113 vjet më parë në Vlorë përfaqësues të vilajeteve shqiptare e shpallën pavarësinë e shtetit shqiptar. 
Kuvendi Kombëtar i Vlorës, mbledhjen e tij të parë e mbajti më 28 nëntor 1912, me aktin e shpalljes së Pavarësisë së Shtetit Shqiptar nga Perandoria Osmane. 

Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë ishte kurorëzim i përpjekjeve shekullore dhe luftërave të pareshtura që bënë shqiptarët për çlirimin e vendit.

Qeveria e Vlorës pati një jetë të shkurtër, pasi pak më shumë se një vit Qeveria e Vlorës u detyrua të tërhiqet dhe t’ i lëshojë vend një Qeverie të drejtuar nga një Princ i huaj i emëruar nga fuqitë e kohës.

Edhe më keq Shqipëria u godit në aspektin territorial, ushtritë e fqinjëve dhe luftërat ballkanike copëtuan gjysmën e territoreve të Shqipërisë, duke u aneksuar nga fqinjët, ndërsa Konferenca e Londrës e mbajtur më 1913 u pranoi pushtimet e territoreve shqiptare, duke i rrudhur kufijtë e Shqipërisë në mënyrë dramatike.

Gjysma e popullsisë shqiptare mbeten nën sundimin serbo- malazez dhe grek.

Pas shpalljes së Pavarësisë, më 28 nëntor 1912 u formuan edhe organet shtetërore, Pleqësia dhe Qeveria e dal nga Kuvendi i Vlorës. U ngritën forcat e armatosura dhe ato të rendit dhe nisi puna për konsolidimin e arsimit, shëndetësisë, administratës, etj.

Qeveria e Vlorës vuri gurët e parë për krijimin e një sistemi gjyqësor sipas modeleve evropiane. Gjuha shqipe u shpall si gjuhë zyrtare dhe u vendos hapja e shkollave shqipe prej vjeshtës 1914. Akti më i rëndësishëm juridik që nxori Qeveria e përkohshme e Vlorës ishte ”Kanuni i përkohshëm i administratës civile të Shqipërisë”, që u botua në nëntor 1913.

Osmani: Ngjarjet e nëntorit përbëjnë boshtin e krenarisë sonë kombëtare

15 min. më parë / 28 nën 2025 09:03
Vjosa Osmani

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka uruar ditën e Flamurit, duke thënë se ngjarjet e nëntorit ndër vite përbëjnë boshtin e krenarisë sonë kombëtare.

“Dita e Flamurit, e Pavarësisë së Shqipërisë, e lindjes së Komandantit Legjendar Adem Jashari dhe e daljes së parë publike të UÇK-së, janë katër ngjarje që përbëjnë boshtin e krenarisë sonë kombëtare”, ka shkruar Osmani në Facebook. Ajo ka thënë se sot Kosova dhe Shqipëria ecin krah njëra-tjetrës.
 

“Nga Kruja e Skënderbeut, te Vlora e Ismail Qemalit dhe Prekazi i Jasharajve, historia jonë është shkruar me gjak, guxim dhe besim. Sot, Kosova e Shqipëria ecin krah për krah: dy shtete, një komb, dy flamuj, një zemër”, ka shkruar Osmani.

“Gëzuar Ditën e Flamurit! Gëzuar Pavarësinë e Shqipërisë! Lavdi Komandantit Adem Jashari dhe të gjithë heronjve, dëshmorëve e martirëve të kombit tonë!”, ka uruar ajo.

Kurti uron për “Nëntor të Tretë”

22 min. më parë / 28 nën 2025 08:56
Albin Kurti

Foto arkiv: Zyra e Kryeministrit

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, me rastin e 113-vjetori të Pavarësisë së Shqipërisë ka uruar për siç ka thënë “Nëntor të Tretë”. 

Në një postim në Facebook ku ka shkruar për ngjarjet që shqiptarët i shënojnë më 28 nëntor, ka thënë, “sytë i kemi kah një Nëntor i Tretë, që duhet të vijë nëpërmjet përpjekjeve tona, punës dhe përkushtimit tonë të vazhdueshëm”.

“Natyrisht, si komb evropian, sytë i kemi të kthyer kah e ardhmja, kah një Nëntor i Tretë, që duhet të vijë nëpërmjet përpjekjeve tona, punës dhe përkushtimit tonë të vazhdueshëm. Ky Nëntor i Tretë, edhe nëse nuk do të bjerë në këtë ditë, edhe nëse nuk do të jetë muaj i nëntorit, ne mund ta pagëzojmë që sot si 28 Nëntori ynë i Tretë. Atëherë amaneti i të gjithë atdhetarëve shqiptarë, të gjallë e të vdekur, do të përmbushet. Urojmë që kjo ditë të vijë sa më shpejt!”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Postimi i plotë:

Maqedonci: Kërcënimet për paqen po rriten, Kosova e Shqipëria të jenë bashkë si kurrë më parë

32 min. më parë / 28 nën 2025 08:46
Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci

Photo: Driton Paçarada

Ministri në detyrë i Mbrojtjes Ejup Maqedonci, ka uruar 113-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. 

Ai ka theksuar nevojën që Kosovës dhe Shqipëria të jenë pranë njëra-tjetër, siç ka thënë si kurrë më parë. 

“Në një botë ku kërcënimet për paqen dhe sigurinë po rriten, Kosova dhe Shqipëria duhet të jenë pranë njëra-tjetrës si kurrë më parë, për të mbrojtur vlerat, identitetin dhe ëndrrën e përbashkët të kombit”, ka shkruar ai në Facebook.

Ai ka thënë se 28 Nëntori, është dita që “na bashkon me rrënjët, me gjakun dhe me historinë e lavdishme të kombit tonë”. 

“Në këtë ditë të veçantë kujtojmë betejat e Skënderbeut në Krujë, momentin e shenjtë të ngritjes së flamurit në Vlorë, lindjen e komandantit Adem Jashari dhe daljen e parë publike të UÇK-së, ngjarje që nuk janë vetëm histori, por pjesë e shpirtit tonë kombëtar. Nga Prekazi, ku u shkrua një nga kapitujt më të dhimbshëm e më të ndritur të lirisë, e deri te forca jonë e sotme, pasardhëse e UÇK-së, rrugëtimi ynë jetësor udhëhiqet nga amaneti: ta duam këtë tokë, ta mbrojmë këtë flamur dhe të mos harrojmë kurrë sakrificat që na sollën deri këtu”, ka shkruar Maqedonci.