Arbëri

Policia nis intervistimin e dëshmitarëve për rastin e 150 mijë eurove të Arbitrazhit

OEK

Hetues të krimeve ekonomike kanë intervistuar të hënën dëshmitarët e parë në rastin që dyshohet se janë keqpërdorur rreth 150 mijë eurot që kanë qenë të dedikuara për Tribunalin e Arbitrazhit, i cili vepron pranë Odës Ekonomike. Ky tribunal ka në trajtim kontestin prej 10 milionësh mes Telekomit të Kosovës dhe një kompanie që ofron shërbime të IPTV-së

Drejtoria për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit e Policisë së Kosovës ka nisur të hënën intervistimin e dëshmitarëve lidhur me dyshimet për keqpërdorimin e 160 mijë eurove nga Oda Ekonomike e Kosovës.

Rasti ka të bëjë me çështjen e kontestit mes Telekomit të Kosovës dhe një kompanie që ka ofruar shërbime të IPTV-së, i cili po trajtohet nga Tribunali i Përhershëm i Arbitrazhit, që vepron në kuadër të Odës Ekonomike. Lidhur me këtë rast pati raportuar “KOHA”, pasi gjyqtarët e Tribunalit kanë ngritur dyshime duke deponuar edhe kallëzim penal se janë tërhequr mjetet e dedikuara për palët në kontestin gjyqësor.

Ndër të intervistuarit e parë është gjyqtari Enver Hasani, i cili edhe kishte deponuar kallëzimin penal me të kuptuar se mjetet nuk gjenden në llogari. Burime të KOHËS kanë thënë se Hasani është pyetur të hënën lidhur me dyshimet për shpërdorim flagrant të detyrës zyrtare nga ata që operojnë mjetet financiare të palëve në procedurë. Sipas informacioneve, të cilat u janë vënë në dispozicion edhe hetuesve, bëhet fjalë për shumën rreth 150 mijë euro që është shpenzuar nga Oda pa vendim të Tribunalit.

I kontaktuar nga KOHA, Hasani e ka konfirmuar se është intervistuar. Ai ka thënë shkurt se është pyetur lidhur me pretendimet e ngritura në kallëzim penal.

“Po, jam intervistuar lidhur me ato që i kam ngritur në kallëzimin penal për dyshimet se janë keqpërdorur mjetet e Tribunalit”, ka thënë Hasani.

KOHA ka mësuar se në ditët në vijim do të intervistohen edhe kryetari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi dhe sekretari, Parim Bajrami.

Dyshimi për keqpërdorimin e mjeteve nga Oda Ekonomike e Kosovës, ka bërë që Telekomi i Kosovës të kërkojë pezullimin e procedurës pranë Tribunalit të Përhershëm të Arbitrazhit, që vepron në kuadër të Odës.

10 milionë euro është shuma që kompania me prejardhje amerikane “Intercom Joint Ventures” i kërkon nëpërmjet Arbitrazhit, për shkak të pretendimeve se Telekomi nuk ka paguar për shërbimet e kontraktuara. Por, janë hedhur dyshime se e njëjta kompani është bërë pjesë e skemës së transaksioneve të dyshimta. Pasi ishin avulluar rreth 160 mijë euro nga llogaria e Tribunalit, e që ishin deponuar nga palët në kontest, kompania paditëse dyshohet se e ka deponuar shumën e njëjtë të mjeteve në xhirollogarinë e Odës Ekonomike, pa e treguar dërguesin.

Transaksioni ishte realizuar pas raportimit të KOHËS për tërheqjen e mjeteve pa vendim të Arbitrazhit. Oda Ekonomike as kompania nuk kanë ofruar sqarime lidhur me këtë çështje.

Me qëllim të verifikimit të pretendimeve të parashtruara në kallëzim penal, Zyra e kryeprokurorit të shtetit më 30 mars i kishte kërkuar kryeprokurorit Kujtim Munishi që çështja paraprake penale t’i ndahet ndonjërit prej prokurorëve për trajtim të mëtutjeshëm. Aty përmendet edhe pretendimi se personat zyrtarë të atij institucioni kanë përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme 150 mijë euro.