Martesat e hershme nën moshën 18-vjeçare te komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian janë bërë fenomen edhe në Komunën e Lipjanit, megjithëse një gjë e tillë është e ndaluar me ligj.
Gjatë kohës së fundit janë identifikuar dhjetëra raste të tilla dhe po trajtohen nga organizatat joqeveritare përmes fushatave.
Por, për banorët e këtij komuniteti gjithçka është normale.
“Diku ndodhin në skamnore, do të thotë nuk ka kah t’ia mban, iu ka bë çika për martesë dhe ia ‘hanë do pare’ mikut. Këtu ndoshta ka qenë traditë edhe në të kaluarën te shkalitë më shkurtë. I kanë martuar 13 vjet e 14 vjet”, ka thënë Zjadin Selmani nga Lipjani.
“Ne martohemi më herët për arsyeje se djali të bëhet si vëlla. Është e ndaluar me ligj, por s’kemi çfarë të bëjmë”, ka thënë Shaqir Danqi, banor i Gadimes.
Për parandalimin e martesave të hershme edhe Komuna e Lipjanit kishte mbajtur fushatë vetëdijesuese.
Një të tillë tash po e vazhdon organizata për mbrojtjen e të drejtave të njeriut “YAHR” e cila po vazhdon të mbajë takime me qytetarët dhe me të rinjtë e këtij komuniteti.
“Organizata jonë ekskluzivisht është marrë me këtë problematikë dhe kemi menduar se në njëfarë forme kemi ofruar zgjidhje, por prapë se prapë edhe këtë vit po ndodh dhe po përsëritet një fenomen i tillë. Kështu që ka nevojë që institucionet lokale dhe ato qendrore të merren me trajtimin e kësaj problematike”, ka thënë Bekim Krasniqi nga OJQ YAHR.
“Martesat e hershme janë në dëm të tyre dhe në dëm të shoqërisë për shkak se ato krijojnë barrë sepse bëhen nëna të reja me 16 vjet. Fëmija e bën vet fëmijën dhe kjo është një dukuri por po besoj me kalimin e kohës edhe ky fenomen do të zbehet”, ka thënë Lulzim Qerimi, nënkryetar i Komunës së Lipjanit për komunitetin pakicë.
Qerimi ka shtuar se problemet kryesore janë kushtet e rënda ekonomike dhe mungesa e shkollimit të mesëm.