin 113-të të Pavarësisë së Shqipërisë.
“Jam i nderuar të përcjell përshëndetjet e presidentit Trump për shqiptarët në Ditën e Pavarësisë. Faleminderit SHBA, faleminderit juve president Donald Trump për mesazhet e ngrohta dhe pozitive në këtë ditë të rëndësishme. Shqipëria është e përkushtuar për të punuar me SHBA-në prioritetet tona të përbashkëta. Shqipëria gjithmonë ka qëndruar dhe do të vazhdojë të qëndrojë, përkrah SHBA-së”, ka shkruar në X Begaj.
Më herët gjatë ditës, nga SHBA-ja Shqipërinë e uroi edhe sekretari Marco Rubio në një publikim në faqen zyrtare të Departamentit Amerikan të Shtetit. Ai rikujtoi partneritetin e fortë SHBA-Shqipëri, për të cilin tha se është ndërtuar mbi angazhimin e përbashkët për të ardhme më të sigurt dhe të begatë.