Ambasadori Albert Prenkaj do ta vazhdojë betejën ligjore pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë për pozitën e shuar të drejtorit të përgjithshëm në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, pasi Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës ia refuzoi ankesën.
Prenkaj ka thënë për “Kohën” se vendimi i Këshillit përmban shumë shkelje ligjore, duke përfshirë shkeljen e dispozitave materiale dhe atyre procedurale. Gjithashtu, përmes këtij vendimi, ai pretendon se nuk është bërë vërtetimi i drejtë dhe i plotë i gjendjes faktike që paraqet një shkelje të veçantë.
“Ligji për Shërbimin e Jashtëm edhe sot për nga përmbajtja ka elemente të Lex Specialis që mundëson trajtim të veçantë të Shërbimit të Jashtëm. Natyrisht, ky ligj në fuqi është i pamjaftueshëm për t’i adresuar nevojat e politikës së jashtme të Republikës së Kosovës dhe përgatitjen e Shërbimit të Jashtëm për sfidat e kësaj decenie në rrafshin ndërkombëtarë dhe duhet të ndërrohet me një ligj të ri (dhe jo me rregullore që është në kolizion me ligjin në fuqi), që përcakton dinamikë të re të politikës të jashtme”, ka thënë Prenkaj.
“Reformimi ndodh me involvim profesional të memories institucionale dhe jo me homo novus të importuar në mënyrë të paligjshme në sistem. Këtu është atakuar pozicioni i drejtorit të përgjithshëm me qëllime ad hominem”.
Sipas Prenkajt, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës me hartimin e Draft-Rregullores për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e Vendeve të Punës nga Qeveria e Republikës së Kosovës, lidhur me mospërfshirjen e drejtorit të përgjithshëm në këtë rregullore, ka rënë në kundërshtim me nenin 5 të Ligjit për Shërbimin e Jashtëm, sepse nuk e ka paraparë pozitën e drejtorit të përgjithshëm.
“Një pozitë, e cila është e paraparë me ligj, nuk mund të shuhet apo shfuqizohet më një akt nënligjor. Aktet nënligjore, gjegjësisht rregulloret për implementim e ligjit, duhet te jenë në pajtim me ligjin. Pra kjo rregullore e punuar kuturu nga anëtarë të komisionit që nuk e njohin thelbin e politikës së jashtme, strukturat profesionale të saj dhe as frymën ligjore që kanë nxjerrë një rregullore në kundërshtim me ligjin”, ka thënë ai.
“Pastaj, logjika thjesht dhe rregulli ligjor thotë se asnjë ligj nuk mund të abrogojë dispozitat ligjore të një ligji tjetër apo të suspendojë ligjin tjetër. Kjo mënyrë e trajtimit të reformës është joprofesionale dhe e dëmshme për Shërbimin e Jashtëm dhe për vetë politikën e jashtme. Reformat kanalizohen përmes nxjerrjes së Ligjit të ri për shërbimin e jashtëm dhe jo me akte nënligjore që janë në kundërshtim me ligjet organike shtetërore”, është shprehur Prenkaj.
Me ligjin në fuqi, për Shërbimin e Jashtëm, neni 5 ka paraparë drejtorin e përgjithshme dhe përcakton se “Drejtoria e përgjithshme bashkërendon komunikimin e përhershëm të Ministrisë me misionet e shërbimit të jashtëm, është përgjegjëse për hartimin dhe realizimin e synimeve në veprimtarinë e shërbimit me jashtë, si dhe udhëheq zyrat përkatëse brenda Ministrisë”. Gjithashtu edhe me nenin 21 të këtij ligji parashihen detyrat dhe rolin që ka Drejtoria e përgjithshme, gjegjësisht drejtori i përgjithshëm.
“1. Transferimi, lëvizja paralele dhe ngritja në detyrë e nëpunësit të shërbimit të jashtëm bëhet me vendim të ministrit të Punëve të Jashtme, në bazë të propozimit të drejtorit të përgjithshëm”, thotë rregullorja. Ligji në vijim përcakton se “1.Nëpunësit e Shërbimit të Jashtëm mund të pezullohen nga ushtrimi i funksioneve të tij/saj: për periudha specializimi, më shumë se gjashtë (6) muaj, të ndërmarra me nismën e vetë nëpunësit, por me miratimin e drejtorit të përgjithshëm”.
Prenkaj ka përmendur edhe Rregulloren në fuqi nr. 02/2009 për Shërbimin e Jashtëm, ku janë përcaktuar detyrat dhe përgjegjësit e drejtorit të përgjithshëm. Me nenin 13 paragrafi 1 nën paragrafi 1.2 i kësaj rregulloreje, që rregullon përbërjen e Komisionit për Grada dhe Disiplinë, parasheh përbërjen e këtij komisioni prej shtatë anëtarësh dhe e përcakton drejtorin e përgjithshëm si një nga anëtarët e komisionit.
Shuarjen e Drejtorisë së përgjithshme në kuadër të Ministrisë së Punëve të Jashtme që ishte kundërshtuar nga udhëheqësi i saj, Këshilli i Pavarur Mbikëqyrës e ka vlerësuar vendim të ligjshëm. Pas ankesës së drejtorit të përgjithshëm, Albert Prenkaj, i cili ishte prekur nga procesi i ristrukturimit, Këshilli konstatoi se risistemimi brenda MPJ-së mbështetet në rregulloren e miratuar nga Qeveria për këtë çështje.
Këshilli i është referuar edhe ligjit për zyrtarët publikë duke potencuar se “nëpunësi ka të drejtë të paraqesë ankesë drejtpërdrejt për çdo veprim apo mosveprim, që i cenon të drejtat apo interesat e ligjshme”.