Arbëri

Prej 4 vjetësh zvarritet projekti për riemërtimin e rrugëve në Ferizaj

Projekti për riemërtimin e rrugëve në fshatra dhe lagje urbane në komunën e Ferizajt, e po ashtu vendosja e numrave të shtëpive, ende nuk ka përfunduar.

I nisur para afro katër vjetësh, ai ka ngecur shkaku i procedurave tenderuese.

Banorët thonë se orientimi i qytetarëve do të ishte shumë më i lehtë nëse ky proces ishte kryer tashmë.

“Vendosja e numrave është shumë e rëndësishme, e sidomos për adresa kur posta apo kushdo që ka me shpërnda ndonjë dokument ose kushdo që e kërkon një person, ka shumë rëndësi, sepse pa e kërkuar shumë vjen te vendi i duhur, te personi që ka nevojë ai", ka theksuar Sadil Qerimi, përfaqësues i fshatit Koshare.

“Kjo është shumë e nevojshme, sikur të jenë numrat e vendosura nëpër shtëpi, andaj këtu bëj apel te Komuna e Ferizajt që sa më shpejt të na mundësojnë shënimin e rrugëve dhe numrave nëpër shtëpitë e tona”, ka deklaruar tutje Naser Sadriu, banor i fshatit.

Rreth zvarritjes së këtij projekti kanë reaguar edhe asamblistët, të cilët e kanë themeluar Komisionin për riemërtim të rrugëve dhe vendosje të numrave të shtëpive.

“Ne, si Kuvend Komunal në Ferizaj, qysh në fillim të mandatit kemi formuar një komision për emërtimin e rrugëve, mirëpo ky komision sikur komisionet e kaluara, po e zvarritin punën e tyre dhe nuk kanë dhënë rezultatet e pritshme. Pra, ne çdo ditë marrim ankesa nga qytetarët, të cilët kërkojnë që të vendosen numrat, po ashtu, edhe tabelat nëpër rrugë të ndryshme”, ka thënë Amir Rexhepi, asamblist i pavarur në KK të Ferizajt.

Drejtori i Urbanizmit, Lulzim Aliu, zotohet se brenda këtij viti projekti do të finalizohet.

“Procesi i emërtimit të rrugëve dhe i vendosjes së numrave ka qenë një proces i gjatë, por ne jemi në fazën përfundimtare. Jemi duke e zhvilluar një aktivitet për vendosjen e numrave në dy pjesë të qytetit, për vendosjen e diku gjashtë mijë numrave dhe që ka qenë projekt me shtetin norvegjez dhe është në përfundim e sipër”, ka thënë ai.

Sipas Aliut, komuna ka iniciuar edhe disa procedura të tjera tenderuese në mënyrë që të gjitha shtëpitë e fshatrave t’i kenë numrat dhe adresat e sakta në sistemin digjital.

Deri tash komisioni ka shqyrtuar më shumë se 300 ankesa të qytetarëve.