Arbëri

Punonjësve publikë në Ferizaj u kushtëzohet dalja në punë me vaksinim

Një pjesë e madhe e zyrtarëve nëpër institucione publike në Komunën e Ferizajt ende nuk janë vaksinuar, por kështu mund të vazhdojnë edhe një javë.

Pas 13 shtatorit, asnjë prej atyre që nuk merr të paktën dozën e parë të vaksinës në këtë qytet, nuk do të lejohet të dalë në punë.

Në Administratën Komunale të Ferizajt numri i të vaksinuarve nuk arrin as 40 për qind, ndërkaq në Kompaninë Rajonale për Menaxhimin e mbeturinave “Pastërtia” as 20 për qind e stafit nuk është vaksinuar.

Në këtë drejtim më mirë qëndron Kompania e Ujësjellësit “Bifurkacioni”, derisa rreth 70 për qind e stafit kanë pranuar të marrin vaksina.

Drejtoresha për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale në Komunën e Ferizajt, Abetare Kurti-Maliqi, ka thënë se një pjesë e stafit po hezitojnë t’i marrin vaksinat, por pas 13 shtatorit janë vendosur kriteret që të gjithë të jenë të vaksinuar.

“Shumë prej tyre ndoshta hezitojnë, ndoshta sidomos mosha e re të cilët kanë problem me vendos nëse dëshirojnë ta marrin apo jo. Por, tash po e shohin se rreziku më i madh vjen nga mosvaksinimi dhe jo nga vaksinimi. Ne gjithherë i rekomandojmë që gjithherë që dëshirojnë të dinë ata për vaksinimin le të hyjnë në faqen e Organizatës Botërore të Shëndetësisë”, ka deklaruar Kurti-Maliqi.

KOHA ka kontaktuar me disa nga punonjësit që kanë hezituar të marrin vaksinën, por ata nuk kanë pranuar të flasin.

Drejtuesit e Kompanive Publike kanë kërkuar nga Komuna që ta organizojnë në mënyrë të veçantë vaksinimin masiv të punëtorëve.

“Ideja më e mirë kishte me qenë të na mundësohet një apo dy ditë në ambient të mbyllur ose të hapur dhe ne e organizojmë komplet pjesën tonë në dy apo 3 pjesë, dhe punëtorët shkojnë vaksinohen dhe nuk besoj që ka prej tyre që refuzojnë veç mundësia për të arritur te vaksinimi nuk e di sa është”, ka thënë Basri Syla, drejtor i kompanisë “Pastërtia”.

E Nazif Asllani, drejtor i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit Bifurkacioni, tha se ka përcjellë te punëtorët “mesazhin” se duhet të vaksinohen.

“I kemi njoftuar për vendimin e Qeverisë që të gjithë punëtorët deri me datën 13 shtator duhet të vaksinohen të paktën me dozën e parë të vaksinës. Unë siç kam informata diku deri në 70 për qind janë të vaksinuar”, tha Asllani.

Por, në komunë kanë thënë se nuk mund të organizojnë forma të tilla të vaksinimit për shkak të kritereve të platformës digjitale.