Përveç disa hapësirave në ordinanca specialistike të cilat janë shndërruar në shërbim për trajtimin e pacientëve me COVID-19, menaxhmenti i Spitalit të Ferizajt është detyruar që edhe disa hapësira të tjera brenda spitalit të zgjerohen me shtretër për pacientë me COVID-19.
Drejtori i këtij spitali, Halit Gerbeshi, ka thënë se zgjerimi i hapësirave me shtretër kërkon angazhim më të madh të stafit.
“Realisht kapacitetet Spitali i Ferizajt i ka me 56 shtretër, por ne kemi intervenuar me sistemimin e shtretërve nëpër dhoma, kemi marrë dhoma të stafit shtesë, kemi liruar edhe dhomën e telemjekësisë ku i mbajmë mbledhjet dhe takimet tona profesionale dhe i kemi adaptuar për dhoma të pacientëve dhe kapaciteti maksimal i yni është 93 shtretër”, tha Gërbeshi.
Familjarët e të hospitalizuarve tregojnë për vështirësitë e tyre derisa thonë se të gjitha barnat po obligohen t’i blejnë vetë.
“I kemi, i ka mbesat dhe nipat që janë jashtë dhe me pare të atyre po i blejmë barnat se ne me pension pak. Nuk mundemi me pagua barna, ata krejt po na ndihmojnë”, tha Ajshe Ndrecaj nga fshati Voinovc.
“Unë e kam vëllanë, ka qenë jashtë në Suedi dhe nuk ka qenë qe 2 vjet në Kosovë. Kishte dëshirë të vije në Kosovë, ishte në Shqipëri dhe është infektu me këtë virus. Me siguri në Shqipëri e ka marrë virusin. Tash është vendos në spital qe 2 apo 3 ditë”, tha Ruzhdi Avdyli, banor nga fshati Terne.
Pavarësisht kërkesave të mëdha për hospitalizim edhe numri i qytetarëve që po kërkojnë të vaksinohen është mjaft i madh.
Aktualisht në Komunën e Ferizajt rreth një mijë e 200 qytetarë janë të prekur me COVID-19.