Komuna e Prishtinës po e vazhdon traditën me ndërrimin e drejtorëve që udhëheqin Drejtorinë e Kulturës. Pas dy vjetësh mandat, prishja e koalicionit midis LDK-së dhe PDK-së ka ndikuar që Arta Balaj ta lërë detyrën. Të martën është zëvendësuar me Sibel Halimin.
“Me shumë kënaqësi e përgjegjësi Sibeli e ka marrë detyrën e re për ta vazhduar misionin tonë për një kryeqytet me jetë të pasur kulturore e artistike”, ka shkruar në njoftimin që ka bërë kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ku ka paraqitur edhe një pjesë të biografisë së Halimit.
Ka treguar se ajo është duke doktoruar në Departamentin e Sociologjisë në Universitetin e Prishtinës me temën “Trupi si konstrukt shoqëror: Drejt sociologjisë së trupit në Kosovë”.
E ka paraqitur edhe si poete dhe autore e librave me poezi, si “Kopshti i Mëkateve” (2002), “Qenia nuk banon këtu” (2013), “Me ekzistu është vetë kuptimi”, “Zoti më dashuron mua” (2022), si dhe përmbledhjen eseistike “Shoqëri në Alarm” (2017). Ka treguar se prej vitit 2014 deri më 2018 ka qenë e angazhuar si bashkëpunëtore e jashtme në Departamentin e Filozofisë dhe atë të Sociologjisë të Universitetit të Prishtinës, si dhe për dy mandate ishte anëtare e Kryesisë së Shoqatës së Filozofëve të Kosovës.
“Sibelit i uroj mirëseardhje dhe punë të mbarë në detyrën e saj të re. Jam i bindur se përvoja dhe përkushtimi i saj do të nxjerrin në pah potencialin e madh dhe pasurinë e shpirtit artistik të Prishtinës”, ka shkruar Rama duke e falënderuar ish-drejtoren Arta Balaj për punën e bërë.
Por Rama ka lutur të paktën dy persona të tjerë para Halimit: një ish-drejtor të Kulturës dhe një artist të pavarur që ta pranojnë këtë pozitë, por ata kanë refuzuar. Për artistin e pavarur, nëpër rrjete sociale kanë shpërthyer edhe uratat për pozitën e drejtorit.
Ndërkaq Halimi njëkohësisht është anëtare e LDK-së. Ka qenë kandidate për kryetare të Ferizajt në zgjedhjet e fundit lokale.
Për pozitën e re atë e ka uruar edhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku.
“Përgjatë 3 viteve të shkuara, Sibelin e njoha jo vetëm si një bashkëpunëtore me motiv e energji përplot, por edhe si një pasionante e përkushtuar e kulturës. Sot jam i bindur se puna e saj në kryeqytet do të jetë me përplot përkushtim e zell. Që peizazhi kulturor i Prishtinës sot merr vërtet vlerë”, ka shkrua Abdixhiku. Sipas tij, Halimi ka udhëhequr me plot sukses Departamentin e Kulturës brenda LDK-së, siç ka udhëhequr punën e dhjetëra profesionistëve në hartimin e kapitullit të kulturës në programin “Rruga e Re”. Abdixhiku ka shkruar se si zëdhënëse politike, Halimi ka artikuluar me elokuencë qëndrimet e LDK-së dhe si anëtare e Kryesisë Qendrore ajo vazhdon të formësojë politikat partiake në çdo drejtim.
“Para së gjithash, ajo është një kontribuese e pasionante e kulturës sonë. E si grua në politikë – tani dhe në rol udhëheqës – mban detyrim të dyfishtë; të bëjë fushën që e do, si një grua e jashtëzakonshme që është. S’kam asnjë dyshim se do t’ia dalë. Për këtë ka gjithë mbështetjen tonë!”, ka shkruar Abdixhiku.
Gjatë ditës së martë KOHA e ka pyetur Halimin për synimet e saj në drejtimin e Drejtorisë së Kulturës për dy vjetët e ardhshëm, aq sa ka mandat kryetari aktual i Prishtinës. Por Halimi në ditën e parë si drejtoreshë nuk është përgjigjur.