Arbëri

Takimi i së premtes, konfirmim nëse do të ketë mandatar të ri apo zgjedhje të parakohshme

Për në orën 12:00 të premten, presidentja Vjosa Osmani ka ftuar në takim liderët e partive politike, nga të cilët do të kërkojë të deklarohen nëse i kanë numrat për formimin e qeverisë së re. Por, bazuar në deklaratat e deritashme, asnjë subjekt politik nuk ka arritur që ta sigurojë shumicën në Kuvend. Për pasojë, opsion i vetëm mbeten zgjedhjet e parakohshme

Presidentja Vjosa Osmani ka ftuar për të premten liderët e partive politike për të diskutuar rrugën përpara, pas dështimit të mandatarit të parë për ta formuar qeverinë.

Sipas njoftimit të dhënë nga Zyra e Presidentes, takimi me liderët partiakë është paraparë që të nisë në mesditë.

Ftesa e Osmanit për këtë takim, katër ditë pas dështimit për formimin e qeverisë, është konsideruar e vonuar nga Vlora Çitaku, e cila është nënkryetare e Kuvendit nga radhët e Partisë Demokratike (PDK).

Megjithëkëtë, ajo ka thënë se në diskutimet me presidenten do të konfirmohet qëndrimi i partisë se duhet shkuar në zgjedhje të parakohshme.

“Është e qartë që nuk ka shumicë të re parlamentare, nuk kemi nevojë për taktizime. Vendi ka nevojë për institucione dhe është e qartë që ky Kuvend nuk po arrin që të formojë një shumicë të re, duhet të shkojmë në zgjedhje e më pas të ballafaqohemi me sfidat e mëdha që i ka qytetari i Republikës së Kosovës”, ka theksuar Çitaku.

Kundër zgjedhjeve nuk është deklaruar as nënkryetarja e Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Albulena Haxhiu. Por, ajo ka theksuar se qëndrimi përfundimtar do të prezantohet para presidentes.

“Nesër do ta japim qëndrimin e LVV-së. Ajo se çfarë dihet tashmë është se presidentja mund të shpallë zgjedhjet, por edhe mund t’ia japë mandatarin dikujt nga partitë politike, qëndrimin në raport me të do ta japim nesër, sepse nesër do të jemi të pranishëm në këtë takim”, ka thënë Haxhiu.

Pas dështimit të formimit të qeverisë në seancën e 26 tetorit, është në diskrecion të presidentes që t’ia ofrojë mandatarin cilësdo parti që e dëshmon shumicën. Por, meqë asnjë kamp politik nuk ka siguruar koalicione, opsion mbeten zgjedhjet e parakohshme.

Sipas Kushtetutës, në rrethanë të tillë, zgjedhjet duhet të mbahen brenda 40 ditësh.