Profesori amerikan dhe eksperti për Ballkanin, Daniel Serwer, ka thënë se Bordi i Paqes, i krijuar nga presidenti amerikan Donald Trump e të cilit i janë bashkuar Kosova dhe Shqipëria si anëtare themeluese, është “mashtrim tjetër i Trumpit”.
Serwer në faqen e tij “Peacefare” ka thënë se Trumpi me Bordin e Paqes synon ta fuqizojë veten.
“Shkurt, Bordi i Paqes duhet të bëjë çfarëdo që vendos Donald Trump. Vija kryesore, si gjithmonë, është fuqia e tij personale dhe e pakufizuar...Bordi i Paqes është një tjetër mashtrim i Trumpit që synon ta fuqizojë veten”, ka shkruar Serwer.
Serwer ka thënë se në Bord janë bashkuar kryesisht shtete autoritare dhe gjysmëautoritare që i afrohen Trumpit, si dhe disa demokraci që mezi presin të kenë qasje tek ai.
“Sipas llogaritjeve të mia, asnjë demokraci vërtetë e konsoliduar, me përjashtim të Mongolisë, nuk është bashkuar. Mungojnë të gjitha fuqitë kryesore në Evropë, Afrikë, Azinë Qendrore dhe Lindore si dhe në Amerikën Latine. Asnjë shtet i Afrikës Sub-Sahariane nuk është bashkuar. Lindja e Mesme është e përfaqësuar mirë. Kjo është e kuptueshme, pasi puna e parë e Bordit do të jetë Gaza. Nëse ndonjë nga këta anëtarë do të paguajë 1 miliard dollarë për anëtarësim të përhershëm mbetet ende e paqartë. Ata nuk kanë pse ta bëjnë këtë për një vit. Rusia dëshiron të bashkohet dhe të paguajë për anëtarësimin e saj me fonde të ngrira. Trumpi tha se është në rregull kjo”, ka shkruar Serwer.
Serwer ka vlerësuar se Bordi i Paqes po dështon dhe se “kjo është më e mira që mund të ndodhte”.
Serwer vlerëson se nëse Bordi i Paqes vazhdon dhe merret me rindërtimin e Gazës, atëherë “spastrimi etnik i shumicës së palestinezëve do të bëhej i përhershëm”.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë se përfshirjen e Kosovës në themelimin e Bordit të Paqes, do ta dërgojë për ratifikim në Kuvendin e Kosovës, në përputhje me Kushtetutën e vendit.
Osmani deklaroi se anëtarësimi në organizata ndërkombëtare të paqes që udhëhiqen nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës është në interesin më të lartë të Kosovës.
“Anëtarësimi në organizata ndërkombëtare të paqes e që udhëhiqen nga aleati ynë strategjik, fuqizon sovranitetin tonë, pozicionin tonë ndërkombëtar, si dhe është në interesin më të lartë të Republikës së Kosovës. Prandaj, kjo marrëveshje historike do t’i dërgohet Kuvendit të Kosovës për ratifikim, në përputhje me kushtetutën e Kosovës, për të marrë miratimin final të përfaqësuesve të popullit”, ka thënë Osmani në një postim në Facebook.
Osmani nënshkroi Kartën e Bordit të Paqes javën e kaluar në Davos të Zvicrës.