Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Ferizaj ka organizuar një fushatë vetëdijësuese me moton “Vera është e bukur, por kujdes” të dedikuar qytetarëve dhe bashkatdhetarëve të cilët kanë nisur të vinë për pushime në Kosovë.
Aktiviteti është përcjellë me shpërndarje të disa fletushkave për qytetarët dhe vozitësit në komunikacion me qëllim të vetëdijesimit për të krijuar siguri në trafik, pastaj mos të festojnë me armë, por me zemër nëpër ahengjet të ndryshme, të kenë kujdes gjatë vozitjes mos të përdorin telefonin, pastaj sa herë që dalin nga shtëpia gjërat me vlerë t’i mbajnë me vete. Të kenë kujdes që veturën ta parkojnë në vendet e caktuara, t’i mbajnë të mbyllur veturat dhe mos t’i harrojnë çantat e tyre në karrige derisa gjenden larg veturës, pastaj të kenë kujdes edhe nga ndezja e zjarreve etj.
Basri Shabani, ushtrues i detyrës së Drejtorit të Policisë Rajonale në Ferizaj, ka thënë se ky projekt ka për qëllim rritjen e vetëdijesimit të qytetarëve dhe të bashkatdhetarëve që ta ruajnë shëndetin e tyre dhe të tjerëve gjatë këtij sezoni veror.
Ndërkohë, gjatë shpërndarjes së fletushkave, Ardita Varvara, eprore në Policinë e Kosovës në Ferizaj, ka informuar qytetarët për këtë aktivitet.
“Kemi dalë për t’ua shpërndarë disa fletushka qytetarëve me qëllim të vetëdijesimit të tyre duke u nisur prej dasmave që qytetarët të festojnë me zemër dhe jo me armë, pastaj i kemi edhe disa rregulla të komunikacionit rrugor që vozitësit duhet t’i shmangen aksidenteve. Po ashtu përdorimi i telefonit gjatë ngasjes së automjetit është e ndaluar edhe me ligjet e Republikës së Kosovës, prandaj i kemi edhe disa rregulla rreth sigurimit të veturës në mënyrë që qytetarët mos të harrojnë gjëra me vlerë brenda në veturë derisa dalin në qytet me qëllim që mos të vije deri tek vjedhja e tyre”, ka thënë Varvara.
Sipas saj, qytetarët duhet të kenë kujdes që t’i mbyllin dyert dhe dritaret e shtëpisë derisa dalin në qytet dhe po ashtu gjërat me vlerë t’i mbajnë me vete.
Kjo fushatë është mirëpritur edhe nga qytetarët dhe bashkatdhetarët e Ferizajt.
“Për neve si qytetarë është shumë e rëndësishme dhe e mirëseardhur një fushatë e tillë përmes të cilës u njoftuam se si të veprojmë në komunikacion, si ta ruajmë shëndetin tonë dhe të tjerëve, si ta ruajmë veturën, si t’i ruajmë gjërat dhe pasurinë tonë etj. Pra mendoj se fushata të tilla duhet të organizohen edhe në komuna të tjera me qëllim të vetëdijesimit të qytetarëve dhe bashkatdhetarëve që gjendemi për pushime në Kosovë”, ka thënë njëri nga bashkatdhetarët i cili nuk deshi t’i përmendej emri.