Organizata për Mbrojtjen dhe të Drejtat e Njeriut “YAHR” në Lipjan, ka reaguar ashpër pas rastit të abuzimit të 13-vjeçares nga Janjeva nga disa persona. Ky rast bëhet e ditur se ka ndodhur muajin e kaluar, ndërsa që familja e saj e kishte lajmëruar në Polici si person të zhdukur. Në Policinë e Kosovës nuk i kanë bërë publike as inicialet e së miturës për shkak se rasti konsiderohej i ndjeshëm. Por, organizata “YAHR” kritikon zyrtarët përgjegjës të Qendrës për Punë Sociale në Lipjan me arsyetim se ishin në dijeni për rastin e kësaj familjeje dhe nuk kanë krijuar mirëqenie për 13-vjeçaren.
“Ne si OJQ e kritikojmë Qendrën për Punë Sociale e cila ka dështuar ta trajtojë këtë rast, sepse edhe në të kaluarën kishte qenë në njohuri për rastin e kësaj familjeje nga Janjeva dhe për rastin e fëmijëve të tyre që nuk po e ndjekin procesin mësimor dhe se shpeshherë nuk po kthehen në shtëpi. Kjo Qendër në Lipjan ka për obligim që t’i trajtojë fëmijët në përgjithësi e në veçanti ata të cilët janë të abuzuar seksualisht apo edhe të keqtrajtuar në mënyra të ndryshme”, thuhet në reagimin e “YAHR”-s.
Kjo OJQ ka kërkuar përgjegjësi nga Qendra për Punë Sociale me arsyetim se nuk kishte intervenuar me kohë në rastin e 13-vjeçares nga Janjeva.
“Pra, 13-vjeçarja dyshohet se ka qenë viktimë e abuzimit seksual nga shumë persona dhe sipas informacioneve tona, është evidentuar nga ekzaminimet mjekësore dhe gjinekologjike. Këto ekzaminime i ishin bërë asaj menjëherë pas marrjes nën përkujdesje të së miturës. Po ashtu është shqetësuese për ne si Organizatë për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut se si deri më tani është arrestuar vetëm një person lidhur me abuzimin e kësaj vajze të mitur derisa dyshimet janë se ajo ishte abuzuar nga shumë persona. Prandaj edhe një herë kërkojmë përgjegjësi institucionale dhe të merren me seriozitet me këtë rast”, thuhet më tej në reagimin e kësaj OJQ-je.
Koha ka provuar të marrë një deklaratë nga drejtoresha e QPS-së, Makfirete Shamolli, por ajo nuk ka qenë e qasshme.
Ndërkohë, burime të Policisë së Kosovës i kanë thënë Kohës se deri tash, për këtë rast është arrestuar vetëm një person i moshës 51 vjeçare (L.G.) të cilit i është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji.
“Ashtu siç është thënë në publik, besohet se 13-vjeçarja ka qenë viktimë e abuzimit seksual nga shumë persona. Por deri më tash është arrestuar vetëm një person, ndërkohë hetimet po vazhdojnë edhe ndaj të dyshuarve të tjerë”, ka thënë ky burim. Sipas këtij burimi, e mitura nga Janjeva ishte strehuar në një objekt të pabanuar në këtë fshat në të cilin është gjetur një batanije e vjetër ku dyshohet se ajo kishte qëndruar aty.
Ndërkohë nëpërmjet një përgjigjeje, Policia e Kosovës ka sqaruar se denoncimi për rastin person i zhdukur (fëmijë, 13 vjeç, femër) është bërë më datë 16.06.2021 në stacionin policor në Lipjan. “Më datë 17.06.2021 policia ka arritur të gjejë personin dhe konform rekomandimeve të prokurorit të shtetit ka nisur trajtimin e të gjitha rrethanave që kanë karakterizuar ngjarjen, me ç’rast janë ngritur dyshime edhe për keqpërdorim seksual’’, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Koha ka kontaktuar edhe me përfaqësuesin e fshatit Janjevë, Xhevdet Konxheli, i cili ka thënë ka pasur ankesa edhe në të kaluarën që 13-vjeçarja nuk po e ndjek as procesin mësimor, ndërkohë është dashur të intervenojnë institucionet përkatëse.
“Ne i kemi dërguar veshmbathje për fëmijë kësaj familjeje, sepse janë rast social, mirëpo ne i njohim këta fëmijë si problematikë, sepse gjatë gjithë ditës shëtiten rrugëve të Janjevës nëpër çarshi dhe shpeshherë nuk shkojnë në shkollë. Mendoj se edhe institucionet është dashur të merren më shumë me këta fëmijë”, ka thënë midis të tjerash Kongjeli.